Filmi francez “Emilia Pérez” nën regji të Jacques Audiard kryeson listën e nominimeve me 13 sosh, përfshirë kategorinë kryesore. Kritikët e filmit tashmë kanë nisur analizat e animet për shijet e tyre, përderisa në ditën e dytë të marsit pritet festa e madhe në teatrin “Dolby”, që u shpëtoi për pak flakëve. Ceremonia e sivjetme konsiderohet si një lloj kapërcimi sfide në Los Angelesin e sfiduar prej flakëve. Sivjet, “Oscari” i afrohet edhe Ballkanit nëpërmjet “Njeriut i cili nuk mundi të heshtë” të Kroacisë
Në kohë flakësh, kur bota i ka sytë te Los Angeles shkaku i zjarreve që kanë përpirë vendbanime të tëra në këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas dy shtyrjeve, Akademia Amerikane ka paralajmëruar festë të madhe.
Të enjten ka shpallur nominimet për çmimin prestigjioz “Oscar” duke bërë thirrje se industria e kinematografisë është e fortë dhe do të ndihmojë edhe zonën që ka pësuar shumë gjatë këtij muaji. Nominimet e sivjetshme prekin tema të ndryshme. Dramat njerëzore të ekranizuara nëpërmjet artistëve gjejnë vende në kategori të ndryshme të çmimit më prestigjioz që njeh bota.
E, filmi “Emilia Pérez” nën regji të Jacques Audiard kryeson listën e nominimeve me 13 sosh, përfshirë kategorinë kryesore, atë për filmin më të mirë. Kritikët e filmit tashmë kanë nisur analizat e animet për shijet e tyre, përderisa në ditën e dytë të marsit pritet festa e madhe në teatrin “Dolby”, që u shpëtoi për pak flakëve.
Filmi më i komentuar shkaku i nominimeve më të shumta, “Emilia Pérez” shtjellon jetën e një udhëheqëseje të një karteli droge, e cila mundohet të gjejë mënyra që të paraqesë një vdekje të rreme në mënyrë që t’i kthehet normalitetit. Synon edhe ndërrimin e gjinisë. Bashkë me këtë film në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar edhe “Anora”, “The Brutalist”, “A Complete Unknown”, “Conclave”, “Dune: Part 2”, “I’m Still Here”, “Nickel Boys”, “The Substance” dhe “Wicked”.
Kësaj radhe, të nominuar për regjisorin më të mirë janë Jacques Audiard për filmin “Emilia Pérez”, Sean Baker për filmin “Anora”, Brady Corbet për filmin “The Brutalist”, James Mangold për filmin “A Complete Unknown” dhe Coralie Fargeat për filmin “The Substance”. Për skenarin më të mirë origjinal në nominim janë projektet kinematografike: “Anora”, “The Brutalist”, “A Real Pain”, “September 5” dhe “The Substance”. Për aktoren më të mirë në rol kryesor në nominim janë: Demi Moore, Cynthia Erivo, Mikey Madison, Karla Sofía Gascón dhe Fernanda Torres.
Ndërsa në kategorinë për aktorin më të mirë në rol kryesor të nominuar janë: Adrian Brody, Timothee Chalamet, Colman Domingo, Ralph Fiennes, dhe Sebastian Stan.
Te ajo që quhet kategori për filmin më të mirë ndërkombëtar – ku synon edhe Kosova e që për të dytin vit me radhë nuk propozon – janë nominuar produksionet gjermane “The Seed of the Sacred Fig” dhe “I’m Still Here”, ai danez “The Girl with the Needle”, ai francez “Emilia Pérez” dhe filmi nga Letonia, “Flow”.
E, e në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, “Oscari” i afrohet Ballkanit. “Njeriu i cili nuk mundi të heshtë” i Kroacisë. Ky projekt kinematografik nën regji dhe me skenar të Nebojsha Slepçeviqit është në garë me katër filma të tjerë. Bëhet fjalë për një rrëfim të bazuar në një ngjarje të vërtetë për një hero të viteve ’90, kur në Shtërpcë të Bosnjë-Hercegovinës forcat paramilitare serbe ndaluan trenin me 500 udhëtarë në relacionin Beograd-Tivar dhe kryen krime lufte duke vrarë 19 myslimanë. Një akti si ky iu kundërvu vetëm Tomo Buzov, oficer në pension i Armatës Popullore të Jugosllavisë. Filmat e Slepçeviqit nuk janë të panjohur për festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren. E të panjohur nuk janë as të nominuarit e sivjetëm. Në dhjetor kur ishte publikuar lista e ngushtë para nominimeve në të bënin pjesë nëntë filma që kanë qenë pjesë këtij festivali tashmë të njohur botërisht. Tash, katër filma të nominuar janë shfaqur në “DokuFest”.
“Ky vlerësim i jashtëzakonshëm është një dëshmi e programimit unik dhe të kujdesshëm të ‘DokuFestit’, i cili vazhdon të mbështesë tregime inovative dhe t’u japë hapësirë zërave të ndryshëm në botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër. Çdo vit festivali paraqet një përzgjedhje të jashtëzakonshme filmash, shumë prej të cilëve vazhdojnë të marrin njohje ndërkombëtare dhe çmime prestigjioze, përfshirë edhe nominimet për ‘Oscar’”, shkruhej në komunikatën që “DokuFest” e kishte lëshuar në dhjetor. Për Akademinë Amerikane nominimet e sivjetshme kanë ardhur në një kohë kur Hollywoodi është përballur me fatkeqësi të madhe shkaku i zjarreve.
“Kjo ka qenë sigurisht një kohë e vështirë për Los Angelesin, ku punojnë dhe jetojnë shumë anëtarë të industrisë sonë të komunitetit të filmit. Por javët e fundit kanë vërtetuar atë që ne tashmë e dimë të jetë e vërtetë: industria jonë e filmit dhe Los Angeles është elastike dhe për gati një shekull, ‘Oscars’ na ka bashkuar për të festuar komunitetin tonë global të filmit”, ka thënë presidentja e Akademisë, Janet Yang, përpara se të shpalleshin nominimet. Duke marrë parasysh krejt atë që ka ndodhur, nuk kanë qenë të paktë zërat që kanë propozuar që sivjet të mos mbahej ceremonia e 97-të me radhë. Por drejtuesit e Akademisë kanë argumentuar se ceremonia e dy marsit duhet të vazhdojë, për ndikimin ekonomik që ka në Los Angeles dhe si një simbol i qëndrueshmërisë për industrinë. Organizatorët janë zotuar se çmimet e këtij viti do të “festojnë punën që na bashkon si një komunitet global filmi dhe do të vlerësojnë ata që luftuan me kaq guxim kundër zjarreve”.
“Ne do të reflektojmë mbi ngjarjet e fundit duke theksuar forcën, kreativitetin dhe optimizmin që përcakton Los Angelesin dhe industrinë tonë”, kanë thënë thanë Bill Kramer, shefi ekzekutiv i Akademisë dhe Yang në një e-mail drejtuar anëtarëve të mërkurën. Duke pasur parasysh rrethanat, Akademia anuloi drekën e saj vjetore të kandidatëve.
Menjëherë pas nominimeve, kritikët kanë nisur me analizat e tyre. Kanë mbështetur disa produksione e kanë kritikuar anëtarët e Akademisë për disa vendime që kanë marrë në raport me votimet që kanë bërë. Brooks Barnes dhe Nicole Sperling kanë shkruar në prestigjiozen “The New York Times” se Akademia nominoi edhe filma pa ndonjë peshë të madhe deri tash. Dyshja filmin më të nominuar “Emilia Pérez” e kanë parë si një eksplorim muzikor të identitetit transgjinor dhe atë “The Brutalist”, si një studim tri orë e gjysmë të traumës së emigrantëve dhe antisemitizmit. Ky film do të mbërrijë në kinematë amerikane në mbarë vendin të premten.
“Një film i suksesshëm, “Wicked’ me mesazhet e tij për rreziqet e autoritarizmit dhe fuqinë e rezistencës, gjithashtu ia doli mirë me vota. Ai mori 10 nominime, por nuk arriti të thyente kategoritë e rëndësishme të regjisë dhe skenarit”, ka shkruar dyshja. Në analizën e tyre, sivjet gara për filmin më të mirë është më e hapur se rrallëherë. Kanë shkruar se përderisa vjet “Oppenheimer” kur u nominua kishte tashmë një status shumë të fortë në kinematografi, sivjet shumë filma mbeten në kërkim të çmimit kryesor të Hollywoodit.
Në garë për filmin më të mirë sivjet vijnë “Conclave”, një triller i Vatikanit që eksploron politikat e identitetit, “The Substance”, që përshkruhet si një manifest feminist, “Nickel Boys” dramë historike e vendosur në një shkollë reformash raciste në Floridën të viteve 1960. Kurse “Anora” shihet si një histori e Hirushes për një punëtore seksi që martohet në mënyrë impulsive me djalin e një oligarku rus. E, “I’m Still Here” është dramë braziliane për jetën familjare dhe shtypjen politike, përderisa “A Complete Unknown” është film biografik për ikonën Bob Dylan.
Lënia jashtë e Angelina Joliet me filmin “Maria” dhe e Nicole Kidman me filmin “Babygirl” është parë si njëfarë çudie. Madje edhe nga kinematografët kosovarë.
Regjisori Ben Apolloni ka thënë se ende nuk i ka parë të gjithë filmat e nominuar, por disa prej atyre që tashmë i ka parë mendon që kanë merituar të nominohen. Sipas tij, “Conclave”, “Anora”, “A Complete Unknwon”, “The Substance”, janë filma që beson se do shikohen edhe pas “sezonit të çmimeve”.
“Kam pritur që të nominohet për regji gjermani Edward Berger për filmin ‘Conclave’, por për çudi Akademia e kishte anashkaluar. Mendoj se ‘Emilia Perez’ është pak si shumë i mbivlerësuar. Gjithashtu Isabella Rosellini, edhe pse është aktore e mirë, nuk më duket që ka pasur ndonjë rol për t’u vlerësuar kaq shumë”, ka thënë Apolloni.
Sipas tij, interesante është që filmi “I’m Still Here” i Walter Salles është nominuar në tri kategori dhe bashkë me “Emilia Perez” konkurrojnë edhe në kategorinë për filmin më të mirë.
“E çuditshme se si janë anashkaluar aktoret Nicole Kidman dhe Angelina Jolie, sidomos Kidman që ka marrë vlerësime shumë të mira që nga Festivali i Venecias ku ka fituar Çmimin si aktorja më e mirë. Por si duket amerikanët ende druhen të vlerësojnë filmat ‘moralisht jokorrektë’”, ka thënë ai.
Nominimet e sivjetshme janë shpallur në selinë qendrore të Akademisë në Beverly Hills në një ceremoni të udhëhequr nga Bowen Yang dhe Rachel Sennott. Sa i përket ceremonisë së ndarjeve së çmimeve “Academy Awards” ka bërë një shkëmbim midis komedianit Jimmy Kimmel dhe Conan O'Brien. Sipas kritikëve, O’Brien me sa duket do të sjellë një freski në ceremoni meqenëse ai konsiderohet si një zgjedhje e sigurt pasi është një profesionist i sprovuar, stili komik i të cilit është përmirësuar gjatë dekadave dhe i cili ka organizuar me sukses ceremoni të tjera të ndarjes së çmimeve.
Por zjarret mbesin prapë një shqetësim në Los Angeles. Siç raportojnë mediet e huaja, deri më tash ato kanë shkatërruar rreth 10 mijë shtëpi duke shtyrë Akademinë të vononte shpalljen e nominimeve. Midis shkatërrimit, pyetjet rreth ceremonisë kanë shkuar deri te mundësia e thirrjes për mbledhje të fondeve. Por kjo është hedhur poshtë.
Zyrtarët e Akademisë me një letër drejtuar anëtarëve të mërkurën kanë thënë se “nderimi i frymës unifikuese dhe sinergjisë krijuese të krijimit të filmave” mbetet fokusi i tyre kryesor për ceremoninë ku nuk do të ketë interpretime muzikore. Pavarësisht kësaj, ngjarja me tashmë një shekull traditë do të vazhdojë të shpërblejë më të mirët.