Si edicion, i sivjetshmi është dukur goxha më i zbehtë. Ankesat për mungesë të vizitorëve kanë qenë të vazhdueshme, përderisa rënia e numrit të tyre është e dukshme. Por, sipas organizatorëve, kjo nuk do të thotë se ka rënie të interesimit për librin, pasi mundësia e blerjes është shumë e madhe edhe jashtë ditëve të ekspozitës së librit. Akademikët Rexhep Qosja dhe Ali Aliu janë nderuar me Çmimin për Veprimtari Jetësore në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Në ditën e fundit të kësaj ngjarjeje, të dielën, organizatorët kanë ndarë dhe çmimet vjetore
Akademikët Rexhep Qosja dhe Ali Aliu janë nderuar me Çmimin për Veprimtari Jetësore në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Në ditën e fundit të kësaj ngjarjeje, të dielën, organizatorët kanë ndarë dhe çmimet vjetore. Si edicion, i sivjetshmi është dukur goxha më i zbehtë. Ankesat për mungesë të vizitorëve kanë qenë të vazhdueshme, përderisa rënia e numrit të tyre është e dukshme. Por, sipas organizatorëve, kjo nuk do të thotë se ka rënie të interesimit për librin, pasi mundësia e blerjes është shumë e madhe edhe jashtë ditëve të ekspozitës së librit.
Në mbyllje të këtij edicioni, Çmimi për letërsinë për fëmijë i është ndarë Flori Kasajt për librin “Andrushi”, ai për përmbledhjen poetike, Donika Dabishevcit për librin “E gjithkohshmja – ANDËRR”, kurse Çmimi për roman Besnik Mustafajt për romanin “Fati i marrë”.
Juria në përbërje të Majlinda Nana-Ramajt, Behar Gjokës dhe Alketa Gashit, Çmimin për studim dhe publicistikë ia ka ndarë Fatmir Toçit për librin “Arbëreshët”, atë për përkthim Aida Baroës për librin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, kurse Çmimin si autor i vitit, Bajram Kosumit për librin “Enciklopedia imagjinare”.
Juria nuk ka bërë arsyetime për çmimet e ndara.
Akademik Rexhep Qosja i pranishëm në këtë ceremoni, krejt në fillim ka reaguar duke thënë se i vjen keq të marrë çmime pasi, sipas tij, të rinjtë duhet të motivohen me çmime.
“Vullneti im është që të motivohen krijuesit e rinj, pasi unë jam i pranishëm në Panair tash e shumë vjet”, ka thënë Qosja. Më pas anëtarët e jurisë dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, që ia ka ndarë Çmimin për veprimtari jetësore, ia kanë sqaruar se bëhet fjalë për nderim për vepër jetësore.

Akademik Rexhep Qosja u lind më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Sipas biografisë së tij të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi në shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktoratës, më 1972, u zgjodh njëherë bashkëpunëtor i lartë e pastaj këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”.
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e Qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974, dhe me shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010, për romanin “Bijtë e askujt”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë ia dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Pos Qosjes, juria me Çmim për vepër jetësore ka nderuar edhe akademik Aliu Aliun.
“Jam i nderuar me këtë çmim dhe po ashtu që këtë e pranova pas mikut tim të vjetër Rexhep Qosja”, ka thënë Aliu.
Akademik Ali Aliu u lind më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet universitare për albanologji i përfundoi në Beograd në vitin 1960. Sipas biografisë së tij të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, pas studimeve zuri punë si gazetar në redaksinë “Flaka e Vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e Letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.
Ali Aliu është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Ka drejtuar disa kandidatë në tema magjistrature dhe doktorature. Ka shkruar dhe tekste shkollore për Teorinë e Letërsisë.
Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar Zyrën e Kosovës në Tiranë (1991).
Ka ligjëruar mbi 10 vjet si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ali Aliu është bartës i disa mirënjohjeve, siç janë: Çmimi për librin më të mirë të vitit, “Kritika letrare”, botuar nga SHB “Rilindja”; çmimi “Dimitar Mitrev” të SHSHM për librin më të mirë me kritika “Shtegtim metafore për vitin 2007”; çmimi “Onufri” akorduar nga festivali “Poeteka”, Durrës; çmimi republikan “11 Tetori”; çmimi “Krenaria e Prespës”, ndarë nga shoqata “Prespa na bashkoi”, Çikago; Çmimi special për kritikë nga Shoqata e Shkrimtarëve Lezhianë, si dhe çmimi “Azem Shkreli” për vepër jetësore në letërsi që ia ndau Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës në vitin 2015. Është dekoruar me medaljen “Nderi i kombit” nga presidenti i Shqipërisë.
Si edicion i Panairit , i sivjetshmi është dukur goxha më i zbehtë. Ankesat për mungesë të vizitorëve kanë qenë të vazhdueshme, përderisa rënia e numrit të tyre është e dukshme. Organizatorët flasin për rënie të vizitave prej 20 deri në 30 për qind.
Por, sipas organizatorëve, kjo nuk do të thotë se ka rënie të interesimit për librin, pasi mundësia e blerjes është shumë e madhe edhe jashtë ditëve të ekspozitës së librit.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se për plan të organizimit Panairi sa vjen e fiton aspekt estetik më të arrirë, në anën tjetër flasim për një realitet që është gjithnjë e më i ndryshueshëm e më i gjallë. Ka thënë se nëse e krahasojmë tregun e librit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para 30 vjetëve dhe tash, flasim për gjysmën e librarive të mbyllura.
“A flet kjo për një rënie të leximit atje? Jo, sepse numrat në anën tjetër thonë që kurrë më shumë nuk është lexuar. Të paktën kurrë më shumë nuk është qarkulluar libri, sepse leximi është pak problematike të ndiqet deri në hapin e fundit”, ka thënë ai.
Sipas Zenelit, është një epokë ku lexuesi mund të arrijë te libri nëpërmjet formateve online, nëpërmjet librarive që janë hapur në Prishtinë, dhe Panairi gradualisht po kthehet në atë që ka rol themelor e që nuk është në parim shitja e librit, por është ndërgjegjësimi në raport me librin.
“Panairi është një festë ku kurorëzohet e shënohet puna njëvjeçare e botuesve. Është një mundësi e jashtëzakonshme për shkrimtarët që të takohen nga afër me lexuesit, për botuesit që të takohen nga afër me lexuesit, t’i ndajnë përshtypjet, kritikat, sugjerimit, por në anën tjetër gjithashtu është edhe një moment i mirë për t’i lansuar botimet e reja”, ka thënë ai.
Ka treguar se bëhet fjalë për një rënie të numrit të vizitorëve që vërehet dhe nuk kaarsye të fshihet.
“Kemi një rënie të vizitave në Panair, por kjo duhet të shërbejë si një mundësi e mirë për ta rimenduar secili botues veç e veç dhe organizatori formatin i cili duhet ta shoqërojë në këtë botë të ndryshueshme edhe vetë Panairin. Panairi ngelet ngjarja kryesore e librit në Kosovë, ngelet një storie suksesi në vetvete, pa çka se një nga hallkat duket se është mungesë për botuesit e ajo është realizimin material”, ka thënë ai.
Të ftuar nderi në këtë edicion ishin shkrimtari francez Éric Faye dhe akademik Rexhep Qosja. Ngjarja që ka nisur të mërkurën dhe ka përfunduar të dielën ka pasur rreth 40 aktivitete, si promovime librash e përvjetorë shkrimtarësh.