Kulturë

Një rrëfim jete në piano vjen si epilog i “DAM”-it që hap të tjera rrugë

Tempei Nakamura

Përmbyllja me pianistin e kompozitorin japonez, Tempei Nakamura, pos si koncert mbresëlënës, ka qenë në frymën e asaj që synon festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”: Në edicionet e radhës do të ketë në fokus Garën e Kompozitorëve të Ballkanit (Foto: Visar Kadrolli)

Pozitive është energjia që përçon mjeshtërisht pianisti japonez Tempei Nakamura, njësoj si rrugëtimi i tij muzikor, që ka edhe një episod të braktisjes së pianos por edhe rikthimin e furishëm. Kompozimet e tij janë rrëfimet e tij jetësore, shëtitjet nëpër qytete të Evropës. “Doja që të shpërndaja energji pozitive për publikun”, ka thënë Nakamura dhe ia ka dalë ta bëjë këtë pikërisht në epilogun e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, i cili me edicionin e 19-të synon ta mbyllë një kapitull për ta hapur atë që hap të tjera rrugë veçmas për kompozitorët e rinj

Tempei Nakamura mund të mos ketë luajtur kurrë në një sallë me kushte më të zbehta nga secila perspektivë. Por e sigurt është se, publiku i kryeqytetit asnjëherë nuk ka dëgjuar veprat e kompozitorit dhe pianistit japonez me karrierë të bujshme në botë. 

Artisti japonez e ka pianon instrumentin e jetës, por jo edhe fokusin e vetëm. Kjo vërehet edhe në dritëhijet e karrierës së tij. 

Para publikut të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, të martën mbrëma, Nakamura ka dalë pa sako e këmishë, siç veprohet zakonisht në recitale a koncerte të formacioneve të muzikës serioze. Është paraqitur me kompozimet e tij të viteve të fundit. Dhe ka luajtur pa ndonjë ngarkesë. 

Muzika e tij fut publikun, sidomos të rinjtë në një vorbull me goxha ritëm. Nuk bëhet fjalë për melodi evropiane megjithëse nganjëherë nëpërmjet stilit japonez e përshkruan Evropën. Nakamura i lindur më 1980, si adoleshent kishte një rebelim dhe për një kohë do të hiqte dorë prej pianos. Më pas do t’i kthehej këtij instrumenti e më 2010 edhe ka pasur recital debutues në “Carnegie Hall” në New York. 
Veprat e tij si “Rising soul” hyjnë te ajo pjesë që mund të konsiderohet art i angazhuar. Melodia e kësaj suite flet për tkurrje, mbyllje, por shpërthen edhe me shpresë. Krijuesi japonez gjatë periudhës së pandemisë “Covid 19” ishte i mbyllur dhe do t’i shkrepte mendja që të kompozonte muzikë që do ta prekte shpresën. E në këtë rast në Prishtinë ka luajtur disa kohë të kësaj vepre, duke kthyer vëmendjen te ditët e vështira, e njëkohësisht duke mos lënë hapësirë për nostalgji, por duke i dhënë hov të ardhmes. 

Nakamura gjatë lojës në piano sikur bën thirrje për pozitivitet për të ardhmen. 

“Audienca ishte shumë e mirë dhe kjo më ka bërë të lumtur. Përgjatë pandemisë kam kompozuar goxha muzikë me energji pozitive. Andaj doja që të shpërndaja energji pozitive për publikun. Doja të tregoja se çfarë kam kompozuar për kulturën evropiane”, ka thënë ai. Tingujt e tij janë të plotë. Te vepra “Phoenix” prek historitë e Varshavës – qytet që u rrafshua në Luftën e Dytë Botërore – e kalon edhe nëpër fantazitë ukrainase, vend ky që prej shkurtit të vitit 2022 po përballet me luftë. Makamura që jeton midis New Yorkut e Japonisë, është virtuoz në interpretim. Aftësia prej kompozitori ia shton shkathtësitë në piano. Bota e tij në instrument është shumëngjyrëshe dhe i takon një artisti që nuk ndalet. 

“Nuk e njoh shumë skenën muzikore të Kosovës. Pianistëve do t’u thosha se jeta nuk është veç muzikë. Është e rëndësishme që të udhëtoni, të takoni njerëz të keni mendime për politikën, për jetën e për gjëra të ndryshme. Do të thosha mos u fokusoni vetëm në muzikë, më mirë është të fokusohemi në jetë ku është edhe muzika brenda”, ka thënë ai. Përvojat e tij i shkrin në partitura duke bërë që publikut t’i shpalosë përvoja nëpërmjet muzikës. Artisti që ka interpretuar gjithandej globit, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve e ka përmbyllur edicionin e sivjetmë, të 19-tin me radhë të festivalit “DAM”. 

Muzika e tij e fut publikun, sidomos të rinjtë në një vorbull me goxha ritëm. Nuk bëhet fjalë për melodi evropiane megjithëse nganjëherë nëpërmjet stilit japonez e përshkruan Evropën. Ka interpretuar në skena të mëdha, këtë ndjesi e ka sjellë edhe në Prishtinë, por duhet mjeshtri për t’i ikur realitetit të Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve 

Organizatorët e Festivalit kishin për qëllim që koncerti i Nakamuras të mbahej qysh para dy vjetësh. 

“Koncerti sonte ka qenë i parapara para dy vjetësh por është shtyrë. Është koncert që ka qenë në linjë me programin e vitit 2022 me një muzikë që është në linjë me gjeneratat e reja. Është muzikë e kompozitorëve të rinj që komunikon më lehtë me gjeneratën e re të publikut, sidomos me gjeneratën e rrjeteve sociale”, ka thënë Dardan Selimaj, drejtor artistik njëherësh bashkëthemelues i “DAM”. Qysh në koncertin hapës të këtij edicioni – kur interpretoi violonçelistja virtuoze Aurélienne Brauner – Selimaj kishte bërë të ditur se “DAM” i ka ditët e numëruara. Midis të tjerash kishte përmendur edhe infrastrukturën për mbrëmje muzikore. Edhe të martën zhurma nuk ka qenë e vogël në atelie. Për akustikë e rrethana të tjera as që ia vlen të komentohet. E Ministria e Kulturës prapë po vendnumëron në procesin që të paktën të përcaktohet për një projekt për teatër të Operës dhe Baletit. 

“Prej kur kemi filluar i gjithë ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë. Gjithnjë kemi qenë midis vendimeve për të vazhduar apo jo. Festivali do të rikonceptohet. Gara e Kompozitorëve të Ballkanit do të jetë fokusi i ‘DAM’-it për të ardhmen. Një festival që mbledh rreth vetes muzikantë e programe të ndryshme, siç ka ndodhur në këto vite, konsiderojmë se duhet të ndryshojë sepse skena e Prishtinës tash ka një sezon të ngjeshur qoftë institucionale qoftë me festivale të tjera”, ka thënë Selimaj. Sipas tij, për skenën e Prishtinës do të jetë shumë më tërheqëse t’i ofrohet një alternativë tjetër e jo një festival i muzikës klasike. 

“Prishtina ka disa festivale. Në një kohë këto festivale e kanë krijuar sezonin koncertal të qytetit e sot situata ka ndryshuar. Sezonin koncertal të qytetit nuk e bartin vetëm festivalet, por edhe artistë të pavarur që organizojnë koncertet e tyre që dikur ishin në numër të vogël, por tash janë shumë prezentë”, ka thënë ai. Ka shtuar se edhe për ata si organizatorë është më mirë ta rikonceptojnë formatin për të qenë më të vlefshëm për ngjyrat që mund t’ia japim kryeqytetit. E për 19 vjet “DAM” i ka dhënë shumë ngjyra muzikore kryeqytetit. Ka qenë skenë e promovimit të artistëve të rinj e edhe e virtuozëve botërorë, duke u bërë pjesë e krijimit të identitetit artistik të vendit.