Kulturë

“Një ditë” e masakrës përjetëson tmerrin universal të 1999-s

“Një ditë”

“Një ditë”, në shpjegimin e thjeshtë rikthen rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Studimes së Vushtrrisë, risjell tmerrin e përjetuar në një ditë të vetme: 2 majin e 1999-s

Është dita e dytë e majit të vitit 1999. Rrëfimet për të janë të pakoha, universale dhe dita e data janë vetëm simbolikë. “Ra terri, filluan krismat, u shihke se po digjej fshati, kolona u ndal nuk ecte, se e ndaluan postblloku poshtë i serbëve që ishte te Rashicët...”, shpaloset rrëfimi i të mbijetuarës së masakrës në studime të Vushtrrisë, Bahrije Gërxhaliut. Ajo ka qenë e pranishme edhe në ekspozitën “Një ditë”. “Këtë masakër e kujtoj çdo ditë e çdo natë, as minuta nuk më ndan nga kujtimi i saj...”, ka thënë ajo. Dhe ky është mesazhi i saj

Se “...asnjë ditë nuk është e zakonshme në luftë dhe secila ditë e paqes nuk do të jetë kurrë e plotë për aq kohë sa një luftë e re do të jetë duke ndodhur diku tjetër”, është fjalia goditëse që paralajmëron “Një ditë”. Në shpjegimin e thjeshtë rikthen rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Studimes së Vushtrrisë, risjell tmerrin e përjetuar në një ditë të vetme: 2 majin e 1999-s. Ajo çfarë përplaset në fytyrën e vizitorit me të hyrë në ekspozitën e hapur të enjten mbrëma në Qendrën e Dokumentimit në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, si realizim i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, kuruar Blerta Hoçia është një strukturë masive prej llamarine. Shkëlqimi i saj bashkë me vringëllimën që shkaktohet tek-tuk kur dikush qasej kalimthi me të, janë dy simbolika të cilat ndeshin me thellësinë e rrëfimeve, luajnë me ndërgjegjen e secilit tek shkaktojnë mori pikëpyetjesh në kokë. 

Hartëzimi i ekspozitës bëhet asisoj që imponon dhjetë ndalesa në dhjetë rrëfime të të mbijetuarve të masakrës. Ndryshe nga trajtimet e shpeshta që i bëhen trashëgimisë atrocitare në Kosovë, në ekspozitën “Një ditë” hapësirë i jepet një aspekti pak të trajtuar. Të gjitha “stacionet” e ekspozitës, si intervenime digjitale, përveç se rikujtojnë ngjarjet traumatike, ato mundohen të fokusohen në përjetimet e individit në to, në jetën mbas dhe bashkëjetesën me traumën si pjesë integrale e jetëve të tyre. 

Ajo çfarë përplaset në fytyrën e vizitorit me të hyrë në ekspozitën e hapur në Qendrën e Dokumentimit në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, si realizim i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, kuruar nga Blerta Hoçia, është një strukturë masive prej llamarine. Shkëlqimi i saj bashkë me vringëllimën që shkaktohet tek-tuk kur dikush qasej kalimthi me të, janë dy simbolika të cilat ndeshin me thellësinë e rrëfimeve...

Rrethojat e llamarinës kanë simbolikën e vet, nuk janë aty vetëm për efekt dramatik. Drama fshihet në rreshtat e rrëfimeve. Në një praktikë të rëndomtë ai material përdoret në ndërtimtari për të mbrojtur dhe mbuluar gropat e thella të themeleve të banesave të larta, por në “Një ditë” janë kontrasti vetë kur shërbejnë për të shfaqur rrëfimet e betonuara të traumës.

E nata e 2 majit në “Një ditë” vjen në fund të labirintit – i cili merr formën e një veshi, një i tillë që ka qenë i shurdhër kaherë – bashkë me makthin e saj, errësirën e rrëfimit të të mbijetuarës së kësaj ditë-nate, Bahrije Gërxhaliut. 

Gërxhaliu në masakrën e 2 majit kishte humbur bashkëshortin dhe kuantin e saj, terri për të është vragë në memorie. 

“Ra terri, filluan krismat, u shihke se po digjej fshati, kolona u ndal nuk ecte, se e ndaluan postblloku poshtë i serbëve që ishte te Rashicët, popullata nuk guxonte të lëvizte, ata filluan të gjuanin me kallash, minahedhëse, mbrapa u digjte fshati, u ndihshin krismat, terr nuk shishe asgjë…”, është një citat nga rrëfimi i trishtë saj. Forcën e gjen te rrëfimi i kësaj të kaluare teksa jep mesazhe që historia të dokumentohet e të mos harrohet. Është një lloj katarsisi. 

“Këtë masakër e kujtoj çdo ditë e çdo natë, as minutë nuk më ndan nga kujtimi i saj, por sot kjo ekspozitë me ka bërë me u ndje krenare, më ka dhënë forcë dhe e kam parë që këta njerëz po përkujtohen, po përmenden. Unë kisha lutë që iniciativa të tilla të bëhen dhe më shumë, sepse kaluan 25 vjet e ata njerëz të cilët kanë qenë, veç po ecin edhe unë kam ardhur te mosha 60-vjeçare, por nëse nuk mbesin shkrimet unë kot tregoj. Andaj, ju lutem të gjithëve të shkruajmë, të përkujtojmë të lëmë prapa një bagazh që të flitet për historinë, vuajtjet, për gjenocidin që është bërë ndaj këtyre njerëzve”, ka thënë ajo në një prononcim për KOHË-n. 

Sipas dokumenteve e dëshmive, një kolonë me rreth një mijë refugjatë ishin duke udhëtuar me 100 traktorë, të cilët po largoheshin drejt Vushtrrisë lindore. Forcat ushtarake dhe paraushtarake i ndaluan këto automjete dhe në datat 2-3 maj u vranë rreth qindra civilë midis fshatrave Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme, pranë Vushtrrisë. Sipas një hetuesi të Tribunalit të Hagës rreth 120 civilë u vranë më 2 maj nga forcat serbe dhe u varrosën pranë një zone të konsideruar si varrezë masive në lindje të Vushtrrisë. Pas luftës, grupet mjeko-ligjore të Tribunalit të Hagës zbuluan 98 kufoma në Studime.

“Në labirintin që formohet duke përshkuar ekspozitën, llamarina rrjedh e valëzohet si uji i një përroi, që ndjek rrjedhën nga Studimja e Epërme në Studimen e Poshtme, ku së bashku me të mbijetuarit bëhet dëshmitar i asaj dite të 2 majit të vitit 1999 që përkon me ditën e rindërtuar në ekspozitë. Fatkeqësisht, përtej masakrës së Studimes, 2 Maji përmban të tjera dokumentime të vrasjeve, zhdukjeve e torturave në të gjithë territorin e Kosovës”, shkruhet në konceptin kuratorial të realizuar nga koordinatorja e projektit, Vesa Qena dhe kuratorja Blerta Hoçia. 

 Hartëzimi i ekspozitës bëhet asisoj që imponon dhjetë ndalesa në dhjetë rrëfime të të mbijetuarve të masakrës

Për kuratoren, procesi i punës me rrëfime të tilla ka qenë një impenjim i mbështetur në kujdes dhe respektim të historive të thëna. 

“Për traumën ndoshta mund të flitet në mënyrë private, por jo publikisht, dhe trauma nuk është diçka që mund të trajtohet shumë thjeshtë, por ajo duhet të trajtohet me kujdes, dhe mendoj që të gjithë ne si publik u detyrohemi viktimave, familjarëve të viktimave dhe të mbijetuarve që ta trajtojmë dhe të mundohemi ta artikulojmë në forma që dhe publiku mund t’i kuptojë dhe të krijoj empati me këto histori e rrëfime”, ka thënë ajo.

Përgjatë ekspozitës vërehet se trajtimi i subjekteve dhe rrëfimeve të tyre realizohet me një bazë respekti që rri larg paraqitjeve tradicionale e të vrazhda. Aty duket se integriteti dhe individualiteti i gjithsecilit nga të mbijetuarit vihet në piedestal. 

“Mënyra se si ne operojmë është që mos të shfaqim në asnjë moment imazhe shumë të rënda grafike, andaj dhe këto rrëfime janë menduar në bashkëpunim me artistë të mediumeve të ndryshme që publikut t’i jepet një mënyrë më e butë për të treguar histori shumë të fuqishme dhe të rënda edhe për t’u lexuar edhe për t’u dëgjuar”, ka shtuar Hoçia. 

Aty vihet re se nuk ka vend për qasje sipërfaqësore. I bëhet vështrim konkret traumës dhe bëhet thirrje për angazhim kolektiv në reflektim dhe njohje. 

E nata e 2 majit në “Një ditë” vjen në fund të labirintit – i cili merr formën e një veshi, një i tillë që ka qenë i shurdhër kaherë – bashkë me makthin e saj, errësirën e rrëfimit të të mbijetuarës së kësaj ditë-nate, Bahrije Gërxhaliut

Si projekt i mbështetur nga Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme, National Endowment for Democracy (NED), Ambasada Britanike në Prishtinë, UNDP Kosovo, dhe Komuna e Prishtinës, nuk kishin si të mungonin dhe fjalimet nga bartës të këtyre institucioneve. 

Për ambasadorin e ri të Zvicrës, Jurg Sprecher, është hera e parë që gjendet me një mision në Ballkan dhe kjo herë e parë për të veçse i ka krijuar atij një përshtypje të parë.

“Kam kuptuar se ka një kaluar të cilën duhet ta kapim, dhe është shumë e vështirë të shkojmë me hapa prapa tek e ardhmja, por e di që për të ndërtuar një të ardhme është e rëndësishme që të punojmë me të kaluarën. Zvicra mbështet shtetet në këtë mënyrë duke ndihmuar me të kaluarën, sepse jemi të bindur se kjo është një mundësi e mirë të punojmë me të ardhmen, dhe rrjedhimisht po ndihmojmë dhe Kosovën me mbështetje në iniciativa të tilla”, ka thënë ai. 

Për ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ekspozita të tilla u shërbejnë synimeve afatgjata të shtetit të Kosovës për dokumentimin e krimeve të luftës. 

“Është koha që njerëzit duhet të dinë më shumë për këtë pjesë të historisë, ne duhet të angazhohemi se si vizitorët në Kosovë gjatë kësaj vere, do të përjetojnë këtë ekspozitë dhe të mësojnë për ngjarjet e vërteta, e si e tillë do të ishte një kontribut shumë i madh. Memorializmi dhe dokumentimi i së kaluarës është një themel fondamental për drejtësinë dhe për të lëvizur përpara, përtej këtyre ngjarjeve. Por, gjithmonë duke i kujtuar ato, duke përqafuar drejtësinë dhe paqen për vitet dhe gjeneratat që vijnë”, është shprehur ai në fjalimin para hapjes së ekspozitës. 

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se “kjo ekspozitë është po aq e veçantë sa është e dhimbshme”. 

“Për ne kjo është një ditë e rëndësishme sidomos meqenëse sot është përvjetori i gjenocidit të Srebrenicës, është një moment për të kujtuar dhe reflektuar mbi të kaluarën tonë të dhimbshme, por njëkohësisht është një mundësi për të nderuar ata që kanë humbur jetën dhe familjet e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, ka thënë ai. 

Programi i organizatës që ai drejton mbështetet në veprimtari të caktuara që angazhohen në dokumentimin e historive të të mbijetuarve të luftës bashkë me arritjen e drejtësisë për ta. 

Blakaj ka thënë se ata do të vazhdojnë punën me misionin e njëjtë. 

“FDHK mbetet i përkushtuar ndaj realizmit të misionit të tij që është dokumentimi dhe promovimi i së vërtetës, nxitja e institucioneve për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës, edukimin e gjeneratave të reja për të kaluarën dhe memorializmin e përshtatshëm dhe gjithëpërfshirës”, ka shtuar ai.
“Një ditë” është goditëse në këtë qëllim. Përjetëson një ditë të kobshme që shndërrohet në përjetësi të kujtimit për viktimat e luftës më 1999.