Kulturë

“Njeriu me armë” në tinguj e 1999-s jehon në çerekshekull si kujtim e festë

Kompozitori

Kompozitori uellsian, Karl Jenkins, mjeshtërisht ka konceptuar veprën ku lufta deshifrohet prej egoizmit të sëmurë e deri te përballja me viktima ku domosdoshmërisht duhet të vijnë thirrjet për paqe. Krejt kjo merr tjetër kuptim në sheshin qendror të Prishtinës. Përballë është audienca që luftën e viktimat i ka të freskëta. I ka përjetuar para 25 vjetësh. Fillimi i koncertit të Filharmonisë së Kosovës, të shtunën mbrëma, qe krejt i veçantë për disa arsye (Foto: Enes Sahiti)

Ka qenë viti 1999 kur kompozitori i shquar Karl Jenkins, nën ushtimën e bombave e imazheve të masakrimit të shqiptarëve në Kosovë, do t’i rrekej kompozimit të “Njeriut me armë: Meshë për paqe”, interpretimi i së cilës ka pushtuar sheshin e Prishtinës në çerekshekullin e çlirimit, me po të njëjtën fuqi e jehonë anekënd botës ku është dëgjuar tre mijë herë. Rikthimi i saj në vendin që i dedikohet –  me koncertin e së shtunës mbrëma të Filharmonisë së Kosovës –  merr tjetër fuqi. Kthen zërat e luftës, po mbi të gjitha thirrjen për paqe, për të cilën bota – sikurse atëherë kur u shkrua – ka nevojë edhe tash

Marshimi i anëtarëve të Korit prapa instrumentistëve nuk i lë gjë mangët një parade ushtarake. E ofron atë ndjesi duke stimuluar krenari në audiencë.  Marshimet ushtarake e demonstrimi i forcës e kanë këtë veti. Pa krenari ose aso krenarie të pakarar, ku një grup a popull rrëmbehet nga egoizmi i tepërt, nuk niset luftë. “Njeriu me armë”, si kohë e parë e veprës që bart këtë titull, me nëntitullin “Meshë për paqe” është veç intro e një prej veprave bashkëkohore më prezente në skenat e botës. Kompozitori uellsian, Karl Jenkins, mjeshtërisht ka konceptuar veprën ku lufta deshifrohet prej egoizmit të sëmurë e deri te përballja me viktima ku domosdoshmërisht duhet të vijnë thirrjet për paqe.

Rikthimi i veçantë 25 vjet pas kompozimit

Krejt kjo merr tjetër kuptim në sheshin qendror të Prishtinës. Përballë është audienca që luftën e viktimat i ka të freskëta. I ka përjetuar para 25 vjetësh. Fillimi i koncertit të Filharmonisë së Kosovës, të shtunën mbrëma, qe krejt i veçantë për disa arsye. Vendi, përmbajtja e veprës dhe koha kur është luajtur janë trinomi më i fuqishëm që rrallëherë mund të jetë kaq përmbajtjesor.

Tingujt e marshit ushtarak i hapin rrugë Ezanit. Jenkins më 1999 e kishte shkruar veprën e cila ishte porositur nga Muzeu Mbretëror i Armatimit në Mbretërinë e Bashkuar me rastin e festimeve të Mileniumit. Ia kishte dedikuar viktimave të Kosovës. E bazuar në meshën katolike, të cilën Jenkins e gërsheton me burime të tjera, kryesisht me këngën folklorike të shekullit XV, “Njeriu me armë” futet thellë në tragjedi. “The Call to Prayers” (Ezani), interpretuar nga Liridon Sadriu, vjen si pjesë e dytë në veprën që përballjen me viktimat, pasojat e tjera të luftës e thirrjet për paqe i ka universale duke bashkuar popuj, raca e religjione.

Në qendër të Prishtinës me një pëllumb si simbol paqeje në prapavijë, mbi 200 veta në skenë i kanë “folur” publikut për luftë, i kanë rrëfyer për viktima, dhe këtë e kanë bërë me gjuhë universale. Atë të muzikës. Imazhet e vrazhda të viktimave në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 e kishin frymëzuar kompozitorin që të bënte një alamet vepre (Foto: Enes Sahiti)

“Kritikët” e çakorduar në rrjete sociale

Por në zallamahinë ballkanike, ku gjithsecili ngre pyetje për gjithçka, pa pikë durimi a hulumtimi përpara se për çka bëhet fjalë, ka shpërthyer diskutimi në rrjete sociale prej njerëzve që sodisin. Hipokrizia ka shkuar deri në nivelin sa pa qenë fare në koncert është aluduar se Filharmonia ka ndryshuar radhën e pjesëve të veprës duke nisur me “Ezanin”. Kapaku i kësaj hipokrizie qe, kur edhe prej atyre që ishin në koncert përkrahej ky aludim. E pjesa e parë ka hiç më pak se 6 minuta e 25 sekonda, përderisa e dyta, “Ezani”, pak mbi 2 minuta. Por vepra e Jenkinsit vlen edhe në raste të tilla. Është emancipuese duke prekur njeriun thellë në ndërgjegje. E natyrshme, nxjerr në pah edhe injorancë.

Jehona botërore  e veprës

Me interpretimin e Korit dhe të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me atë që quhet Kori i Operës së Kosovës – formacion i angazhuar me projekte – dhe Korin e Fakultetit të Artit në Pejë, vepra tejkalon ndjesitë e pamjeve në skenë e prapavijës me qiej të trazuar. Muzika e kombinuar me këngë shndërrohet në një dramë emocionale, që zor kush mund t’i shmanget.

Dirigjenti e kompozitori Baki Jashari e ka dirigjuar këtë vepër në premierën kosovare më 2015, në Paris katër vjet më vonë e po ashtu në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Jashari, i cili ka udhëhequr Filharmoninë për 18 vjet deri në prillin e sivjetmë, ka thënë se bëhet fjalë për një vepër madhështore (Foto: Enes Sahiti)

Ngadalë hyhet në luftë, përderisa viktimat janë në qendër. Krijohet atmosferë ku sidomos ata që kanë përjetuar luftën mund të tretën në kujtesë. Në një shesh si ai i Prishtinës përmasat janë të një niveli tjetër. Në kohën kur është shkruar vepra pakkush ka kaluar andej, përderisa masakrat në krejt Kosovën ishin në hovin më të tmerrshëm duke çuar mbi 10 mijë numrin e civilëve të vrarë.

Shpalosja e historisë së Kosovës në “Koncertin për paqen” qe bërë edhe në majin e vitit 2019 në kryeqendrën franceze në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Kisha e ushtarëve, që është pjesë e katedrales “Saint-Louis-des-Invalides” ishte nikoqire e Filharmonisë së Kosovës për të zbërthyer tragjedinë e luftës nëpërmjet një interpretimi të nivelit të lartë. Institucioni e kishte bërë duke dërguar mesazhe paqeje në emër të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe të shtunën  mbrëma.

Kohët e veprës njëra pas tjetrës janë kombinim që si art edhe ndjesi e kanë bërë për vete botën e muzikës klasike. “Njeriu me armë: Meshë për paqe” numëron mbi tre mijë interpretime, duke e bërë atë veprën vokalo-instrumentale të muzikës bashkëkohore ndër më të pranishmet në të katër anët e botës.

Simbolika antonime për luftë e paqe

 Si solistë, kësaj radhe ishin edhe sopranoja Adelina Paloja e baritoni Safet Berisha (Foto: Enes Sahiti)

Në qendër të Prishtinës me një pëllumb si simbol paqeje në prapavijë, mbi 200 veta në skenë i kanë “folur” publikut për luftë, i kanë rrëfyer për viktima dhe këtë e kanë bërë me gjuhë universale. Atë të muzikës. Imazhet e vrazhda të viktimave në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 e kishin frymëzuar kompozitorin që të bënte një alamet vepre.

Dirigjenti e kompozitor Baki Jashari e ka dirigjuar këtë vepër në premierën kosovare më 2015, në Paris katër vjet më vonë e po ashtu në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Jashari, i cili ka udhëhequr Filharmoninë për 18 vjet deri në prillin e sivjetmë, ka thënë se bëhet fjalë për një vepër madhështore.

“Vepër muzikore e përkryer e cila përmbledh më vete përkushtimin e autorit që në botë të mos ketë më luftëra. Andaj edhe mbyllet me thënien ‘Më mirë paqe se luftë’. E dimë që vepra është shkruar më 1999 gjatë bombardimeve të caqeve serbe. Pamjet e tmerrshme të luftës që ka përjetuar populli ynë i kanë lënë përshtypje të thella kompozitorit, i cili edhe në preambulën e partiturës shkruan: ‘Dedikuar viktimave të luftës në Kosovë’. Kjo vepër është shkruar për ne. Andaj ne e kemi marrë me shumë përkushtim”, ka thënë ai.  Sipas tij, sa herë e kanë këtë vepër në program, kanë emocione të veçanta, aq më tepër këtë vit kur shënohet 25-vjetori i çlirimit të Kosovës.

“Sa herë vendoset kjo vepër në program kërkon natyrisht angazhim të veçantë. nuk është e lehtë, ka shumë detaje”, thënë ai. 

Zërat e bashkuar me thirrje shprese

Si solistë, kësaj radhe ishin edhe sopranoja Adelina Paloja e baritoni Safet Berisha.

Paloja ka thënë se gjithnjë pret momentin e kthimit të kësaj vepre në repertor.

“E kam pasur një kënaqësi të jashtëzakonshme, një emocion shumë të thellë. Është ndër veprat që e ndiej më së shumti, sepse me të vërtetë është e lidhur direkt me atë që kemi kaluar si popull. Është zëri i gruas shqiptare, që është vetëflijuese historikisht, që gjendet në mes të humbjeve. Është vepër kolosale që ka koncept të jashtëzakonshëm, kontraste e dinamikë emocionale. Tregon diversitetin fetar te ne, me ezanin, pjesën kishtare e mandej ka pjesën krejt laike me tekst në gjuhën latine e angleze dhe tregon më së miri se si duke ndier vuajtjen kalojmë të shpresa e te paqja”, ka thënë ajo. Ka shtuar se së bashku kanë bërë thirrje për paqe në botë, sepse edhe tash ka popuj që kalojnë nëpër tmerret që përshkruan vepra.

Sivjet pjesë e formacionit koral ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikë në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Diplomati i karrierës është edhe bariton (Foto: Enes Sahiti)

Ambasadori i SHBA-së në kor

Sivjet pjesë e formacionit koral ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikë në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Diplomati i karrierës është edhe bariton.

“Nëse je këngëtar gjëja më e fuqishme që mund të bësh është të interpretosh në kor simfonik dhe është e vështirë të përshkruhet momenti magjik kur merr frymë për herë të parë dhe e dini se qindra zëra do të bëjnë muzikë. Kështu ngjau sonte. Është një vepër madhështore dhe kori bëri punë vërtet shumë të mirë ashtu sikurse orkestra. Dhe, mendoj se i thamë diçka audiencës me mesazhin e muzikës që është: ne preferojmë paqen”, ka thënë ai pas koncertit. “Njeriun me armë: Meshë për paqe” e ka përshkruar si vepër të fuqishme.

“Karl Jenkins është kompozitor bashkëkohor që është prekur nga historia e Kosovës dhe ua ka dedikuar këtë vepër viktimave të luftës në Kosovë. Përdor meshën tradicionale, kërkon mëshirë, mandej përdor poezi nga një i mbijetuar i bombave atomike në Japoni, na sjell poezinë moderne britanike... Dhe ne këndojmë prapë se paqja është më e mirë se lufta. Ka një mesazh shumë të fuqishëm për të gjithë ne sidomos për rezidentët në Kosovë”, ka thënë ai.

E bazuar në meshën katolike, të cilën Jenkins e gërsheton me burime të tjera, kryesisht me këngën folklorike të shekullit XV, “Njeriu me armë” futet thellë në tragjedi. “The Call to Prayers” (Ezani), interpretuar nga Liridon Sadriu, vjen si pjesë e dytë në veprën që përballjen me viktimat, pasojat e tjera të luftës e thirrjet për paqe i ka universale duke bashkuar popuj, raca e religjione (Foto: Enes Sahiti)

Ambasadori Jeffrey M. Hovenier ka shtuar se secili që ka jetuar ose punuar, sikurse ai në ish-Jugosllavi, ka ndjesi të fortë për benefitet e paqes në zgjidhjen e problemeve kundrejt dhunës.

Krejt pjesët e veprës deri te e fundit “Më e mirë është paqja” ku kjo thirrje vjen nga një vend që ka përjetuar shtypjen e vrasjet, janë mozaik i dhembjes, mbijetesës e porosisë që njerëzit të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Midis lojës së përkryer – brenda kushteve që ofron një ambient i hapur – muhabetet midis publikut bashkë me sfilatat e shëmtuara të atyre që mbërrijnë kah fundit i koncertit dhe ia mësyjnë të ulen në radhët e para, qenë jo të rralla por periferike shkaku i madhështisë së krejt koncertit. “Njeriu me armë: Meshë për paqe” e ka fuqinë e neutralizimit të periferisë. Mban vëmendjen te qendra: te viktimat.

Marshi i triumfit edhe për 4 Korrikun

“Koncerti për paqe” sivjet është përmbyllur me “The Washington Post March” e “Stars and Stripes Forever” të John Philip Sousa duke shënuar edhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për marsh triumfi, gjë që i shkon shumë përshtat edhe Kosovës në përvjetorin e çerekshekullit të lirisë. Por dhjetë minuta fishekzjarrë gjatë këtyre veprave, qenë shtesë krejt e panevojshme dhe deri diku irrituese. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se në kuadër të përvjetorit të lirisë, vepra e Jenkins – i cili më 2015 ishte në Kosovë dhe u dekorua me “Urdhrin Presidencial të Meritave” – është ajo që përfaqëson më së shumti Kosovën dhe luftën e saj në literaturën e muzikës klasike.

 “Koncerti për paqe” sivjet është përmbyllur me “The Washington Post March” e “Stars and Stripes Forever” të John Philip Sousa duke shënuar edhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për marsh triumfi, gjë që i shkon shumë përshtat edhe Kosovës në përvjetorin e çerekshekullit të lirisë (Foto: Enes Sahiti)

“Është vepra më e interpretuar në botë e kompozitorëve bashkëkohorë. Ta rikthejmë në këtë përvjetor është dukur e qëlluar dhe jo një përsëritje. Pastaj edhe interpretimi i saj në qendër të Prishtinës i jep një dimension tjetër përjetimit të veprës. Përmbyllja krejt në fund me dy vepra amerikane për shënimin e Katër Korrikut e kemi parë si plotësim të koncertit”, ka thënë ai.

“Njeriu me armë: Meshë për paqe”, jo veç në literaturën e muzikës, por dhe në krejt artet është vepra më kuptimplote sa i përket luftës në Kosovë e viktimave të saj. Kur luhet nga vetë institucioni i këtij shteti, peshën e ka tjetër. E kur kujtimi i viktimave bashkë me mesazhet për paqe bëhet nga kryeqyteti i vendit që i është kushtuar vepra, ajo merr përmasa të fisme.  Në këtë rast, një popull që ende shoshit listat e të pagjeturve e numëron mbi një mijë fëmijë të vrarë, thërret për paqe. Thirrjen e bën ende pa kaluar zinë e së shkruarës, por me qëllime të qarta për të ardhmen.