Akademia e Teatrit Norvegjez ka nisur inskenimin e “The Handke Project” e cila mbi të gjitha godet nobelistin austriak mohues të gjenocidit e mik të Sllobodan Millosheviqit. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt – e cila kur u dha në Paris shkundi edhe vetë shkrimtarin kur kërcënoi me padi – në versionin norvegjez ka edhe tjetër peshë për Akademinë, e cila po i jep fund misionit. Pikërisht shkaqet të cilat çuan në mbylljen e saj vijnë si plotësime në këtë version. “Kam bërë disa ndryshime e ndërhyrje të vogla për të komentuar edhe mbi situatën politike në Norvegji, pas masave dramatike të shtetit (paradoksalisht, më të pasurit në botë), për të shkurtuar buxhetin për kulturë”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj
Prej premierës, në fillimqershorin e 2022-tës, “The Handke Project” e ka shëtitur rrëfimin e saj gjithandej nëpër Evropë. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt – që vjen si akuzë direkte ndaj nobelistit mohues të gjenocidit, Peter Handke dhe që ka nxitur reagime të shumta deri te vetë shkrimtari austriak – i shfaqet edhe publikut në Norvegji. Si produksion i Akademisë së Teatrit Norvegjez, shfaqja do të jetë jo vetëm test për tematikën e shfaqjes tek audienca nordike, por edhe për studentët në fazën finale akademike, të Akademisë që po shuhet. Shfaqja është në proces përgatitjeje për premierën e 15 marsit në qytetin Frederikstad. Ajo i flet edhe situatës në Norvegji që ka goditur kulturën duke zvogëluar buxhetin.
Në Itali, Gjermani, Francë, e deri në rajon, madje edhe në Serbi, shfaqja ka zhveshur nobelistin austriak e ka bërë thirrje që ai bashkë me Millosheviqin dhe krejt fashistët e tjerë të shkojnë në djall. U çua goxha pluhur kur u dha në Beograd në qershorin e vitit 2022, por kur arriti në Paris në nëntorin e vjetëm, zgjoi edhe vetë Peter Handken, i cili nëpërmjet avokatit të tij do ta kërcënonte me masa ligjore teatrin ku u dha shfaqja.
Në versionin norvegjez, “The Handke Project” ka disa plotësime. Fillimisht do të jepet në qytetin njëqind kilometra në jug të kryeqytetit, Oslos. Frederikstad është një nga dhjetë komunat më të mëdha të shtetit, sa i përket popullsisë.
Atje, siç ka bërë ditur dramaturgu Jeton Neziraj, tash e tri javë regjisorja Blerta Neziraj është duke punuar me studentët e Akademisë për shfaqjen.
“Është produksion i ri i dramës ‘The Handke Project’. Aktorët janë pjesë e Akademisë Teatrore Norvegjeze (NTA) dhe kjo është shfaqje e tyre e diplomës. Aktorët vijnë nga vende të ndryshme të globit, duke përfshirë edhe nga Meksika, Pakistani, Finlanda, Suedia, Norvegjia e të tjerë. Gjithsej, janë 18 performues në skenë. Kjo llojllojshmëri e bën unik këtë produksion. Me ta është duke punuar Blerta, tash e rreth tri javë”, ka thënë Neziraj në përgjigjet me shkrim për KOHËN.
Pos premierës më 15 mars, shfaqja do të jepet edhe dy herë, më 16 dhe 17 mars në Akademinë e Teatrit Norvegjez. Kjo ngjarje është unike e historike për institucionin, pasi shënon edhe prodhimin e fundit.
“Akademia e Teatrit Norvegjez është krenare të prezantojë një performancë që shënon kulmin e historisë institucionale: prodhimi përfundimtar i drejtuar nga niveli Bachelor i prezantuar nga Akademia përpara mbylljes së saj. Studentët tanë aktualë në Bachelor në aktrim dhe Bachelor në skenografi, së bashku me Jeton Nezirajn dhe Blerta Nezirajn nga ‘Qendra Multimedia’, ju mirëpresin në ‘The Handke Project’”, shkruhet në njoftimin e Akademisë.
Aty bëhet e ditur se pas 30 vjetësh vizion, bordi i kolegjit universitar “Østfold” ku Akademia ka vepruar deri më tash, ka vendosur ta mbyllë këtë institucion edukativ. Kjo e fundit është duke përcjellë gjeneratën e fundit si dhe duke përfunduar e duke u dhënë fund projekteve. Shfaqja e fundit që e prodhon është “The Handke Project” me autor Jeton Nezirajn.
Neziraj ka thënë se shfaqja reflekton në gjendjen politike të kontinentit duke përmendur edhe përshtatjen e rrëfimit me vendin ku shfaqet kësaj here.
“Konsideroj që ‘The Handke Project’ si post-dramë, reflekton mirë atmosferën politike në të cilën ndodhemi, me fuqizimin e lëvizjeve populliste, të ekstremit të djathtë dhe ardhjen në pushtet të një kaste të re autokratësh në Evropë e përtej. Por unë kam bërë disa ndryshime e ndërhyrje të vogla për të komentuar edhe mbi situatën politike në Norvegji, pas masave dramatike të shtetit (paradoksalisht, më të pasurit në botë), për të shkurtuar buxhetin për kulturë”, ka bërë të ditur Neziraj.
Si rrjedhojë, shfaqja tashmë korrespondon edhe me gjendjen e Akademisë.
“Mbyllja është pjesë e atyre shkurtimeve drastike buxhetore ne Norvegji. Dhe prandaj, duke qenë pjesë e kësaj historie, ‘The Handke Project’ ka marrë edhe më tepër peshë. Prandaj, interesimi për shfaqjen është tepër i madh”, është shprehur Neziraj.
Shfaqja jepet në gjuhën angleze, me titra në gjuhën norvegjeze. Derisa po vijojnë përgatitjet për inskenim, Neziraj e konsideron të rëndësishme shfaqjen jo vetëm për suksesin që do të tregojnë në shkathtësitë e tyre për aktrim, por edhe për njohjen e temës së saj.
“Përgatitjet kanë nisur qysh më 27 janar. Blerta po punon intensivisht dhe duket se procesi po ecën mirë për momentin. Natyrisht, studentët do të diplomojnë me këtë shfaqje, dhe prandaj, për ta edhe vetë procesi është i rëndësishëm. Në anën tjetër, ata janë konfrontuar me një temë për të cilën kanë pasur pak njohuri. Unë isha në dy javët e para dhe punova me ta në tekst, dhe mund ta them që për ta por edhe për mua, ky ka qenë një proces iluminues“, është shprehur dramaturgu Jeton Neziraj.
KOHA, pas premierës së “The Handke Project” në Prishtinë, kishte shkruar se nëpërmjet saj, një grup artistësh e kanë zhveshur shkrimtarin austriak në skenën e teatrit “Oda”. Kasta e aktorëve ishte e përbërë nga Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha që preknin detaje të hipokrizisë së Handkes e të krejt kontinentit evropian, deri te Akademia e Nobelit.
“Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në masën që Handke i ndryshon edhe situatat, që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij Nermin të zbresë nga kodrina ‘pasi është i sigurt me serbët’”, shkruante KOHA për “The Handke Project”.
Studentët në drejtimin e aktrimit dhe skenografisë në Akademinë Teatrore Norvegjeze do të jenë protagonistët e shfaqjes. Rrëfimi përcillet nga aktorët e rinj: Adam Manthey Steen, Anna Jane Utermøhl Lund, Diego Valdes Hernandez, Ellen Krogh Skjølstrup, Elmeri Kunnas, Faheel Saud, Ingrid Bruland Dallakih, Hjelltanad Óluva Tvørfoss, Silje Joner Ognedal, Simon Skytte Petersen, Toivo Ty Terjesen dhe William Wittrup Fock.
Ndërsa shkathtësitë në skenografi me projektin “The Handke Project” i shpërfaqin Harry Osborn Wiström, Johan Oskar Rasmussen Sterner, Leila Tóth dhe Milla Anna Ingrid Berglund Magndahl.
Po ky produksion i shfaqjes nga Akademia e Teatrit Norvegjez do të zhvendoset në Oslo, në Festivalin e Teatrit që mbahet prej 13 deri më 29 mars.
“Premiera do të jetë më 15 mars në Akademinë Norvegjeze të Teatrit, e pas disa reprizave aty, shfaqja do të transferohet në Oslo, ku do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo (Oslo Internasjonale Teaterfestival). Aty do të shfaqet në datat 22 dhe 23 mars”, ka bërë të ditur Neziraj.
Siç ka treguar, në këtë festival do të prezantohet edhe shfaqja “Negotiationg Peace” si dhe leximi skenik i krijimtarisë së Eli Krasniqit.
“Është me rëndësi të thuhet se në këtë festival, pos ‘The Handke Project’, ne do ta prezantojmë edhe shfaqjen ‘Negotiating Peace’, po ashtu produksion i ‘Qendrës Multimedia’. ‘Negotiating Peace’ do të shfaqet me 20 dhe 21 mars. ‘Oslo Internasjonale Teaterfestival’ është festivali më i rëndësishëm i teatrit në Norvegji. Dhe përpos këtyre dy shfaqjeve, do të ketë edhe disa panele, përfshirë edhe leximin skenik të dramës ‘Citycide’ të Eli Krasniqit”, ka thënë Neziraj.