Kulturë

Nxënësit e “Prenk Jakovës” pa objekt protestojnë, kryetari premton

Protesta e nxenesve te Prenk Jakoves

“Mysafirë të paftuar” në konferencë, ia ndërprenë kryetarit Përparim Ramës fjalën sa ishte duke u prezantuar projekti i ashtuquajtur “Prishtina Virtuale”. Nxënësit e “Prenk Jakovës” zunë hapësirat në “Kino Armata”, ku po mbahej konferenca me pankartat me mbishkrime të ndryshme. “Edhe sa me pritë?”, ka qenë njëra prej pyetjeve

Foto: Alban Bujari

Nëse historia shkollës së muzikës “Prenk Jakova” pa objekt të vetin do të ishte vepër muzikore, do të shquhej për fraza repetitive shumëvjeçare me premtime, gur themeltar a nisje punimesh për objekt të ri. Por të premten, në atë që është prezantuar si e “E ardhmja e Prishtinës, sot”, disa nxënës të “Prenk Jakovës” ia kanë “prishur muzikën” kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. “Cilin objekt e dëshironi?”, ka qenë pyetja e kryetarit Rama drejtuar nxënësve. Edhe protestën e ka shfrytëzuar në stilin e tij

“E ardhmja e Prishtinës, sot” ka qenë titulli i konferencës së destinuar për të prezantuar një seri projektesh të synuara, aso që janë proklamuar si punë njëvjeçare të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit. Por ka vite që e vetmja shkollë publike e muzikës, pret të ardhmen me objekt. 

Çerdhe nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit, ndërhyrje në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit, zgjidhje për problemet me komunikacionin e shumë të tjera, janë shpalosur te “E ardhmja...”, por jashtë këtij “rrëfimi” –  siç i referohet Komuna e Prishtinës këtij prezantimi – është fati i shkollës e ulët dhe e mesme e muzikës “Prenk Jakova”. Ani pse ka histori prej rreth tetë dekadash, kjo shkollë ende orvatet nëpër objekte të ndryshme, në mungesë të një adrese të sajën.  

Tash e tetë vjet, shkolla e muzikës ishte zhvendosur nga ish-objekti i shkollës së ekonomisë “Hoxhë Kadri Prishtina”, në një aneks të objektit të shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”. Edhe ky objekt është i papërshtatshëm për nevojat mësimore. 

“Projektin e kemi bërë, ka mbet vetëm me e shpronësu atë zonë dhe me e ndërtu shkollën”, ka thënë të premten e 7 qershorit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama (Foto: Alban Bujari) 

E pikërisht për mungesë objekti e premtime të papërmbushura, disa nxënës të kësaj shkolle kanë vendosur që të përballeshin me kryetarin Rama pikërisht në konferencën e së premtes. 

“Mysafirë të paftuar” në konferencë, ia ndërprenë Ramës fjalën sa ishte duke u prezantuar projekti i ashtuquajtur  “Prishtina Virtuale”.  Nxënësit  zunë hapësirat në “Kino Armata” ku po mbahej konferenca me pankartat me mbishkrime të ndryshme. “Edhe sa me pritë?”, “Kryeqyteti pa objekt të shkollës së muzikës”, “Deri kur me kushte minimale?”, ishin vetëm disa nga mesazhet që u thanë pa zë nga këta nxënës. 

“Cilin objekt e dëshironi?”, ka qenë pyetja e kryetarit Rama drejtuar nxënësve. Edhe protestën, e ka shfrytëzuar në stilin e tij. I ka ftuar nxënësit t’i bashkohen në skenë dhe ka thënë se plani për objekt të ri është gati. 

“’Prenk Jakova’ është një shkollë e talenteve të mrekullueshme, të gjithë mburremi me ta, 75 vjet pa objekt. E kemi këtë hapësirën tash ku është ‘Burger King’ në qendër të Prishtinës, afër pallatit të ‘Rilindjes’, e kemi bo projektin aty për shkollën ‘Prenk Jakova’. E kemi një pjese të përparshme aty që nëpërmjet Agjencisë së Privatizimit, ka disa objekte dhe jemi në negociatat me ta, që me ua ble e me i largu nga aty, me e ndërtu shkollën ‘Prenk Jakova’”, ka thënë Përparim Rama.

U ka kërkuar nxënësve që shumë shpejt të shkojnë dhe ta shohin projektin e shkollës në kabinetin e tij. 

“Projektin e kemi bërë, ka mbetë vetëm me e shpronësu atë zonë dhe me e ndërtu shkollën”, ka shtuari ai. 

Kryetarja e nxënësve të “Prenk Jakovës”, Rinea Vitija në një prononcim për KOHË-n, ka thënë se motivi kryesor i kësaj proteste simbolike ishte qe t’i rikthehej zëri fatit të kësaj shkolle. 

“Si kryetare e shkollës ‘Prenk Jakova’, së bashku me këshillin e nxënësve të kësaj shkolle kemi vendosur ta mbajmë një protestë për shkak të objektit tonë që nuk e kemi si shkollë,  jemi shkollë që kemi shumë talente, por pa përkrahje”, ka thënë Vitija.

Përgjigjja që u ka dhënë kryetari ka thënë se është shpresë që saga e objektit të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” të marrë fund në një të ardhme të afërt. “Jemi të lumtur që na u përgjigj kryetari dhe na dha shpresë për shkollën tonë, por ne vetëm presim që këto plane të menaxhohen dhe të fillohet puna konkrete”, ka shtuar ajo. 

Kjo iniciativë e këtyre nxënësve, për Jeta Dida-Bujarin, drejtoreshë e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” kishte qenë befasi. Ajo nuk kishte pasur njohuri se një protestë e tillë ishte organizuar. E kontaktuar nga KOHA, ka thënë se e vlerëson nivelin e vetëdijes se këtyre nxënësve për të vokalizuar të drejtat e tyre në këtë mënyrë. 

“Janë sukseset e nxënësve ato që i kanë bërë ata që sot të ngrihen dhe të kërkojnë këtë objekt të merituar shkollor, në të cilin do të mund t’i zhvillonin aktivitetet e tyre në mënyrë më të dinjitetshme”, ka thënë Dida-Bujari.  

Në katalogun e njëvjeçarit punës së atij që quhet Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit thuhet se “E ardhmja e Prishtinës, sot” nuk është “vetëm një togfjalësh abstrakt në trajtën e një slogani, por është një pamje e qartë e qytetit të së ardhmes, pra e Prishtinës të se ardhmes, ashtu siç meriton të jetë kryeqendra e Republikës”.  Me shpresë se kjo punë nuk do të mbetet vetëm në margjinat e katalogut,  për shkollën “Prenk Jakova” nuk është hera e parë që ngrit zërin. Ndër vite, i është premtuar objekt përderisa nxënësit e stafi i shkollës disa herë kanë protestuar para institucioneve, edhe me muzikë, me atë që ia rrit namin vendit edhe jashtë vendit. E, në “katalogun” e premtimeve për objekt të “Prenk Jakovës” janë disa kapituj. Njëri prej tyre edhe ai i nëntorit të vitit 2012 kur objekti i shkollës “Prenk Jakova” sipas autoriteteve komunale, “nisi” të ndërtohej në “Breg të Diellit” përballë shkollës fillore “Ismail Qemali”. “Sivjet do të vazhdojmë me doemos me lokacionin dhe me fillimin e ndërtimit të shkollës, sepse nuk mund të presim më”, kishte dhënë në janarin e vitit 2016, kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kur shkollën e zhvendosur në objektin e “Ali Sokolit” do ta vizitonte tok me Arbërie Nagavcin, asokohe drejtoreshë e Arsimit, tash ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.