Loja dhe kompozimet e mjeshtrit francez, Armel Dupas, janë si tregime jetësore. Në fakt ai bën pikërisht këtë: rrëfen histori të tija nëpërmjet “Keybird pianos” së tij. Kështu futet në dialog me publikun të cilin e mban afër. Në Prishtinë është rikthyer për të tretën herë dhe “Open Borders” ka ardhur në momentin e duhur: edhe si realitet për shtetasit e Kosovës, por edhe si frymë e muzikës së tij e cila shemb kufijtë
“Open Borders” është më shumë sesa projekt muzikor e koncert i pianistit të shquar francez, Armel Dupas. Ka qenë një lloj gjurmimi i gjendjes shpirtërore dhe jo vetëm. Në Prishtinë ka ardhur në më pak se gjysmë viti prej kur janë hapur kufijtë për shtetasit e Kosovës. Me atë që quhet “Keybird piano”, Dupas ka sjellë tingujt e avancuar të pianos të veprave që variojnë nga muzika jazz te neo-klasikja.
Është Festivali “DAM” që ka sjellë projektin unik muzikor bazuar në përjetimet jetësore të artistit. Në zbërthimin e muzikës së tij për të tretën herë në Prishtinë, të enjten mbrëma e ka bërë kryeqytetin njërin prej nikoqirëve të “Open Borders”. Me të synon rrugëtim epik në 14 vende përgjatë katër muajve. Edhe “Keybird pianoja” e tij është tamam për këtë punë. Luan lehtësisht e mjeshtërisht, me të udhëton lehtë njashtu siç futet edhe në shpalosje rrëfimesh jetësore.
Krejt kjo ka për qëllim të prezantohen meloditë dhe autenticiteti muzikor i artistit. Ta lidhë publikun me të, e ta bëjë atë të reflektojë për jetën. Mbi të gjitha të përçojë mesazhe. Krejt kjo ngjan me muzikën e pianistit francez, Armel Dupas.
Është artist që derisa kultivon muzikën e tij qëndron afër me shqetësimet e kohës. Ajo reflektohet në kompozimet e tij. Interpretimin e ka nisur me veprën “Les espoirs deçus” që sipas tij, trajton një rrugëtim përballë shqetësimit. Ajo që quhet shpresë dhe që kthehet në zhgënjim, siç ka shpjeguar para nisjes së veprës.
Dupas ka qenë shumë afër me publikun. Ata i ka njoftuar për historinë e secilës vepër. Ka ndarë edhe historitë e jetës së tij.

Vepra e dytë “Open Borders” e projektit e albumit të tij me të njëjtin titull ka qenë si ftesë për të hapur çdo lloj kufiri. Me tinguj ka mbërthyer rrugëtimin shpirtëror të jetës përgjatë 40 vjetëve të jetës së tij. Edhe projektin e ka punuar me rastin e dekadës tij të katërt. Vepra me ritme të ndjeshme u dedikohet edhe të dashurve që s’janë më. Gjurmon dhimbjen.
Muzika e tij krijon imazhe të gjalla të ngjarjeve harmonike fillimisht e më pas transformohet në dinamike dhe tejet ritmike. Improvizimi është i pashmangshëm si rrjedhojë e punës së tij si jazz muzikant.
Me “Le dilemme” baraspeshën e ka arritur ndërmjet rënies e ngritjes në jetë duke e projektuar në të njëjtën formë me tinguj në piano. Ka thënë se kjo vepër ka të bëjë me dilemën në jetë, me evokimin e dy gjendjeve: të mirën dhe të keqen. Kur nis vepra duket se i jep përparësi të parës. Kur vjen e dyta, shpejt pështjellohet në tingull duke u turbulluar.
“Jeux de chat au jardin” (Macet duke luajtur në kopsht) është bazuar në një moment të përditshmërisë së tij: lojës së maces së Dupas dhe të mikes së tij.
Dupas ka thënë se në Francë luan kryesisht për gjeneratat më të reja. Në Prishtinë, sipas tij, ka gjetur audiencën me të cilën donte ta ndante muzikën e tij.
“Ka qenë ngjarje shumë e veçantë për mua, pasi audienca ishte e re në moshë. Zakonisht luaj për gjeneratat e prindërve dhe kushërinjve të mi. Ishte kënaqësi. Mendoj se repertori i është përshtatur këtij vendi, sepse është një ode për jetën, për energjinë pozitive. Hapësira kontribuoi edhe më shumë në këtë drejtim”, ka thënë për KOHËN pianisti francez pas koncertit në “Barabar” në katin e katërt të hotelit “Grand”.
Një ditë pas koncertit në Prishtinë është nisur për në Bullgari ku e ka prezantuar albumin e tij. Paraprakisht, “Open Borders” e ka dërguar në Itali dhe në Kroaci.
Ai ka shpjeguar se me muzikë mundohet të rrezatojë te publiku për përjetimet në jetë. E ka quajtur terapi me tinguj që sjell edhe mesazhe për publikun.
“Esenca është të sjellim mesazhe dhe të marrim energji nga këtu. Jeta dhe muzika janë të lidhura si një shkëmbim energjish. Ajo çfarë po ndodh këtu është sepse jemi të gjithë ne këtu. Çdo moment është i rëndësishëm, për këtë arsye zgjedh të luaj në ambiente të tilla dhe jo në salla standarde koncertale. Doja të ishte një koncert intim, si një koncert në shtëpi”, ka thënë pianisti e kompozitori i shquar i vlerësuar për butësinë e melodive të tij.

Ai përdor jazzin si një bazë për krijimin muzikor, veçanërisht me qëllim të nxitjes së mirëqenies dhe gjendjes shpirtërore. Muzika dhe arti janë pjesë e jetës së përditshme dhe mjedisit të tij familjar.
Në moshën 21-vjeçare nisi klasën e jazzit në “Conservatoire National Supérieur de Musique de Paris”. Sipas biografisë së tij, ka filluar të performojë në klubet parisiene të jazzit si pianist si dhe kompozitor e organizues i grupeve.
Në vitin 2011, këngëtarja nga Kameruni, Sandra Nkaké, i ofroi të bashkohej me formacionin e saj për turneun e albumit “Nothing for Granted”. Ata do të përfundonin duke mbajtur 120 koncerte në krejt botën dhe duke marrë një çmim në vitin 2012 në “Les Victoires de la Musique” (ekuivalenti francez i “Grammy Awards”) në kategorinë e jazzit (“Les Victoires du Jazz”).
Talenti i tij për improvizim dhe kompozim i ka hapur rrugë të punojë edhe me regjisorë filmash si Arnaud, Michel Gondry e Olivier Jahan. Armel Dupas ka një tjetër solo-album të publikuar në gusht të 2015-s të quajtur “Upriver” në stil elektroakustik.
Ka qenë hera e tretë për të në Prishtinë, si një eksplorim i muzikës së tij që rastësisht ka ngjarë të jetë çdo gjashtë vjet për publikun vendor. Të tri ngjarjet kanë qenë të organizuara nga festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”.
“Armel Dupas është një pianist që e ka një histori ndoshta 12-vjeçare të lidhjes me festivalin ‘DAM’. Për herë të parë ka qenë këtu në vitin 2012, është kthyer më 2018-n dhe tash sivjet. Jo se e kemi planifikuar që ai do të kthehet çdo gjashtë vjet, por kështu ka ndodhur. Më vjen mirë që këtë herë kemi pasur mundësi të prezantojmë projektin e tij të fundit ‘Open Borders’ në vitin kur të gjithë qytetarët kanë mundësi të lëvizin pak më shumë, por në të njëjtën kohë të prezantojmë një instrument të veçantë”, ka thënë drejtori artistik i festivalit “DAM”, Dardan Selimaj.
Sipas tij, është një version i ri i koncertimit nga ai çfarë zakonisht ngjan në organizime të tilla, më i lirë dhe më intim.
“Është një formë e realizimit të koncertit që janë më intime, por që besoj se njerëzit e kanë dëshmuar me reagimin e tyre se nganjëherë ndoshta duhet të dalim prej formatit të zakonshëm të koncerteve dhe të provojmë një tjetër eksperiencë koncertale që si festival që kemi tentuar ta promovojmë edhe në raste të tjera. Besoj se do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen”, ka thënë Selimaj.
Koncerti në qendrën “Barabar” ka qenë si paralajmërim i edicionit të 19-të që sivjet e zhvillon edicionin e 19-të prej 18 deri më 22 shtator.
Tingujt e pianos së Armel Dupas kanë jehuar edhe për paqe në të njëjtën hapësirë ku kanë qenë gjithandej imazhet e luftës nga ekspozita “Ukraina: Një krim lufte”.
Pianisti e kompozitori Dupas ka thirrur për paqe nëpërmjet veprës “Peace on earth”. Është shprehur se nganjëherë ndien se duhet të bëjë diçka në këtë drejtim, por e vetmja mënyrë që mund të marrë hapa është zbërthimi i aktivizmit të tij nëpërmjet muzikës.
“Home together and happy” ka qenë një lloj rikujtese për momentet e izolimit nga pandemia, kur pianisti kalonte kohën duke bërë muzikë në stil të lirë. E ka konsideruar homazh për koncertet në shtëpi. Ndërsa “Sorry if I hurt you” ka përcjellë mesazhet për të falur. Ftesë për të falur fillimisht veten, të tjerët, e krejt në fund për të harruar. Për ta larguar barrën e për ta përqafuar paqen me vetveten dhe të tjerët. Ky është edhe tranzicioni në vepër.
Dupas ka luajtur edhe veprat “Les signes”, “The cat and the moon”, “We are the millennials” dhe “Piano joyeux”.
“Open Borders” ka qenë evidencë e fuqisë së instrumentit për të ilustruar harmoninë e nostalgjinë, momentet e bukura e ato të hidhura. Armel Dupas me ansambël tingujsh ka zgjuar kujtime dhe i ka fuqizuar ato.