Prishtinë, 6 shkurt (deadline.com) – Kur Tomo Buzov hipi në një tren në Beograd, Serbi, në mëngjesin e 27 shkurtit të vitit 1993, duke marrë rrugë për në Mal të Zi për ta vizituar të birin, ai nuk kishte si ta dinte se çfarë do të ndodhte dhe se guximi i tij do të kujtohej edhe sot. Ndërsa treni kalonte nëpër Bosnjën që sapo kishte fituar pavarësinë, ai u ndal pa pritur dhe u ngarkua nga anëtarë të forcave paramilitare serbe. Këta burra të armatosur rëndë kalonin nga vagoni në vagon duke kërkuar të dinin etninë dhe identitetin fetar të çdo pasagjeri në bord.
Drama me titull “The Man Who Could Not Remain Silent” (Njeriu që s’mundi të heshtë” i nominuar për “Oscar” në kategorinë e filmit të shkurtër, risjell në ekran historinë që ndodhi në atë tren, ndërsa lufta shpërtheu në ish-Jugosllavi dhe padrejtësitë e ankesat e vjetra shkaktuan krime të reja. Në maj të vitit 2024, filmi i drejtuar nga Nebojsha Slijepçeviqit mori “Palmën e Artë” të Cannesit në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”.
“Ky film është i bazuar në një ngjarje reale”, kishte shpjeguar Slijepçviq gjatë një bashkëbisedimi më publikun në Hollywood. “Ka ndodhur gjatë luftës në ish-Jugosllavi, kur një tren civil u ndal në mes të dy stacioneve nga forcat paramilitare serbe, të cilët hynë dhe filluan të nxjerrin nga treni civilë që kishin emra myslimanë. Dhe vetëm një person, nga më shumë se 500 pasagjerë iu kundërvu atyre. Ishte Tomo Buzov. Ai vetë nuk ishte mysliman, por nuk mund të qëndronte pa bërë asgjë, teksa vëzhgonte këtë spastrim etnik të tmerrshëm që po ndodhte”.

Filmi shfaq forcat paramilitare, duke shënjestruar pasagjerët myslimanë dhe duke i nxjerrë ata nga treni nën kërcënimin e armëve. Historia në filmin “The Man Who Could Not Remain Silent” nuk rrëfehet nga perspektiva e Tomo Buzovit, por nga një tjetër burrë kroat në të njëjtin vagon me të, i cili premton të mbrojë një djalë të ri mysliman që është ulur përballë tij dhe jeta e të cilit varet nga ky moment.
“Kam parë diçka shumë universale në këtë histori, diçka me të cilën mund të identifikohem dhe shumë njerëz, sepse shumë prej nesh e gjejmë veten në një situatë ku jemi dëshmitarë të një lloji dhune, që nuk na përket. Ne jemi të sigurt në atë situatë, por shohim dikë që po vuan nga dhuna. Dhe pastaj është në dorën tonë të vendosim se çfarë duhet të bëjmë”, ka thënë Slijepçeviq. “A duhet të ndërhyjmë ndonjëherë dhe të rrezikojmë sigurinë tonë, apo duhet të rrimë indiferentë dhe t’i shikojmë punët tona? Dhe pastaj duhet të jetojmë me ndërgjegjen tonë. Fatkeqësisht, mendoj se shumica prej nesh qëndrojnë të heshtur në situata të tilla, dhe kjo është arsyeja pse bota nuk është një vend shumë i bukur për të jetuar tani”.
Aktori kroat, Goran Bogdan, luan rolin e burrit që premton ta mbrojë pasagjerin pranë tij, por në fund qëndron i heshtur. Silvio Mumelash e luan rolin e djalit të ri mysliman boshnjak, ndërsa Dragan Miqanoviq e portretizon heroin e vërtetë të kësaj historie, Buzovin.
“Sigurisht që nga fillimi, ideja ishte që personazhi kryesor në film të jetë burri që qëndroi i heshtur”, ka thënë regjisori. “Kjo është ironia dramatike e titullit, por edhe e filmit gjithashtu. Nga momenti i parë kam dashur që Goran Bogdani ta luajë këtë rol, sepse ai është një aktor fantastik. Dhe së dyti, mendoj se ai e ka një pamje heroike. Është person të cilin mund ta imagjinosh si personazh heroi. Dhe kam besuar në të nga momenti i parë”.
Producentja, Katarina Prpiq, foli për sfidën e gjetjes së një lokacioni xhirimi që do të përputhej me buxhetin e produksionit, duke shpjeguar se ekipi përfundimisht zgjodhi një stacion treni qendror në kryeqytetin e Kroacisë, që është vendi ku trenat pastrohen, lustrohen dhe të tjera. “Ky tren i veçantë ku është xhiruar filmi, nuk ishte më në përdorim — sepse donim të shfrytëzonim një tren që ishte përdorur në atë kohë, në fillim të viteve ‘90. Prandaj e morëm një tren që ishte gati për t’u shkatërruar, e dekoruam dhe xhiruam në të”, ka thënë ai.
Sipas regjisorit Slijepçeviq, janë dashur shumë prova dhe përgatitje për t’i realizuar skenat ashtu siç ishin menduar.
“Ky tren nuk është teknikisht i përdorshëm. Për shkak të sigurisë, nuk kishim leje ta drejtonim atë në shinat e hapura. Na dhanë vetëm rreth 100 metra shina ku mund ta lëviznim trenin. Pra, duhej të ishim shumë precizë. Kur kamera kalon përmes dritares, treni është duke lëvizur, por kur shkon te fytyra e Goranit, treni ka ndaluar tashmë, sepse nuk mund ta lëviznim më gjatë. Por ne tërhoqëm perden, kështu që nuk shihej ambienti jashtë. Çdo skenë ishte ushtruar me shumë saktësi dhe çdo lëvizje kishte koreografi në vete. Ishte një projekt mjaft kërkues”.
Në atë ditë të frikshme shkurti të vitit 1993, më shumë se 20 burra myslimanë boshnjakë u nxorën nga treni, në atë që më vonë u bë e njohur si masakra e Shtrpcit. Buzov ishte i vetmi person që nuk ishte mysliman boshnjak dhe që u rrëmbye nga forcat paramilitare serbe. Djaloshi mysliman të cilin ai e mbrojti, shpëtoi nga një fund tragjik. Buzov dhe të tjerët që u larguan nga treni, u transportuan në një qytet të afërt ku u ekzekutuan dhe u hodhën në lumin Drina.
Në rrugën e Beogradit ku Buzov jetonte, është vendosur një pllakë me mbishkrimin: “Tomo Buzov - Kapiten i Parë i JNA-së (Ushtria Kombëtare Jugosllave). Në kujtim të humanizmit dhe guximit të njeriut që jetoi në këtë adresë”.
Slijepçeviq ka thënë se u dha aktorëve të tij një udhëzim të thjeshtë ndërsa kamerat ishin duke xhiruar.
“U kërkova të gjithë aktorëve të imagjinonin. U thashë, ky nuk është një film për histori. Nuk është një mësim historie. Kjo gjë po ndodh tani, për të gjithë ne, saktësisht në këtë moment. Le ta luajmë në atë mënyrë”.
Marrë nga “Deadline”. Titulli është i redaksisë së KOHËS. Përktheu: Edona Binaku.