Kulturë

“Njerëzit tek njerëzit...” në Prishtinë me ngjyrat e kulturës aziatike

Ekspozita në galerinë “Qahili” ka për synim prezantimin e kulturës e traditës së Kirgistanit që deri më tash ka qenë pak e njohur dhe e paprezantuar në Prishtinë

Ekspozita në galerinë “Qahili” ka për synim prezantimin e kulturës e traditës së Kirgistanit që deri më tash ka qenë pak e njohur dhe e paprezantuar në Prishtinë

Ekspozita “People to people: Central Asia” (Njerëzit tek njerëzit: Azia Qendrore) në hapësirën simpatike të galerisë “Qahili” ka sjellë artin popullor profesionist të 18 artistëve nga Kirgistani. Pos peizazheve e punëdoreve, me ekspozitë kanë ardhur edhe shijet e traditës së këtij vendi, tok me tingujt e identitetit. Në esencë, një ngjarje si kjo është një hap para politikës në njohjen e ndërsjellë

Rrëfimi i radhës në kapitullin artistik të galerisë “Qahili” është kultura e largët aziatike. E Kirgistanit me theks të veçantë. Imazhet e vendit vijnë si kartolina nëpërmjet veprave të artit. Është prezantim i shumëfishtë me kulturën artistike në qendër. Peizazhet e vendit, ilustrimi i punëdoreve në piktura që krejt gërshetojnë tradicionalitetin e bashkëkohoren, bëhen një në ekspozitën “Njerëzit tek njerëzit: Azia Qendrore”. 

Muret e galerisë janë veshur përplot ngjyra. Shumëllojshmëria e tyre dhe nuancat e ndezura janë të parat që bien në sy që para hyrjes, nga xhamat e pjesës së përparme të galerisë. Kuptimplote është secila prej tyre kur aty ngërthehen historia, peizazhet e natyrës, arkitektura e deri te stilet e artit abstrakt e sureal. Historia e artit vizual mbi të gjitha. 

“People to people: Central Asia” (Njerëzit te njerëzit: Azia Qendrore) në hapësirën simpatike të galerisë “Qahili” ka sjellë artin popullor profesionist të 18 artistëve nga Kirgistani. 

Aty janë veprat e Momun Astar, Jylldyz Asangaly, Tynumov, Nurlan Kudabaev, Yuldash Nurmatov, Shimova Halida, Sarkyn, Kim Aida, Nyurguyna Innokentyeva, Sadyk, Alapai Abdykasymov, Berebin, Rasul Kochkorbaev, Ernis Bekjamov, Asmat Abdysadyr Yylu, Kanybek Davletov, Jakypov Jylkychy e Sheishanalievit.

Një vepër e Jylldyz Asangalyt e shfaq peizazhin e një fushe përplot lule shumëngjyrëshe. Ajo që për autor ka artistin Tynumov, brenda kornizave të veprës shfaq figurën e një burri vendas me veshje autentike të këtij vendi me shqiponjën përkrah. Duket se shfaq një lloj karakteri luftarak të njerëzve të këtyre anëve. Vepra e Asmat Abdysadyr Yylu përkrah saj sjell të njëjtën temë. Veçse e zgjeron horizontin e pamjes që kap. Pos virtyteve të burrave të këtij vendi e sjell edhe peizazhin e bukur të maleve në sfond. 

Është një lloj segmentimi i veprave në galerinë “Qahili”. Temat e përafërta zënë hapësira të caktuara. Aty janë natyra e qetë, portrete, vepra abstrakte, peizazhe. Aty shfaqen si fotografi pikturat realiste të vargmaleve, parqeve e bregdetit. Imazhi zmadhohet kur shfaqen edhe flora e fauna e vendit dhe arkitektura e shtëpive tradicionale me objekte me shumë ngjyra. 

Tejet estetike është vazoja me lule e Yuldash Nurmatov. Disa prej veprave me ngjyra duket se ilustrojnë punëdoret tradicionale. 

Midis veprash ka qenë e ekspozuar edhe një kopje e librit me titull “Artet e bukura në Kirgistan”. Duket një lloj katalogu a monografie voluminoze e artit vizual të këtij vendi aziatik. Aty përmblidhen një numër i madh veprash arti. 

Nita Qahili, udhëheqëse e galerisë “Qahili”, ka thënë se me këtë ekspozitë ideja ka qenë të prezantohet kultura e tradita e Kirgistanit që deri më tash ka qenë pak e njohur dhe e paprezantuar në Prishtinë. 

“Është një qasje ndoshta e re, edhe pse njerëzit e kanë gjuhën që bëjnë shkrirjen nga vendi në vend, por në anën tjetër mund të shohësh detaje që e bëjnë të dallohet që është nga Kirgistani. Sa i përket pjesës së bashkëpunimit dhe punimeve, ka qenë goxha interesante, sepse koncepti se si është ndërtuar është nga arti nomad që është arti tradicional i Kirgistanit dhe më pas shkrihet në të gjitha fushat dhe periudhat e tjera, siç është arti abstrakt, impresionizmi, realizmi por edhe një sureale e bukur që shkrihet me realen”, ka thënë Qahili. 

Pos veprave të artit vizual, ushqimi tradicional ka qenë tjetër kapitull i prezantimit të kësaj kulture e tradite. Gjithashtu, këngëtarja Astra Madsen nga Kirgistani ka kënduar vepra nga repertori i muzikës jazz për ta balancuar në një formë kulturën e Kirgistanit, duke e globalizuar me muzikë. 

“Sot, përveç veprave, e kemi edhe ushqimin tradicional të përgatitur nga gratë nga Kirgistani dhe është interesante, sepse janë bajagi disa ushqime të ngjashme me ato te ne. Mund të jetë edhe ndikimi sovjetik që veç ka qenë prezent në Kirgistan, ndërsa ne si Kosovë kemi qenë në ish-Jugosllavi. Por pjesa tjetër është muzika jazz që e bën krejt këtë shndërrimin më të gjerë në botë”, ka thënë Qahili më tej. 

Këngëtaren e ka shoqëruar bendi në përbërje prej Sheki Hoxhës në bas kitarë, Driton Bejtës në kitarë dhe Henrik Riby në piano. 

 Muret e galerisë janë veshur përplot ngjyra. Shumëllojshmëria e tyre dhe nuancat e ndezura janë të parat që bien në sy

Shefi i bashkëpunimit në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, ka thënë se ekspozita, siç edhe titullohet, është e njerëzve që shkon te njerëzit e tjerë. 

“Vendosëm që ekspozita të quhet ‘People to people’ (Njerëzit te njerëzit), sepse kjo është çfarë flet ekspozita. Trajton shkëmbimin kulturor midis njerëzve dhe përtej, pavarësisht politikës. Duke qenë se njerëzit janë shumë të ndryshëm, prapëseprapë kanë të përbashkëta. Nga këto gjëra, të cilat duhet të vlerësohen janë energjia dhe kreativiteti”, ka thënë ai. 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ka qenë i pranishëm në hapjen e ekspozitës, para të pranishmëve ka thënë se arti është diplomaci kulturore, më e mira që mund të ekzistojë. Arti, sipas tij, bën bashkë njerëzit përtej barrierave politike. 

“Është gjithmonë kënaqësi te jem në galerinë ‘Qahili’. Është gjithmonë kjo energji e bukur dhe pozitive në çdo ngjarje dhe sot është një tjetër ngjarje e veçantë. Po shohim veprat e artistëve nga Kirgistani ku njerëzit, komuniteti artistik në Prishtinë mund të shohin trashëgiminë e këtij vendi, ngjashmëritë, ndryshimet, nuancat e ndryshme. Është një përzierje eklektike e bukur e stileve të ndryshme. Shpresoj se së shpejti do të marrim njohje. Kjo është diplomacia më e mirë kulturore për të bërë bashkë njerëzit”, ka thënë Rama. 

Ekspozita kolektive “Njerëzit te njerëzit...” e 18 artistëve nga Kirgistani do të qëndrojë e hapur deri më 4 nëntor në galerinë “Qahili”. Në tekstin kuratorial shkruhet se skena e artit e Kirgistanit dallohet me kombinimin e lëvizjeve të artit bashkëkohor si dhe prejardhje nomade që trajton sfida shoqërore. 
Aty citohet historiania e kritikja e artit, ukrainasja Olga Popova, të ketë thënë se “arti popullor dekorativ dhe i aplikuar i Kirgistanit ka histori shumëshekullore: ai u zhvillua dhe u pasurua duke kaluar brez pas brezi”. 

“Kirgistani arriti të ruante artin tradicional popullor, i shquar për diversitet, shtrirje, shumëllojshmëri të temave si dhe përsosmëri. Arti popullor është një burim i madh për artin profesional, që ndikon në të qenët i hapur ndaj artit ndërkombëtar. Megjithatë, artistët profesionistë në Kirgistan, para së gjithash, marrin parasysh pasurinë e përvojës artistike të popullit të tyre, që është matës i meritës artistike, integritetit dhe ngjyrës kombëtare”, citohet Popova në prezantimin e ekspozitës. 

Veprat çojnë në një rrugëtim magjepsës imagjinar nëpër peizazhet e bukura të natyrës, arkitekturën unike, kulturën e tradicionalitetin e Kirgistanit.