Muzeu Kombëtar i Kosovës – i cili sipas vendimit të 18 dhjetorit obligohet të merret me themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri – nuk i është kërkuar gjë në lidhje me këtë nismë. E, ata që merren me trashëgiminë kulturore, vendimi qeveritar shihet edhe si veprim i parafushatës elektorale. Aktualisht s’ka ligj për muze dhe për pasojë s’mund të ketë as institucion, por fillimisht do të jetë njësi e Muzeut Kombëtar e më pas do të zhvillohet një koncept, do të bëhet një tender për hapësirën e një varg procesesh të tjera
Janë bërë më shumë se një muaj prejse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për miratimin e propozimit të një grupi punues për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Por, prej ditës së 18-të të dhjetorit e deri më tash vendimi ka mbetur në sirtarët qeveritarë. Nuk është bërë kurrfarë hapi për implementimin e tij në praktikë. Historia e një muzeu të mundshëm të gjenocidit në Kosovë është e vjetër. E, tash vendimi i Qeverisë aktuale, një kapitull i ri.
Përderisa institucioni që sipas vendimit fillimisht e projekton si njësi historinë e gjenocidit as nuk është njoftuar për këtë punë, nga ata që merren me trashëgiminë kulturore vendimi qeveritar shihet edhe si veprim i parafushatës elektorale.
Në mbledhjen e 238-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës me pompozitet qe bërë i ditur vendimi për një muze të ri. Madje edhe pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte dalë në konferencë për medie.
“Miratohet propozimi i Grupit Punues, i emëruar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.14/14, të datës 7 qershor 2023, për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. Me këtë, sipas Qeverisë, i është hapur rruga themelimit të muzeut. Por vendimit duhej shtuar edhe disa pika pasi s’ka bazë për themelimin e një muzeu të ri. Aktualisht s’ka ligj për muze dhe për pasojë s’mund të ketë as institucion, por fillimisht do të jetë njësi e Muzeut Kombëtar e më pas do të zhvillohet një koncept, do të bëhet një tender për hapësirën e një varg procesesh të tjera. Vetë vendimi i Qeverisë herë ka muze e herë njësi brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas vendimit, muzeu do të bëjë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Ky vendim e obligon Ministrinë e Kulturës që ta bëjë “themelimin e muzeut, fillimisht si njësi të veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, si institucion i kulturës në bazë të legjislacionit të aplikueshëm deri në aprovimin e Ligjit për Muzetë, si institucion i pavarur muzeal i nivelit kombëtar”.
MKRS-ja po ashtu është obliguar që të zhvillojë procedurat përkatëse për vendosjen e institucionit të Muzeut në ndërtesën ku gjendet vetë aktualisht.
Muzeu Kombëtar i Kosovës as që e ka marrë vendimin e Qeverisë. Një muaj pas asaj që herë i thuhet “themelim i muzeut” e herë “hapje rrugë drejt themelimit”, s’është bërë kurrfarë hapi praktik.
“Deri më tash nuk është që është kërkuar diçka nga ne ose është adresuar diçka që ne duhet të merremi”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas Aliut, që drejton MKK-në, në përputhje me hartimin e kornizës së re ligjore për muzeologji do të trajtohet edhe çështja e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Ajo ka treguar se vitin e kaluar është hartuar një draft fillestar i projektligjit për muze dhe është konsultuar midis MKK-së dhe MKRS-së.
“Besoj se është një bazë e mirë duke marrë parasysh edhe gjendjen aktuale të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe muzeve të tjerë në vend. Po ashtu duhet të merret parasysh edhe raporti ‘Zhvillimi i Muzeve në Kosovë’ në mënyrë që legjislacioni, gjendja aktuale dhe rekomandimet që dalin nga raporti të kenë ndërlidhshmëri dhe të jenë bazë e zhvillimit të muzeve aktualë dhe krijimit të institucioneve të reja muzeore”, ka thënë ajo. Sipas saj, në këtë mënyrë mund të ecet sigurt përpara.
MKK-ja aktualisht është jofunksional në raport me publikun. Prej shtatorit të paktën për një vit ky institucion është i mbyllur për shkak të restaurimit të përgjithshëm me kosto 3 milionë eurosh. Pos kësaj paralelisht është duke u bërë trajtimi i krejt koleksionit muzeor e edhe regjistrimi i krejt eksponateve. Se kur do t’ia nisë themelimit të njësisë që e obligon Qeveria e Kosovës mbetet të shihet.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, ka thënë se vendimi i Qeverisë mund edhe të ketë të bëjë me kohën e fushatës elektorale.
“Mendoj se mund të jetë vendim kështu paraelektoral”, ka thënë ai. Ka përsëritur se në bindjet e tij për ta pasur një muze të tillë duhet një vizion më gjithëpërfshirës se çfarë të bëhet me të kaluarën e luftës.
“Ka shumë akterë të përfshirë pasi ka shumë kategori të viktimave. Krejt ky proces do një ekspertizë shumë më të madhe. Për mua nuk është me rëndësi ndërtesa, por se si e tregojmë këtë histori.
Ndoshta duhet shpërndarë në krejt Kosovën”, ka thënë ai. Ka treguar se për vendimin qeveritar nuk ka shumë informata.
“Nëse nuk i përcjellin këta hapa që përmenda, nuk e di se si do të mund të realizohej ai projekt. Nuk mund të improvizohet. Mendoj se kjo iniciativë është prej më të rëndësishmeve prej pasluftës. Ne deri tash nuk kemi ditur ta kurojmë historinë e luftës. Është e shpërndarë aty e këtu, por s’ka ndonjë lidhje midis vendeve. S’është e kuruar komplet Kosova, lufta e as rrethanat që kanë çuar te lufta”, ka thënë Shoshi të martën.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sipas vendimit, obligohet që të bëjë “hartimin e detyrës projektuese për konceptin muzeor dhe kuratorial, si dhe për konceptin arkitektonik dhe hapësinor të ndërtesës së muzeut”. E krejt në fund MKRS-ja nëpërmjet vendimit merr përsipër edhe zhvillimin e procedurave për zbatimin e projektit për konceptin muzeor dhe kuratorial, arkitektonik dhe hapësinor të muzeut.
Por, në lidhje me veprimet e marra pas vendimit, Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur. Institucioni më i lartë kulturor në vend s’ka folur asnjëherë më publikisht prej ditës së vendimit. E atë ditë kishte lëshuar komunikatë me titull e përmbajtje të ndryshme.
“Themelohet Muzeu i Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri”, shkruhej në titullin e komunikatës. Kurse në fillim të tekstit qartësohej: “Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar propozim-vendimi që i hap rrugë themelimit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri”.
Vendimi qeveritar të paktën një muaj pas miratimit ka ngelur sikurse nismat e dikurshme. Historia me dokumentimin e gjenocidit në Kosovë është një diskutim i vjetër. Tentimet për muze të eksodit, të luftës e të paqes datojnë këtu e një dekadë para. Më vonë disa qenë shndërruar dhe në dokumente zyrtare. Në shkurt të vitit 2019, Qeveria e Kosovës, që asokohe udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për ndërtimin e qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët ”Bllacë 1999”. Një muaj më pas ishin ndarë 100 mijë euro për këtë projekt. Kurse më 10 prill të atij viti ishte inauguruar “Muri i Kujtimit” afër kufirit me Maqedoninë e Veriut në Han të Elezit. Aty prej asaj kohe qëndrojnë edhe disa vagonë treni me mbishkrimin “Bllaca 1999”. Planet ishin që me vizita studimore në Izrael të vihet deri te një model i një muzeu përkujtimor për gjenocidin. Po atë vit në maj, kryetari i asokohshëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte dalë me një propozim tjetër.
Kishte deklaruar se në hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë do të funksionalizohej një muze për gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë. Madje kjo çështje kishte hyrë edhe në rend dite në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës si pjesë e një pakoje ku parashihej një tribunal për krimet e Serbisë dhe iniciativa të tjera. Por, nuk kishte kaluar me arsyetimin për disa plotësime shtesë.