Kulturë

“Një botë pa gra” zbardh në Kosovë prapaskenat e teatrit serb

“Një botë pa gra”

“A mund të imagjinojmë forma të reja për t’i thyer këto pabarazi? A mundet teatri të bëhet një hapësirë për luftë sindikale për greva kundër seksizmit dhe shfrytëzimit?”, janë disa prej pyetjeve që ngrit “Një botë pa gra”. Njëra prej përgjigjeve do të mund të ishte vetë “FemArti”, jo vetëm si formë për të rrëfyer e përballur me pabarazi (Foto: Esad Duraki)

Tema është derivat i një hulumtimi për pabarazitë gjinore në teatrot serbe, materiali bazohet me një incizim ku një regjisor gjerman fyen aktoret. Epilogu i “Një bote pa gra”, në ditën e dytë të “FemArtit”, është “dorëzimi”, aktoret heqin dorë prej skenës, u kthehen punëve të shtëpisë, por në esencë shfaqja është thirrje për ta bërë të kundërtën. Tema mund të përkthehet dhe në kontekstin e Kosovës, por si ngjarje nga Serbia ka edhe një tjetër kuptim

“Një botë pa gra” nga Serbia është shfaqje që vë në dyshim pozitën e grave në teatër. Është hapësira për reflektim mbi politikat emancipuese. Jo të pakta janë edhe temat globale që trajton, por ndalet edhe në rajon, duke përmendur sipërfaqësisht raportet e dy vendeve fqinje. Dy autoret serbe Maja Peleviq dhe Olga Dimitrijeviq, njëherësh edhe performuese në skenë, janë pritur ngrohtë nga publiku i Prishtinës, ndryshe nga Beogradi ku vetëm rreth katër muaj më parë, armata e “Mirëdita, dobar dan!” që synonte të çonte një copë kulture të Kosovës, u kthye prapa me vendim të autoriteteve shtetërore serbe, shoqëruar me protesta nacionalistësh. 

Kosova kaherë e ka dëshmuar imazhin tjetër prej atij që pengon e pamundëson ngjarje kulturore. Të enjten mbrëma ka qenë dëshmia e radhës në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”. 

Shfaqja në teatrin “Dodona” përfshin edhe materiale dokumentare dhe është midis tjerash, rezultat i hulumtimeve me regjisore teatri e dramaturge mbi temën e barazisë gjinore. 

Ajo fillon nga vënia në dyshim e pozitës së grave në teatrin serb. Autoret nisen nga hulumtimi i pabarazive strukturore, prej pagave të pabarabarta, dhuna e normalizuar e riprodhimi i patriarkatit. 

Fillon me shembullin e një rasti në Akademinë e Shkencave të Serbisë, institucionin më të lartë shkencor të vendit, ku shumë pak gra janë akademike. Më pas zhvendosen në futboll e deri në teatrin gjerman, aty ku kritikohet qasja e regjisorit të njohur gjerman Frank Kastner ndaj aktoreve. Vlerësojnë se aty ku duhet të ndodhë emancipimi dhe gjithëpërfshirja, ngjan e kundërta. 

Shifrat që shfaqin proporcionet e përfshirjes së dramaturgeve e regjisoreve gra qëndron shumë më mirë në teatrot e pavarura si në “Bitef” e “Atelje 212”, ku numri midis artistëve e artisteve është gati i barabartë, për dallim nga Teatri Kombëtar i Serbisë ku dallimi është në kulm. Sipas tyre, nëse do të llogaritej rezultati i përgjithshëm i hulumtimit të tyre, do të dilte 32 me 2. 

Dyshja në skenë shprehet se nuk janë kundër individëve, por kundër sistemit. Shfaqja në fillim është në formën e një prezantimi. Ato nuk kanë barriera me publikun. Reagojnë edhe prej reagimeve e komenteve të publikut. Ato e pyesin publikun nëse e bëjnë punën me dëshirë, të buzëqeshur derisa punojnë. 

Është shfaqje bashkëkohore feministe e shumëdimensionale. Përfshin performancë e media audiovizuale. Ajo është shpesh kundërthënëse dhe ngjan se këtë e adreson te gratë që nuk bëjnë për njëra-tjetrën. Me ironi futet edhe dhurim i gjakut. 

Në shfaqje, Olga Dimitrijeviq tregon se ka dhuruar gjak e më pas, siç i kanë takuar, ka kërkuar dy ditë pushim te Maja Peleviq. Reagimi i saj në qortimin e Olgës ka qenë një lloj pasqyre e ndikimit në jetën e saj në një sistem të tillë.

Puna e papaguar është një tjetër fragment. Kundërthënia tjetër vjen kur pas gjithë lëvdatave për teatrin “Bitef”, madje as ky institucion, kinse, nuk i ka paguar për punën e tyre. Proceset në shfaqje janë kreative. 

Në pjesën e fundit të shfaqjes vihet në pikëpyetje edhe loja e tyre në skenë. Dëshmohet e manipuluar dhe e kontrolluar nga një burrë. “Regjisori” u kundërvihet. Këngët e tyre të cilat i këndonin për liri bëhen të pakuptimta kur të detyruara këndojnë për liri. Ka qenë kërkesë e rreptë regjisoriale ndaj aktoreve gra që përfshin dhunë, ngacmim e çka jo tjetër. 

Bashkautorja e shfaqjes e performuesja Maja Peleviq, ka thënë se kjo pjesë është rikrijim i një audioje që kishte dalë nga provat e regjisorit gjerman Frank Kastner. Aty është sjellja e tij me aktoret gra. 

“Është zëri i njërit prej koreografëve tanë. Në internet gjetëm një provë të punimit të një shfaqjeje të një regjisori të famshëm gjerman, Frank Kastner. Mënyrën se si ai sillet me aktoret gjatë provave. Ne e bëmë një lloj riinterpretimi të saj. Koreografi ynë thotë gjërat që në fakt po i thoshte Kastner drejtuar aktoreve të tij. Ky në fakt është një lloj homazhi për sjelljen e tij”, ka thënë Peleviq derisa ka ripërsëritur se ka qenë kryekëput e bazuar në këtë material. 

“Ai ka thënë se gratë nuk janë aq të talentuara sa burrat dhe i ka krahasuar ato me futbollin e grave dhe burrave kinse janë disa disiplina ku burrat janë më të talentuar”, ka thënë ajo. 

Sipas Maja Peleviqit, e cila bashkë me Olga Dimitrijeviq e ka punuar dramaturgjinë, regjinë e vetë lojën në skenë, më shumë sesa paraqitje skenike, ideja ka qenë të bëhet një shfaqje për gratë në teatër dhe pozitën e tyre në këtë institucion. 

“Ne të dyja në fakt jemi dramaturge dhe jo performuese profesionale. Ideja ishte të bëjmë një shfaqje për gratë në teatër dhe pozitën e tyre në këtë institucion. Në përgjithësi nisim me kuotën se si kaq shumë gra punojnë në teatër, por në fakt shohim se sa reprezentuese janë ato aty dhe se si trajtohen në shfaqje dhe performanca. Duke qenë se kemi shumë përvojë në teatër si dramaturge dhe regjisore, jo aq shumë në performimin e arteve, donim të ishte diçka autentike dhe se në çfarë drejtimi shkon eksperienca e të punuarit në teatër. Donim të ishte një lloj teatri dokumentar”, ka thënë ajo. 

Shfaqja në teatrin “Dodona” përfshin edhe materiale dokumentare dhe është midis tjerash, rezultat i hulumtimeve me regjisore teatri e dramaturge mbi temën e barazisë gjinore (Foto: Esad Duraki)  

Olga Dimitrijeviq ka thënë se me shfaqjen nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa kanë shfaqur pozitën e gruas në shoqëri në përgjithësi, me fokus në teatër. 

“Ne flasim për barazinë gjinore, por gjithashtu për të drejtat e punës artistike, për të drejtat e barabarta në përgjithësi, që shpesh shoqëria i harron. Ne të dyja duam të shohim në gjërat ndryshe sidomos në feminizëm dhe në barazi gjinore, jo vetëm nga perspektiva liberale feministë, por ne në rend të parë insistojmë shumë në ndërlidhjen e kësaj teme me të tjetra çështje. Të kemi këtë shfaqje për të punuarit në teatër, për strukturimin e barazisë së të punuarit aty. Njerëzit thonë se teatri është pasqyra e shoqërisë, prandaj ne konsiderojmë se duhet t’i shpërfaqim ato”, ka thënë ajo.

Në fund, Olga vendos ta lërë teatrin, duke e vlerësuar të ndyrë. Madje e vë në pikëpyetje edhe vetë shfaqjen e tyre, rezultatin dhe mesazhet. Vendos të kthehet në punën e saj të papaguar në shtëpi. Krejt publikun e fton në skenë të marrë nga një palpetë të përgatitur nga ajo.

“Po, ne gatuam palpeta për publikun, kjo është pjesë integrale e shfaqjes. Ishte performancë shumë e mirë, patëm komunikim të mirë me audiencën. Shikuesit ishin shumë të koncentruar dhe në një formë të lumtur me gjithë ngjarjen, sidomos për shkak të përmbajtjes feministe, që është shumë e rëndësishme për ne. Ishte mbrëmje shumë e bukur këtu në teatrin ‘Dodona’”, ka thënë Olga Dimitrijeviq. Nata e dytë ka vazhduar edhe me shfaqjen dance-teatër, “O zot, o zot e zoja shpisë” nën koreografi të Robert Nuhës e tema e pabarazisë edhe në art e kulturë – që i është përshtatur shfaqjes “Një botë pa gra” – është zbërthyer edhe në ato që quhen “diskutime feministe”. Të premten është mbajtur ai në temën “Përtej barrierave: gjithëpërfshirja në kulturë dhe art”, sikurse edhe programi i filmave të shkurtër. 

“A mund të imagjinojmë forma të reja për t’i thyer këto pabarazi? A mundet teatri të bëhet një hapësirë për luftë sindikale për greva kundër seksizmit dhe shfrytëzimit?”, janë disa prej pyetjeve që ngrit “Një botë pa gra”. Njëra prej përgjigjeve do të mund të ishte vetë “FemArti”, jo vetëm si formë për të rrëfyer e përballur me pabarazi. Në edicionin e 12-të fton për “Motërzim në kohë lufte e paqeje”, sepse “në kohën kur bota shënon vuajtje të njëpasnjëshme, thirrja ‘Motërzim në kohë lufte është domosdoshmëri për të siguruar paqe”.