Kulturë

“Okarina” i kthehet Kosovës me mbijetesën përballë pasojave të luftës

Skenë nga filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës nën regji të Alban Zogjanit. Në foto: Jehon Gorani në rolin e Shaqës

Skenë nga filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës nën regji të Alban Zogjanit. Në foto: Jehon Gorani në rolin e Shaqës

Ka arritur deri në Indi, ku u dha premiera botërore, ka shëtitur nëpër festivale gjithandej, e tek tash “Okarina” nën regji të Alban Zogjanit ka ardhur në vendin e vet. Është një rrëfim që zanafillën e ka te një histori e vërtetë në Mitrovicën e Veriut: një çift e mbijeton luftën, por emigrimi shndërrohet në një luftë për mbijetesë përballë humbjes së identitetit, moralit e telasheve familjare. Titulli kapërthehet në vetëm një skenë, dhe tingujt e instrumentit neolitik, e audiencën e huaj e prek me gjuhën universale

Vorbulla tunduese e jetës, e cila shpesh pa ndonjë paralajmërim merr gjithçka që i del përpara, shkakton ndryshime e ballafaqime të reja të cilat i sprovojnë individët në tërë kapacitetin e durimit e pathyeshmërisë së tyre. 

Para një sprove të tillë vihen edhe Shaqa (Jehon Gorani) dhe Selvija (Shengyl Ismajli), protagonistët e filmit “Okarina” të regjisorit kosovar Alban Zogjani. Bëhet fjalë për një çift nga Kosova, i cili pas luftës e gjen veten si emigrant në Angli. Por aty, ata vihen në një qorrsokak i cili u vjen si ballafaqim i rëndë tek i shpie në një përsiatje e cila si përfundim i vendos para një pirgu kërcënues zhvillimesh që bëhet shkak i humbjes së paqes. 

Me “Okarina” regjisori Zogjani debuton në film të metrazhit të gjatë. E pikërisht me të ai kontribuon në kinematografinë kosovare me një trajtim jo fort të shpeshtë të temës së luftës. Në këtë rast ai preokupohet me pasojat e saj dhe lëngimin e vazhdueshëm të atyre që janë prekur prej saj. 

Pas premierës botërore nëntorin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Goa të Indisë, “Okarina” me skenar të Albana Mujës erdhi në Prishtinë në kuadër të programit të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Numër i madh i të pranishmëve, audiencë e përbërë nga adhuruesit e filmit, kolegët e miqtë e regjisorit vërshuan “Kino Armatën” të mërkurën pasdite, plot entuziazëm për të parë filmin. Ajo me çka u përballën ata që në fillim të filmit ishte narracioni me ngjyrime krejt minimale si në personazhe ngjashëm dhe në aspektet e tjera. Është një lëvizje regjisoriale e cila qartëson idenë e regjisorit për ta shndërruar këtë film në një të tillë i cili rezonon me audienca ndërkombëtare, përtej faktit që nis nga një histori lokale, ajo e një familjeje nga Mitrovica e Veriut që kërkon një jetë më të mirë në Perëndim. Titulli i filmit zbërthehet në një skenë: Shaqa gdhend gjësende prej druri, së bijës së tij ia bën dhuratë një okarinë prej druri, dhe rrëfimi i titullit këtu nis e përfundon, pa ndonjë metaforë a lidhje tjetër, pos jehonës së tingullit të saj, herë pas here. 
I inspiruar nga një histori e vërtetë, historia e Shaqës dhe e Selvijes nga regjisori Zogjani zbërthehet si rrëfim për rëndësinë e komunikimit brenda kornizave të një familjeje, ani pse zhvillimet prekin edhe subjekte të jashtme. 

“Momenti kur e kam lexuar skenarin, për mua ka qene një ndjenjë e cila me ka mbajtur në emocione deri sonte, këtu në shfaqjen e tij. ‘Okarina’ e qet në pah gjendjen emocionale të një familjeje kur elementet rrethanore të cilat kanë ndërtuar rrjedhën e jetës së saj prekin dhe moralin e një familjeje”, është shprehur regjisori në një prononcim për KOHËN. 

I lindur në Prishtinë, Alban Zogjani është themelues i kompanisë së shërbimeve grafike “ASHA” dhe ka studiuar për dizajn grafik dhe regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Filmi i tij i parë i shkurtër është “Dear Nita” i vitit 2015, i cili u shpërblye në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Barcelonë. Si producent vazhdoi rrugëtimin e tij kinematografik edhe me filmin “Eho” të Dren Zherkës, i cili kishte fituar çmimin “Silver Zenith” në kategorinë e debutuesve në “Montreal World Film Festival”. “The Last Battle”, “Three”, “Beyond Our Mountains”, “Silent”, janë katër filmat e tjerë të shkurtër në të cilët Zogjani ka kontribuuar si producent.

Planet e çiftit për një të ardhme në një vend më të mirë dhe afër të bijave Sarandës (Rina Krasniqi) dhe Vjosës (Flaka Latifi) shkatërrohen, kur nga Zyra e Emigracionit ata njoftohen se ripërtëritja e lejes së qëndrimit u refuzohet. Zhgënjimi nga një plan i dështuar i sfidon ata duke i vënë në pyetje vlerat e tyre morale, të cilat shpien në pasoja të paparashikuara për të gjithë familjen. Kjo atmosferë e ngjeshur me dramaticitet që mban intensitetin e tensionit thyhet me disa intervenime në stile të ndryshme më të relaksuara që vijnë në formë replikash nga çifti, shpesh me doza të komikes. Filmi është i xhiruar i tëri në Kosovë, ani pse ai zhvillohet në Angli. Parku i Gërmisë e disa lagje private në kryeqytet janë zgjidhja e ekipit të filmit për ta bërë atë sa më të vërtetë. Mbase kjo e fundit vlen vetëm për audiencën e huaj. Në film nuk mungojnë as skenat të cilat ngrenë pikëpyetje, nga ato që e kontestojnë përfshirjen e tyre në film. Mbi të gjitha, loja e aktorëve sjell ndjeshmërinë e narracionit ani pse tendosja dhe stisja janë lehtë të lexueshme. 

Ajo çfarë meriton vëmendje është pozicionimi i kryefamiljarit, Shaqës, të luajtur nga Jehon Gorani. Personazhi i tij paraqitet në pamje të parë si i mugët, i ngarkuar me rëndesat familjare me të cilat duarkryq pret t’i zgjidhë nën trysninë e mendësisë së shoqërisë prej nga vjen. Është trysni e cila epilogun e tij, e njëherësh dhe të filmit e sjell me dramatizëm. 

Një tematikë e tillë e cila trajton tërthorazi disa elemente shënjuese të shoqërisë kosovare në të njëjtën kohë, ka potencialin të ndërkombëtarizojë tema të cilat dalin nga kontekste të veçanta.
Eya Lintermann, ekonomiste nga Gjermania e cila spontanisht u gjend në premierën e filmit “Okarina”, e ka vlerësuar filmin si hyrje të mirë në historinë dhe kuptimin e kontekstit kulturor të Kosovës. 
“Ne sapo kemi ardhur këtu ne Kosovë, na intereson shumë kultura dhe historia e Kosovës dhe mendojmë që ky film, tema e tij goditi në shenjë sa i përket kësaj. Është një përshtypje shumë e mirë për ne, e cila shtrihet dhe në kontekstin global. Ne kemi kriza nga luftërat, nga klima, edhe familja ime ka qenë e dëmtuar nga Lufta e Dytë Botërore në Poloni dhe të gjithë njerëzit ikin në Perëndim dhe tani më shumë se kurrë konflikti i Lindjes dhe Perëndimit po eksplodon dhe po depërton”, është shprehur ajo. 

Zhvillimi i filmit bëhet asisoj duke shtyrë dy subjektet kryesore të lidhin martesa me të huajt për të siguruar qëndrimin në Angli. Përderisa Selvija martesën e realizon më lehtë, Shaqa vihet para një debati të brendshëm i cili në ekran shfaqet me heshtjen e tij, e që në fund nuk konsiston në një vendim të prerë. E ky fat i cili është pjesë e latuar e historisë së njerëzimit duket të ketë rezonuar në nivel personal dhe me Antonio Falvon, bankierin nga Gjermania, i cili ishte i pranishëm në premierë. 
“Babai im ka qene italian dhe ai u martua me një grua gjermane, dhe gjithmonë ka dashur të kthehej në shtëpi. Por u bë vonë për të, ai u tjetërsua kulturalisht, nuk mund të adaptohej me kulturën italiane. Dhe pikërisht ky film, kjo histori më rikujtoi atë dhe faktin se sa universale mund të jenë përjetimet”, është shprehur ai. 

“Okarina” e Alban Zogjanit – i cili në “PriFest” është në garën e filmave të metrazhit të gjatë – nuk do të ndalet. Itinerari ndërkombëtar pritet të vazhdojë edhe me pesë shfaqje të filmit në muajin shtator. Ndërkaq “PriFesti” vazhdon deri të dielën, duke ndezur ekranet vazhdimisht me filma vendorë e të huaj.