Për boshnjakët në Lubinjën e Epërme të Kosovës, ceremonia e dasmës përbën një art në vete.
Duke ruajtur një traditë shekullore, ngjarja dyditore është një festival muzike dhe vallëzimi për të shfaqur një nuse që shkëlqen me kostumin tradicional boshnjak.
Amerikania Melissa Guerrero ishte e mahnitur kur mori pjesë në një dasmë tradicionale në vizitën e saj të parë në Lubinjën e Epërme, afër qytetit të Prizrenit, në vitin 2013. Ajo kishte shkuar aty për ta takuar familjen e të dashurit të saj, që nga shkolla e mesme. Aq shumë i pëlqeu, saqë ajo nisi të ëndërronte që edhe vetë ta bënte një dasmë të tillë.
Javën e kaluar, 30-vjeçarja, Melissa, e realizoi këtë ëndërr. E veshur me kostum tradicional që nga koka te këmbët, fytyrë të ngjyrosur me të bardhë dhe me pika të kuqe, kaltra, ngjyrë ari dhe argjendi, ajo u martua me Melsid Redzepi, i cili vjen nga një familje boshnjake e Kosovës. Ai kishte qenë shtatë vjeç kur në Kosovë nisi lufta dhe familja e tij shkoi në Amerikë.
Ndërsa Melissa përgatitej për ceremoninë e dasmës, muzika e fortë e daulleve luante, ndërsa një grua e moshuar lyente fytyrën e saj, një proces që zgjat rreth dy orë, gjatë së cilës nusja nuk mund t’i hapë sytë, të flasë me askënd ose të hajë ose të pijë. Kuzhinierët që kishin therur një dem të madh përgatitën ushqim për qindra njerëz.
“Kur erdha për herë të parë më 2013, mora pjesë në një dasmë këtu dhe thashë se ajo ishte shumë e pasur dhe shumë e veçantë dhe ishte diçka që unë nuk e kisha parë asnjëherë ndokund në botë”, ka thënë Melissa, dizajnere grafike, e cila ka lindur në Meksikë para se familja e saj të migronte në Amerikë, kur ajo ishte 11 vjeç. Ajo e takoi për herë të parë Melsidin në shkollën fillore në Çikago.
“Të gjithë ato linja dhe ato ngjyra në fytyrën e nuses simbolizojnë lumturinë, dashurinë, respektin, harmoninë e kështu me radhë”, ka thënë Xhavit Rexhepi, një ish-profesor i biologjisë, i cili ka shkruar një libër mbi traditat lokale në këtë zonë. Megjithëse piktura dhe kostume të ngjashme të fytyrës, të cilat janë me origjinë pagane, mund të gjenden në komunitete të tjera, në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia, Rexhepi tha se dizajnet e fustaneve të nusërisë në fshatin e tij janë unike.
Arti që po vdes? Popullsia e Lubinjës është përgjysmuar nga rreth 3,000 banorë sa kishte 20 vjet më parë. Shumë prej tyre emigruan jashtë vendit. Korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar për dasma, pasi shumë njerëz të cilët vinë nga ky fshat, kthehen për ta vizituar atë. Kështu, në fshat për çdo ditë organizohet nga një dasmë e ndonjëherë edhe nga dy në ditë. "Nëse njëherë ke lindur këtu, nuk mund të ikësh më”, ka thënë Melsidi, dhëndri.
Megjithatë, çdo vit e më pak persona dëshirojnë të bëjnë një dasmë të tillë tradicionale. Tani ekziston vetëm një grua që di ta bëjë këtë lloj grimi.
Aziza Sefitagiq, e cila është në fund të 60-ave, është përpjekur t'ua mësojë artin e saj grave të tjera në fshat, por shumica e tyre kanë emigruar në vendet perëndimore. “Unë vetëm shpresoj se kjo traditë nuk do të vdesë me mua”, ka thënë Sefitagic, teksa pikturonte fytyrën e Melisës.