Shtandet e shumicës së botuesve tashmë kanë marrë formë dhe detajet e fundit janë rregulluar të martën mbrëma. Renditja e librave në pjesën më të madhe do të bëhet para se t’i “pritet shiriti” hapjes së edicionit të 24-t të Panairit të Librit në Prishtinë sot (e mërkurë) në orën 12:00. Adresa mbetet e përhershmja: Pallati i Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.
Kësaj radhe me temën “Përgjigjja është libri”, Shoqata e Botuesve të Kosovës që udhëhiqet nga Edon Zeneli pret që Panairi të jetë një ngjarje e suksesshme. Mbetet ekspozita më e madhe e librit në Kosovë. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00 deri në orën 21:00 deri të dielën kur përfundon ky edicion. Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
“Numri i titujve të rinj do të jetë rreth dy mijë përderisa numri i titujve të viteve të fundit rreth gjashtë mijë”, ka thënë ai. Ka treguar se sivjet do të shënohen edhe 300-vjetori i lindjes së Jul Varibobës, 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, 100-vjetori i lindjes së Jup Kastratit, 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas, 90-vjetori i lindjes së Ali Aliut.
Sipas tij, janë mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ka veçuar mysafirët e nderit.
“I ftuari i nderit është shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i çmimit ‘Deux-Margots’ dhe Rexhep Qosja i cili do të promovojë vëllimin “Testament”, ka thënë ai.
Sipas Zenelit, Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë midis tyre studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Në anën tjetër, Botimet KOHA sivjet sjell disa botime të veçanta. “Vrasja e një shteti” mban titullin historia me të cilin nis libri i ri i gazetarit, publicistit, shkrimtarit e politikanit, Veton Surroi. Vrasja e të atit, gazetarit, shkrimtarit e diplomatit, Rexhai Surroi, ka edhe simbolikën e vrasjes së një shteti. Libri “Viti i qirinjve” me nëntitull “Si e filluam rezistencën paqësore” vjen si një prej titujve të rinj të Botimeve KOHA në ngjarjen më të madhe të librit në Kosovë. “Vese në peshojë” i Ibrahim Kadriu dhe “Fadil Vokrri – Legjenda që nuk shuhet kurrë” i Bekim Aliut janë po ashtu pjesë e botimeve të reja. Bashkë me dy botime të vitit të kaluar, shtandi i Botimeve KOHA sivjet pret lexuesit me mbi 140 tituj e deri në 80 për qind zbritje.
Lexo edhe: