Kulturë

Nuhi Vinca kujtohet e nderohet si idealist në albanologji

Nuhi Vinca

Veprimtaria shkencore e profesor Nuhi Vincës, të cilit të enjten i është dhënë lamtumira e fundit, është cilësuar komplekse dhe si e tillë ka një cilësi të jashtëzakonshme. Me seriozitetin e mbledhësit dhe studiuesit të folklorit, talentin e poetit dhe pasionin prej mësimdhënësi, është përshkruar si një idealist i madh e kontributdhënës i dalluar në albanologji e poezi

Me një biografi që i ka përcjellë jo pak shqiptarë, të cilët përtej karrierës së tyre kishin për mision edhe edukimin e të rinjve pas Luftës së Dytë Botërore, studiuesi Nuhi Vinca nuk ishte ndalur përballë qëllimeve. Me shtatë dekada veprimtari prej mësimdhënësi, studiuesi e poeti, Vinca është vlerësuar si njeri me kontribut të madh në krejt këto fusha. Me seriozitetin e mbledhësit dhe studiuesit të folklorit, talentin e poetit dhe pasionin prej mësimdhënësi, Nuhi Vinca është përshkruar si një idealist i madh e kontributdhënës i dalluar në albanologji e poezi. 

Të mbledhur në sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, kolegë, miq e familjarë për gati një orë kanë kujtuar personalitetin e trashëgiminë e Vincës, i cili vdiq në moshën 92-vjeçare pasditen e së martës. Në komemoracion, të organizuar nga institucioni ku dha kontribut madhor, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Lulëzim Lajçi, ka thënë se veprimtaria shkencore e profesor Vincës është komplekse dhe si e tillë ka një cilësi të jashtëzakonshme. 

“Ai mbetet i veçantë në punën e tij me përkushtimin e posaçëm në trajtimin e shumë çështjeve në folkloristikë e gjithsesi edhe në gjuhën e rrjedhshme dhe stilin e tij origjinal. Ai me punën e vet të pandërprerë shkencore afirmoi Institutin Albanologjik në fushën e folkloristikës kombëtare dhe asaj ndërkombëtare”, ka thënë ai. Sipas Lajçit, në saje të punës dhe falë aftësive shkencore, duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze etikës shkencore për vlerat e mirëfillta, profesor Vinca në Institutin Albanologjik u nderua në vitin 2009 me mirënjohje për kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e albanologjisë. 

“Vdekja e tij, pos një humbje e madhe për familjen, po ashtu lë një zbrazëti të veçantë në fushën e folkloristikës dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi. Ai ishte dhe mbetet një autoritet në këtë fushë, përkrah figurave të shquara në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë midis të tjerash Lajçi. 

Anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Halimi, ka thënë se me vdekjen e Vincës familjarët, kolegët e miqtë ndahen nga intelektuali serioz e dinjitoz, poeti i shquar e i adhuruar, mjeshtri i fjalës e i penës, nga folkloristi e studiuesi, “krijuesi i vyer dhe i rryer, kreativ e komunikativ, i cili shkroi vepra të shumta vëllimore dhe cilësore me vlera të larta letrare e shkencore”.

“Ai shkroi me elokuencë e stil të rrjedhshëm dhe muzikal. Frymëzimet e tij poetike i shprehu në mënyrë të mrekullueshme hyjnore me ndjesinë më të besueshme njerëzore, me gëzim e dashuri”, ka thënë Halimi. Sipas tij, faktet qoftë shkencore, qoftë poetike Vinca i shprehu me fjalën e bukur artistike dhe të vërtetën historike. 

“E kur e vërteta shkencore, letrare ose poetike thuhet bukur, ajo ka fuqi të madhe eseistike dhe kultivon objektivitetin dhe dashurinë në mënyrë jo vetëm burimore, por edhe shkencore. Duke mbjellë këtë mjeshtëri e dashuri, profesor Vinca fitoi besimin te lexuesit e tij, besim ky që ishte pasuria dhe vlera më e madhe e shkencëtarit dhe shkrimtarit”, ka thënë Halimi. 

Të pranishmëve që kanë mbushur sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinës u është drejtuar kolegu i Vincës në Institut, folkloristi Adem Zejnullahu. Ka thënë se me veprat e Vincës mund të merret brezi i ri i studiuesve nga fusha e folklorit, gjuhës dhe etnografisë. Ka kujtuar se gjithnjë nga dy herë në vit kanë dalë në terren. 

“Në kushte mjaft të vështira, por me vullnet të madh që të vjelim thesarin e çmuar popullor. Nuhiu ishte mjaft i shkathët në mesin e informatorëve duke i provokuar dhe ata flisnin. Ato materiale i kemi botuar në botime të ndryshme të Institutit”, ka thënë Zejnullahu.  Ka shtuar se pos mbledhës i materialeve folklorike, Vinca ishte edhe një studiues i zellshëm i tyre. 

“Ai rrallë bënte analiza informative, por analitike, për çështje dhe probleme që merrte në shqyrtim”, ka thënë ai. 

Veprimtaria e Vincës do të niste herët. U lind më 11 nëntor të vitit 1931 në Veleshtë të Strugës, ku kreu shkollën fillore, të mesmen në Shkup, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1969. Po në këtë fakultet kreu edhe studimet pasuniversitare dhe mbrojti disertacionin e doktoratës më 1986.

Sipas biografisë në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës” botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, profesor Vinca punoi si mësues dhe mësimdhënës në Strugë, në Kaçanik dhe në Ferizaj. 
“Më 1977 u bë punëtor shkencor në Degën e Folkloristikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës deri më 1991. Ka mbledhur materiale të vlefshme folklorike si në vendlindjen e tij, ashtu edhe në shumë vise të tjera në Kosovë dhe në Maqedoni”, shkruhet në biografi. Po aty shkruhet se ai mori pjesë me kumtesa në shumë tubime shkencore. Nga folkloristika ka botuar veprat monografike: “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (1989), “Lirika popullore shqiptare e dashurisë në regjionin e Strugës” (1992) dhe përmbledhjen e artikujve studimorë “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” (1996), pastaj “Fabula të zgjedhura” (2001), “Antologji e lirikës popullore shqiptare gjithëkombëtare” (2004) e të tjera. Botoi edhe një sërë përmbledhjesh me vjersha dhe poema për të rritur dhe fëmijë (“Dallgë jugu”, 1967). Përktheu në gjuhën shqipe disa vepra të letërsisë maqedonase, polake, kroate, serbe e të tjera. Por, lista e librave që mbajnë emrin e tij është e gjatë. 

Shkrimet e Vincës ishin rrëmbyer nga magjia e artit poetik qysh në fillimet e tij, kur do të botonte shkrime për fëmijë e të rritur në revistën “Pionieri’, në faqet për fëmijë të “Rilindjes”, si dhe në revistat “Gëzimi” e “Fatosi”. Por, jehona e atyre shkrimeve do të shkonte edhe përtej vendlindjes së tij e në tërë trevat shqiptare. Kontributin do ta niste duke punuar në arsimin fillor,  pastaj do të angazhohej dhe në Gjimnazin e Strugës që nga dita e parë e hapjes (1 shtator 1960) si profesor i parë i atij gjimnazi për nëntë vjet, ku më pas do të largohej nga pushteti despotik i kohës në Maqedoni. Kështu do të niste kalvari i përndjekjes politike të Vincës, do të cenohej nga e drejta e lëvizjes jashtë ish-Jugosllavisë e deri te ushtrimi i profesionit. Por, veprimtaria e tij strehim do të gjente matanë kufirit, në Kosovë, me ftesën e kolegëve të tij. 

Kështu Vinca do të niste veprimtarinë e tij edhe në Kosovë si mësimdhënës në qytetet si Kaçaniku e Ferizaj. “Këngë të ndryshme popullore” (në pesë pjesë) 1982, “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (monografi) 1989, “Lirika popullore shqiptare në regjionin e Strugës” (monografi) 1992, “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” (studime dhe artikuj) 1996, “Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë” (antologji) 2001, “Antologji e lirikës popullore shqiptare” (antologji) 2004, “Poetika e lirikës gojore strugane” (studim monografik) 2006, “Poetika e lirikës popullore shqiptare” (studim monografik) 2007, “Vështrime për krijimtarinë gojore e të shkruar” (vështrime shkencore) 2013, si dhe “Për lirikën gojore erotike si teori dhe ballkanike në veçanti” në vitin 2020, janë disa nga veprat e tij shkencore në shërbim të folkloristikës shqiptare.  

Me krejt telashet, Vinca nuk ishte ndalur dhe idealizmin e tij mundohej ta trashëgonte te pasardhësit. 
“E falënderoj babanë tim që përveç poezive dhe veprave që na la, na mësoi ta duam jetën, të besojmë tek e vërteta, tek e drejta, të luftojmë çdo ditë dhe ta shijojmë jetën sado që mundemi. Kjo ishte poezia e tij brenda mureve të shtëpisë dhe kënga e tij që kurrë nuk iu nda”, ka thënë e bija e Nuhi Vincës, aktorja e profesoresha universitare, Ilire Vinca, e cila e ka përmbyllur  komemoracionin duke interpretuar poezi të të atit.