Me urimin që Panairi i Librit të jetë ngjarja kryesore kulturore e këtyre ditëve në agjendën e qytetarëve, i është “prerë shiriti” edicionit të 24-t, që sivjet ka për moto “Përgjigjja është libri”. Botuesit presin “përgjigje” me interesimin për librin dhe janë rreth 100 sish që tashmë kanë shpalosur ofertat. Fjalimet e hapjes kanë qenë konstatime për peshën e librit, e mysafiri i nderit, shkrimtari francez, Eric Faye, ka thënë si letërsia e ka pushtetin që ta cytë njeriun të reflektojë për fatin e popujve dhe t’i kuptojë aspiratat e tij
Shkrimtarë, botues e lexues janë bërë bashkë për të hapur edicionin e ri të Panairit të Librit në Prishtinë. Edicioni i 24-t me radhë këtë ngjarje e gjen aty ku mbahet tradicionalisht, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Me temën “Përgjigjja është libri”, prej të mërkurës deri të dielën, ekspozita më e madhe e botimeve do të jetë e hapur për qytetarë.
Janë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora, që janë vënë në shërbim të blerësve e lexuesve.
Me urimin që Panairi të jetë ngjarja kryesore kulturore e këtyre ditëve në agjendën e qytetarëve, i është “prerë shiriti” hapjes.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se ky aktivitet është takim për të shënuar punën njëvjeçare të njerëzve që fjalën e shkruar e kanë motiv jete.
“Sot përreth nesh rrezaton dituri e urtësi, mijëra autorë me veprat e tyre, sot, në këtë ditë të bukur me diell, na zdrisin sytë e na hapet zemra tek shohim pa fund mund të shkruar e të latuar në fjalë që artikulojnë imtësinë më të thellë, qenien e jetën”, ka thënë ai.

Sipas Zenelit, këto ditë puna e netëve të vona zgripeve krejt personale të autorëve, përkthyesve, redaktorëve e korrektorëve, e mundi i madh i botuesve e punonjësve të shtypshkronjave i materializuar në mjetin magjik të quajtur libër, afrohet dhe ofrohet te qëllimi i vet: lexuesi.
Politika si gjithnjë mban fjalën e vet në këtë ngjarje. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se është kënaqësi që bëhen bashkë lexuesit, autorët e botuesit.
“Kënaqësi me pa kaq shumë tituj të rinj që i shtohen Panairit dhe i shtohen lexuesit në dispozicion, shumë kënaqësi me pa edhe aktivitetet e tjera që do të mbahen në kuadër të Panairit”, ka thënë ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet një fjalimi të gjatë është munduar ta arsyetojë temën e sivjetme.
Ka thënë se te fëmijët përgjithësisht vetëdija zhvillohet kur të bëhen pyetjet, kur pyesin për njerëzit dhe dukuritë përreth, në përpjekje për të njohur e kuptuar jetën e botën.
“Dhe çdo përgjigje që e marrin në një formë a tjetër është magjike, sepse na mëson e na i rrit edhe ne mundësitë që kemi sot, fatmirësisht përgjigje mund të gjejmë kudo dhe kurdo. Por, besoj që përgjigjet më të bukura dhe me të plota janë ato që i gjejmë në libra, janë të tilla që na mbushin zemrën e na bëjnë me krahë, na nxisin imagjinatën dhe na mbushin shpresë”, ka thënë ajo. Ka thënë se si Ministri e Arsimit kanë pasur një qasje tërësisht të strukturuar ndaj librit, është arritur dukshëm mbështetje e librit dhe shtëpive botuese krahas audiolibrave dhe rezidencave letrare.

“Këta dy vjet kemi ndërmarrë një rishikim të thellë të teksteve shkollore, duke filluar me ato të gjuhës shqipe dhe matematikës, dhe këtë e kemi bërë me bindje se libri vazhdon të jetë instrumenti kryesor, andaj dhe duam që fëmijët tanë të rriten me tekste cilësore dhe efektive”, ka thënë ajo në një fjalim që nuk e ka pasur edhe aq vëmendjen e publikut të vogël përballë.
“Etja për lexim është nga tiparet më të spikatura të një individi të shëndoshë, ndaj dhe përbën thelbin e shoqërisë mendjehapur që synojmë edhe ne”, ka thënë ajo.
Si përfaqësuese e Komunës së Prishtinës, drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, ka thënë se kjo ngjarje është një festë e vërtetë për kulturën dhe mendimin, një mundësi për të ndarë pasionin për librat. Librin e ka përshkruar si thesar të pashtershëm të dijes dhe frymëzimit e po ashtu edhe si një urë që lidh me të kaluarën dhe ndihmon në kuptimin e të tashmes deri tek imagjinimi i së ardhmes.
“Panairi i Librit është më shumë se një vendtakim për shkrimtarët e lexuesit, është një simbol i përpjekjeve tona për të ndërtuar një shoqëri më të hapur, më të ditur dhe më të drejtë. Është një hapësirë ku idetë përplasen dhe krijon lidhje të reja ku mendimet ndahen, por kulturat bashkohen në harmoni”, ka thënë ajo. Sipas Halimit, në çdo shtand është një ftesë për të eksploruar botë të reja, për të njohur autorë të rinj dhe për të rifituar dashurinë për klasikët. “Është një mundësi për të mbështetur e promovuar talentet dhe zërat e rinj që do të formësojnë të ardhmen e letërsisë sonë”, ka thënë drejtoresha Halimi.

Krejt në fund i ka ardhur radha mysafirit të nderit, shkrimtarit të njohur në Francë, fituesit të disa çmimeve të rëndësishme në vendlindje, Eric Faye. Nëpërmjet gjuhës frënge, përkthyer nga profesoresha universitare Nerimane Kamberi, Faye ka kujtuar se në vitin 1977 ishte në Prishtinë. Ka thënë se mban mend pak nga atëherë, por prej asaj kohe e ka përcjellë aktivitetin e Kosovës, sepse ka punuar gjatë si gazetar.
“Kështu që datat e marsit dhe prillit të vitit 1981 janë të shënuara në kujtesën time të një ecjeje të vështirë dhe të dhimbshme deri në pavarësi. Mendoj që më shumë se gazetaria është ajo letërsia, e cila ka pushtetin që të na bëjë të reflektojmë për fatin e popujve dhe t’i kuptojmë aspiratat e tyre”, ka thënë ai. Sipas shkrimtarit francez, libri merr kohë dhe mbetet gjithmonë një mënyrë e privilegjuar për ta kuptuar njeriun.
“Falë librit jam edhe unë këtu dhe kam fatin që të marr pjesë në këtë sallon të librit e të takoj lexues dhe studentë, të njoh më mirë një Kosovë e cila ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dekadave. Aeroplani me të cilin erdha sot në mëngjes nga Parisi ma kujtoi që kontinenti evropian është shumë i vogël dhe shpresoj shumë që Kosova të integrohet më shumë në institucionet e Evropës”, ka thënë ai.

Përtej anës protokollare në ditën e parë – kësaj radhe më shumë se herëve të tjera – Panairi ka pasur njëfarë qetësie paksa të zymtë. Botuesit nuk duket se janë përballur me aq shumë kërkesa nga lexuesit, përderisa si fotografi e përgjithshme ngjarja ka qenë e zbehtë. Sipas organizatorëve, janë rreth dy mijë tituj të rinj e rreth gjashtë mijë të botuar në vitet e fundit që presin blerësit. Me përvjetorë shkrimtarësh vendorë e të huaj pritet të mbahen rreth 40 ngjarje.
Shtëpitë botuese kanë marrë njëfarë hovi që të ofrojnë më shumë sesa në pjesët e tjera të vitit, sa u përket botimeve por edhe çmimeve.
Te Botimet KOHA kanë thënë se presin interesim më të shtuar.
“Sivjet me një vepër të re kthehet një prej shkrimtarëve me librat më të kërkuar në Panair ndër vite, Veton Surroi”, ka thënë menaxheri i shitjes, Fidan Imeri. Bëhet fjalë për librin “Viti i qirinjve” me nëntitull “Si e filluam rezistencën paqësore”, që vjen si një prej titujve të rinj të Botimeve KOHA, në ngjarjen më të madhe të librit në Kosovë. “Vese në peshojë” i Ibrahim Kadriut dhe “Fadil Vokrri – Legjenda që nuk shuhet kurrë” i Bekim Aliut, janë po ashtu pjesë të botimeve të reja. Bashkë me dy botime të vitit të kaluar, shtandi i Botimeve KOHA sivjet pret lexuesit me mbi 140 tituj e deri në 80 për qind zbritje.
“Veprat e Surroit gjithnjë ngjallin interesim, besoj që edhe sivjet kjo do të ndodhë, pasi bëhet fjalë për një libër që flet për kohë të vështira në Kosovë”, ka thënë Imeri.
Sipas përshkrimit që i bëhet librit, sikur në “Këmbët e gjarprit”, ky rrëfim autentik flet për vitin kthesë 1990 dhe lindjen e lëvizjes demokratike të shqiptarëve të Kosovës.
“Si u formuan organizatat e para demokratike? Pse u bë lider Ibrahim Rugova? Si u përcaktua rezistenca paqësore ndaj Millosheviqit dhe si i iku Kosova luftës më 1990? Pse u ndezën qirinjtë e vringëlluan çelësat? Çfarë kërkuan amerikanët prej demokratëve kosovarë dhe çka ata prej Amerikës?” janë disa nga pyetjet të cilave u përgjigjet libri. Nëpërmjet kujtimeve personale, si akter i ngjarjeve të asaj kohe, por edhe bazuar në fakte të verifikuara, Surroi, në librin e tij të 13-të me radhë, u jep përgjigje edhe pyetjeve se si u shndërrua Kosova në pikë të politikës së jashtme amerikane, si u lind e u zhvillua iniciativa për Deklaratën e 2 Korrikut, si u prit ardhja e Adem Demaçit nga burgu, pse mungoi përgjigjja e organizuar ndaj pezullimit të autonomisë së Kosovës dhe, midis të tjerash, si hyri Kosova pas grevës së pakoordinuar të përgjithshme në autopilot? Libri, me redaktorë Flaka Surroin e Xhevat Sylën, zbërthen ditët e vështira të Kosovës, shpalos veprime dhe sjell analiza duke bërë që historia e asaj kohe – nyjë kur ish-Krahina mori orientim perëndimor – të jetë më e qartë dhe të zbardhet nga disa perspektiva.
Panairi pritet që ditëve në vazhdim të presë më shumë vizitorë. Janë 40 mijë veta që, sipas organizatorëve, duhet të jenë nëpër ato ambiente deri të dielën.