Pesë vjet e gjysmë pas zjarrit katastrofik, simboli shekullor i Parisit, Katedralja “Notre Dame” është gati për t’i rihapur dyert për vizitorët. Ka qenë presidenti francez Emmanuel Macron që e ka vizituar atë një javë para hapjes zyrtare më 7 dhjetor. Restaurimi kushtoi rreth 700 milionë euro. Rreth dy mijë gra e burra punuan ditë e natë për ta ringjallur ikonën 800-vjeçare
Botës më në fund i janë hapur dyert e të famshmes “Notre Dame” të Parisit, kur presidenti francez Emmanuel Macron, i shoqëruar nga kamerat televizive, vizitoi katedralen dhe dha lajmin për rihapjen e saj
Pesë vjet e gjysmë pasi u dëmtua nga një zjarr i madh, kjo perlë e arkitekturës gotike u restaurua, u rinovua dhe u zbukurua, kështu që vizitorëve në të ardhmen do t’u ofrojë pamje që lënë pa frymë.
Macroni vizitoi Katedralen bashkë me gruan e tij Brigitte dhe kryepeshkopin e Parisit, Laurent Ulrich, duke nisur një seri ceremonish që do të përfundojnë me hapjen zyrtare më 7 dhjetor, pasuar prej një meshe një ditë më vonë.
“Është sublime”, ka thënë presidenti francez gjatë vizitës së tij, të premten.
Pasi iu prezantuan punimet, të cilat kushtuan rreth 700 milionë euro, që përfshinin zëvendësimin e trarëve të mëdhenj të çatisë mesjetare që u shkatërruan nga zjarri, Macron falënderoi ata që punuan për rindërtimin, si dhe zjarrfikësit që e shpëtuan nga shkatërrimi i plotë.
Rreth dy mijë gra e burra punuan ditë e natë këtu dhe u përfshinë në historinë 800-vjeçare të Katedrales, citohet të ketë thënë ai.

Vështrimi i Macronit u ndal më gjatë tek organoja e restauruar, e që është më e madhja në Francë.
Ishte qershia mbi tortë e krejt restaurimit dhe i është thënë se pa të, ky rinovim nuk do të ishte i plotë.
Ekipi i restaurimit e dinte se do t’i duheshin vite për të restauruar organon, sepse ka tetë mijë tuba. Tubat u pastruan në tri punishte të ndryshme në jug të Francës dhe disa pjesë të organos u zëvendësuan.
Restaurimi i pjesës së brendshme të “Notre Dame-it” u mbajt fshehtësi dhe gjatë punimeve disavjeçare u publikuan vetëm disa fotografi që ilustronin rrjedhën e punimeve.
Por ata që kanë qenë në Katedrale së fundmi kanë thënë se përvoja është frymëzuese, se ndërtesa ka marrë një dritë të re dhe vija të qarta, ndryshe nga errësira e mëparshme që mbulonte brendësinë e ndërtesës së famshme.
“Fjala që e përshkruan më së miri tani është ‘shkëlqim’”, ka thënë një burim i BBC-së nga Pallati Elysée, i cili ishte i përfshirë në restaurim.
“Vizitorët do ta shohin shkëlqimin e gurit me bardhësi të përsosur, gjë që nuk është parë në Katedrale ndoshta për shekuj të tërë”, ka shtuar ky burim.
Më 15 prill të vitit 2019, “Notre Dame” mori flakë dhe shikuesit në mbarë botën e përcollën prej ekraneve televizive në lidhje direkte e kulmi ishte shembja e kullës së shekullit të 19-të.
Në atë kohë po rinovohej pjesa e jashtme e objektit. Gjendja ishte brengosëse edhe para zjarrit.
Ka pasur disa teori se çfarë e shkaktoi zjarrin – disa besojnë se cigarja e njërit prej punëtorëve e shkaktoi krejt këtë, të tjerë thonë se ka pasur një problem me instalimet elektrike.

Rreth 600 zjarrfikës u përfshinë në shuarjen e zjarrit për 15 orë kur jo pak frikësoheshin se tetë kambana të mëdha do të binin nga kulla veriore e “Notre Dame-it”, gjë që mund të shkaktonte edhe shembjen e vetë kullës.
Kulla mbijetoi, pirgu prej druri u shkatërrua tok me trarët në çati dhe qemeri prej guri mbi altarin qendror, por ende shumë gjëra mbijetuan.
Pas zjarrit, Macroni premtoi se Katedralja do të rihapej pas pesë vjetësh. Të shumtë ishin ata që menduan se kjo ishte tepër ambicioze.
U krijua një organ për të menaxhuar rindërtimin dhe fondet e kërkuara u ndanë menjëherë. U grumbulluan gjithsej 846 milionë euro, kryesisht nga donatorë të mëdhenj, por edhe qindra mijëra dhurues shumash më të vogla.
Rreth dy mijë muratorë, mjeshtër çatish, marangozë, restaurues, ekspertë arti, skulptorë dhe inxhinierë, punuan për realizimin e këtij projekti.
Shumë sipërmarrës, si gurgdhendësit, kanë fituar më shumë klientë për shkak të popullaritetit.
“Kjo për ne ishte si një ekspozitë botërore, në kuptimin që ishte një mundësi për ta dëshmuar punën tonë. Një dritare e shkëlqyer ndërkombëtare për ne”, ka thënë Pascal Payen-Appenzeller, shoqata e të cilit ruan mënyrat tradicionale të ndërtimit.

Ka pasur propozime të ndryshme për pamjen e re të “Notre Dame-it”: nga ata që besonin se pamja origjinale e ndërtesës mesjetare dhe ndryshimet që ajo pësoi në shekullin e 19-të duhet të restauroheshin me besnikëri deri tek ata që besonin se kjo ishte një mundësi për t’i dhënë Katedrales një vulë moderne.
Disa ide ishin të pazakonta, të tilla si vendosja e një çatie prej xhami ose një çatie ekologjike të gjelbër, zëvendësimi i kullës me një flakë të madhe ose instalimi i laserëve.
Megjithatë, këto propozime u refuzuan dhe rindërtimi i dha Katedrales një pamje të ngjashme me origjinalin, me përdorimin e disa materialeve moderne dhe respektimin e kushteve bashkëkohore të sigurisë.
Ende po debatohet propozimi i Macronit për të dekoruar me vitrazhe dritaret e mëdha që rrethojnë ndërtesën qendrore, gjë që kundërshtohet nga shumë njohës të artit në Francë.
Macroni u përpoq ta tematizonte e ta bënte simbolikë restaurimin e “Notre Dame-it” dhe mori pjesë në projekt sikurse edhe e vizitoi ndërtesën disa herë.
Përderisa pozicioni i tij politik aktualisht është ndoshta më i keqi qëkur ai u bë president për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet parlamentare në korrik, hapja e Katedrales mund t’ia japë shtysën e nevojshme.
Disa besojnë gjithashtu se vizita në Katedrale një javë para hapjes zyrtare është abuzim me vëmendjen e publikut, sepse fotot e shumëpritura të brendshme të “Notre Dame-it” u publikuan duke qenë ai në plan të parë.
Zyra e Presidentit është përgjigjur se Katedralja – si të gjitha objektet e tjera fetare – është në pronësi të shtetit dhe i është besuar për përdorim Kishës Katolike dhe se pa mobilizimin e shpejtë të Macronit, punimet nuk do të përfundonin kaq shpejt.
Marrë nga BBC-ja. Përktheu: KOHA