“Palltoja e të munguarit”, është titulli i romanit më të ri të Albina Idrizit, i cili sapo ka dalë nga shtypi nga Botimet KOHA. Siç përshkruhet, rrëfimi i këtij romani “ndërtohet mbi ngjarjet e kaluara si fëmijë, kryesisht viteve të fundit të luftës, të cilave rrëfyesi tashmë i rritur, u kthehet me një besnikëri përjetimeve fëmijërore dhe me sinqeritet të zhveshur nga çdo paragjykim i mundshëm”.
Sipas përshkrimit, me gjithë largësinë gjeografike nga hapësirat ku zhvillohet lufta drejtpërdrejt, ajo prek edhe personazhet e romanit duke i shpërfaqur në origjinalitetin lakuriq të tyre, parë me sy fëmije.
“Palltoja e atit të munguar, prania e fuqishme e së cilës shoqëron pandashëm gjithsecilin nëpër faqet e librit me çdo rrëfim, mbetet kuintesenca e romanit si një metaforë e ndërgjegjes e cila i ndjek pas kudo”, shkruhet në përshkrimin e veprës së Idrizit, e cila debutoi në letërsi më 1997 me përmbledhjen me poezi “Heshtja e mbarsur”, botuar nga Rilindja.
Sipas biografisë së shkrimtares të afishuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, ajo ka botuar edhe “Ëndrra me ylbere”, poezi për fëmijë, botim i autores, Prishtinë, 2007, “Hijet e kullave”, roman, “Rozafa”, Prishtinë, 2009, “Dashuruar në diell”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2010, “Pergamenë e gjallë”, tregime, “Beqir Musliu”, Gjilan, 2011, “Orbita e fjalës”, poezi të zgjedhura në gjuhën shqipe, angleze, greke e italiane, “Pegasi”, Tiranë, 2011, e “Për një mëngjes ndryshe”, roman, LSHK, Prishtinë, 2015.
Ka botuar edhe romanin “Përsëri mars”, “Buzuku”, 2019 i cili mori çmimin vjetor “Anton Pashku” për veprën më të mirë në prozë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës. Më 2022 erdhi me përmbledhjen “Trokitje të prushta” botuar nga “Beqir Musliu” e një vit më vonë me “Vogëlushi je dhe plaku ta”, poemë për fëmijë, “Rozafa”. Vitin e kaluar lexuesit i solli po ashtu poemën për fëmijë “Vemja që ëndërronte të vishte fustan”, botuar nga shtëpia botuese “Rozafa”.