Shkrimet e tij që kryefjalë kanë guximin për ta thënë të vërtetën edhe kur nga regjimi i tij shpallet tradhtar, janë biografia e tij. Radomir Dimiqi është në krye të atyre që nuk heshtën kur shqiptarët përndiqeshin e masakroheshin. “Një kosovar si Radomiri” nuk është vetëm dëshmi e zërit të tij. “Është reagimi im i brendshëm në apokalipsin kosovar, të likuidimit masiv, të varrezave masive të fshehura e të marrëzive të tjera që kanë ndodhur gjatë luftës. Ishte ky borxhi im, sepse në të kundërtën Kosova nuk do të na e falte”, ka thënë Dimiqi në përurimin e librit të tij në shqip
Në të 2000-at e hershme zor të gjendej ndonjë qytetar i Kosovës i nacionalitetit që në ndeja private të skuqej një grimë për krimet ndaj shqiptarëve që ka bërë regjimi i Serbisë në krye me Slobodan Milosheviqin. Për të folur publikisht, as që bëhej fjalë.
Por, Radomir Dimiqi ishte krejt ndryshe. Fliste hapur për krime, në emrin e tij personal kërkonte falje për të bëmat e bashkëkombësve të tij e edhe u bënte thirrje udhëheqësve të Serbisë të vepronin ndryshe. Radomir Dimiqi, mbi të gjitha, fliste dhe flet si njeri. I lindur e i rritur në Kosovë, thotë se prapë do të lindte në të njëjtin vend.
“Tadiqi e Koshtunica duhet t’u kërkojnë falje shqiptarëve”, titullohet një tekst i “Kohës Ditore”, që ishte bashkëbisedim me Dimiqin. Mban datën 28 janar 2008, pak më shumë se dy javë para se të shpallej Pavarësia e Kosovës. Në këtë rast e në shumë të tjerë Dimiqi, edhe nëpërmjet teksteve autoriale në “Kohën Ditore” e gazeta të tjera, kërkonte qasje tjetër të pushtetit serb, popullit të Serbisë e edhe nga serbët që jetojnë në Kosovë.
Tekstet e tij janë përmbledhur në librin “Një kosovar si Radomiri” i promovuar të mërkurën mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
“Qëllimi im është që saktë t’i determinoj krimet që forcat serbe i kanë kryer në Kosovë, të denoncoj atmosferën kërcënuese që mbizotëron ende, që të padukshmen ta bëj të dukshme, të flas për varrezat masive, kamionët frigoriferë me kufoma shqiptarësh, varrimin e shqiptarëve të vrarë në lumenj e liqene”, shkruan Dimiqi në një tekst të shkruar enkas për librin.

Nuk e ka lëshuar Kosovën asnjëherë dhe për pushtetin serb është “tradhtar” shkaku i qëndrimeve që ka. Bën jetë jo të lehtë për nga ana ekonomike. Por Dimiqi nuk heq dorë nga denoncimi i krimeve e, mbi të gjitha, është në kërkim të lirisë.
Në promovimin e librit redaktuar nga Imer Mushkolaj, që është botim i organizatës “Integra” e i përkrahur nga Ministria e Kulturës e “Rockefeller Brothers Fund”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Radomir Dimiqi ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativet e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Sipas tij, Dimiqi e kuptoi që e vërteta shpesh nuk është e lehtë për t’u pajtuar me të, por pa të nuk mund të ketë pajtim të vërtetë.
“Ai e kuptoi që e ardhmja e një shoqërie nuk mund të ngrihet mbi mohimin, as mbi ndarjet etnike, por mbi përqafimin e së vërtetës dhe ndërtimin e urave mes komuniteteve. Ai e refuzoi qasjen e Beogradit që serbët në Kosovë ishin të huaj, ashtu siç kundërshtoi çdo përpjekje për ta trajtuar Kosovën si të ndarë e të copëtuar. Ai besoi se serbët ishin pjesë e këtij vendi sikurse shumica shqiptare, por edhe si pakicat boshnjake, turke e komunitetet tjera”, ka thënë kryeministri Kurti. Sipas tij, shkrimet e Dimiqit janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ka thënë se ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë.
“Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi. Radomiri besonte se drejtësia e vërtetë nuk është hakmarrja, por përballja me të kaluarën, për të gjithë neve pa dallim. Ai nuk e shihte pajtimin si dorëzim, por si një rrugë drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të bashkuar”, ka thënë kryeministri Kurti. Ka shtuar se ky libër duhet lexuar jo vetëm si dokument për të kaluarën, por edhe si një udhërrëfyes jo vetëm për të ardhmen.

“Guximi për ta thënë të vërtetën nuk është i shpeshtë. Por, edhe guximi për ta dëgjuar seriozisht atë po ashtu është i tillë. Le ta dëgjojmë Radomir Dimiqin. Le ta dëgjojmë të vërtetën. Dhe mbi të vërtetën të punojmë e të kontribuojmë për Kosovën tonë të përbashkët. Shumica e njerëzve duke sfiduar bëhen të guximshëm. Por, përshtypja ime për Radomirin është që ky sfidon, për shkak se është i guximshëm”, ka thënë Kurti.
Për librin që përmbledh shkrimet autoriale të autorit në harkun kohor 2005 – 2025, ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami, ka thënë se ka një rëndësi të madhe për dy arsye.
“E para, sepse bëhet fjalë për një libër dëshmi që sjell para nesh fjalët e shkruara nga një gazetar dhe aktivist serb i Kosovës që është kritik i hapur, i pakompromis, konsekuent i politikave antikosovare dhe antishqiptare të politikës dhe elitave intelektuale të Serbisë ndër dekada”, ka thënë Bajrami, i cili para se të emërohej ambasador ishte kryeredaktor i “Kohës Ditore”. Sipas Bajramit, në të gjitha shkrimet dhe deklarimet e tij Dimiqi jo vetëm që ekspozon këtë realitet ideologjik dhe politik të Serbisë, por edhe del hapur kundër tij dhe kjo është me rëndësi qenësore.
“Arsyeja tjetër përse mendoj se ky publikim është më rendësi, është sepse shkrimet zoti Dimiq i përdor si instrument për arritjen e së paku dy qëllimeve: i pari është të nxjerrë në pah helmin racist që vlon në lëkurën e elitës politike të shtetit serb dhe liderëve të tij ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës. Në këtë kuptim shkrimet e zotit Dimiq janë një antidot i këtij helmi. Qëllimi i dytë është se ai hedh dritë mbi errësirën ku qëndrojnë ata që janë të kapur peng nga politika zyrtare e Serbisë në Kosovë e ky është komuniteti serb i Kosovës”, ka thënë midis të tjerash Bajrami.
Vetë autori Radomir Dimiq ka thënë se libri është biografia e tij kundër luftës, rezistenca e tij, e vërteta, drejtësia, solidariteti, liria dhe mospranimi i gënjeshtrave të askujt.

“Me të vërtetë është ky obligimi im qytetar ndaj Kosovës, një flamur i së vërtetës që e kam përhapur në një kohë të vuajtjeve të pabesueshme të viteve ‘90 gjatë regjimit kriminal të diktatorit Slobodan Milosheviq, si dhe për luftën e përgjakshme”, ka thënë ai. Ka treguar se bëhet fjalë për reagimin e tij, për krimet e hatashme serbe të bëra në Kosovë, si dhe për eksodin më të madh të Evropës, atë të shqiptarëve të Kosovës në shekullin XX.
“Është reagimi im i brendshëm në apokalipsin kosovar, të likuidimit masiv, të varrezave masive të fshehura e të marrëzive të tjera që kanë ndodhur gjatë luftës. Ishte ky borxhi im, sepse në të kundërtën Kosova nuk do të na e falte”, ka thënë Dimiqi. Ka pyetur se çfarë njeriu do të ishte ai sikur të heshtte e të mos thoshte gjë për marrëzinë e Gazimestanit dhe për transin më të madh të nacionalizmit serb prej nga nisi përndjekja, segregacioni dhe hakmarrja në shqiptarë e elitës së tyre. Ka thënë se nacionalistët serbë e pushteti në Beograd duhet të zbresin nga shpina e serbëve të Kosovës që i përdorin si kalin e Trojës për interesin dhe pushtetin e tyre.
“Në emrin tim, kush e di për të satën herë, edhe sot kërkoj prej jush falje dhe pajtim”, ka thënë Dimiqi, i cili edhe ka lexuar poezinë e Andon Zako Çajupit, “Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka”.
Dimiqi ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend të ndalet së kërkuari drejtësi. Liria për të është gjithçka, pavarësisht pasojave. “Një kosovar si Radomiri” është testamenti i tij.