Asamblisti i pavarur, Rifat Deri, e ka zyrtarizuar kërkesën për ndërrimin e emrit të bibliotekës me arsyetimin se Hivzi Sulejmani “ka qenë i përfshirë në procese që çuan në vrasjen e shqiptarëve”. Ky propozim u diskutua në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal për vitin 2021, ku u mor vendim që para se të bëhet një gjë e tillë, të konsultohen institucionet relevante dhe njohës të veprës së Sulejmanit. Komuniteti letrar është i ndarë në dysh sa i përket kësaj çështjeje
Prishtinë, 13 janar – Se a duhet gjykuar një shkrimtar vetëm për krijimtarinë letrare apo edhe për vendimet e tjera që merr gjatë jetës së tij, është çështje që e ndan në dysh komunitetin letrar.
Disa shkrimtarë e përkrahin, e të tjerë e kundërshtojnë kërkesën e asamblistit Rifat Deri, që biblioteka e qytetit që ndodhet në lagjen “Dardania” nuk e meriton ta mbajë emrin e shkrimtarit Hivzi Sulejmani “për shkak të së kaluarës së tij të errët”, kur si kryetar i Gjykatës në Prizren “dënoi me pushkatim e burgim shqiptarët, vetëm për shkak që s’i takonin ideologjisë komuniste të asaj kohe”.
Propozimi i tij që këtij institucioni t’i ndryshohet emri në Biblioteka e Qytetit të Prishtinës, u diskutua në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal të Prishtinës për vitin 2021, që u mbajt të premten e 8 janarit. Ndërrimi i emrit të bibliotekës u parapa me pikën 11 të rendit të ditës dhe pas diskutimeve u propozua që kjo çështje të trajtohet më në detaje.
Rifat Deri e ka iniciuar ndërrimin e emrit, me arsyetimin se Hivzi Sulejmani ka qenë i përfshirë në procese që çuan në vrasjen e shqiptarëve. Nisma e tij daton para dy vjetësh në kuadër të ndërrimit të emrit të rrugëve dhe institucioneve në Komunën e Prishtinës, të cilat, sipas tij, janë të emërtuara në mënyrë të padrejtë.
“Sa i përket Bibliotekës së Prishtinës që është emërtuar Hivzi Sulejmani, unë kam informacione të bollshme edhe arkivore, edhe dokumentacione se biblioteka nuk e meriton emrin e tij. Parashtrohet pyetja: Pse? Sepse ky njeri është i shkolluar prej vitit 1935 deri më 1940 në Beograd. Me rastin e hyrjes së fuqisë së pushtimit ushtarak të asaj kohe, ose orës policore ushtarake, emërtohet si gjykatës i Gjykatës në Prizren, ku dënon shumë shqiptarë me pushkatim dhe me burgim të rëndë, vetëm e vetëm se nuk i takonin ideologjisë komuniste të asaj kohe”, ka thënë Deri.
Kjo nismë e tij ka nxitur debat mes pjesëtarëve të komunitetit letrar në Kosovë, të cilët – njësoj sikurse asamblistët në mbledhjen ku u diskutua kjo nismë – nuk kanë qëndrim të njëjtë.
Shkrimtari Nazmi Rrahmani thotë se bibliotekës nuk duhet t’i ndërrohet emri në asnjë mënyrë. Për këtë ai numëron disa arsye. Thotë se Hivzi Sulejmani është një prej kritikëve më të mëdhenj të shoqërisë së kohës në të cilën jetoi.
“Le t’i lexojnë letrat, shkrimet, literaturën e tij, romanin ‘Njerëzit’, ‘Fëmijët e lumit tim’, tregimet e reagimet e tij kundër të gjitha deformimeve të shoqërisë së atëhershme dhe ta shohin se kush është Hivzi Sulejmani”, ka thënë Rrahmani për KOHËN. Ai po ashtu ka përmendur se Hivzi Sulejmani ia dhuroi pronën e vet private fëmijëve të Prishtinës. Kur vdiq në vitin 1975 në Spitalin e Prishtinës, shkrimtari i njohur Hivzi Sylejmani shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit, rrugës që të çon në parkun Gërmia, ia fali shoqërisë. Ndërkaq, në lagjen “Tophane” për shtatë dekada, në objektin e vitit 1930 që mbrohet si monument, funksionoi biblioteka kryesore “Hivzi Sulejmani”, krahas degëve të saja në kryeqytet e në fshatra. Prej aty, kjo bibliotekë u zhvendos në gusht të vitit 2016, në objektin e ri në lagjen “Dardania”.
Rrahmani përmend edhe të tjera arsye kur kundërshton ndërrimin e emrit të bibliotekës.
“E treta arsye është që romani ‘Njerëzit’ është romani i parë i shkruar në letërsinë e Kosovës, edhe pse censura nuk e lejoi të botohej deri më 1966”, ka thënë Rrahmani, duke shtuar se para se të merret një vendim duhet konsultuar shoqëria civile, njerëzit e fushës e të letërsisë dhe njohësit e personalitetit të Sulejmanit.
Mendim krejtësisht të kundërt me Rrahmanin jep Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
“Shkrimtari nuk lidhet vetëm me veprën e tij, por edhe jetën, sepse jeta e tij është vepra e tij. Iniciatori ka shumë të drejtë. Këta emra na janë imponuar nga sistemi jugosllav, prandaj e konsideroj të drejtë këtë nismë të këtij asamblisti. Ai ka qenë prokuror dhe ka gjykuar njerëzit me vdekje, e tek më vonë e ka ndryshuar veprimtarinë”, ka thënë Galica. Për ta fuqizuar mendimin e tij, ai citon një thënie të Ernest Hemingwayit: “Shkrimtari duhet të jetë koherent me jetën dhe idealet e tij kur shkruan, se ka disa që ndryshe jetojnë, ndryshe mendojnë dhe ndryshe shkruajnë”.
Shkrimtari Binak Kelmendi, kryetar i PEN-Qendrës së Kosovës, i takon grupit të atyre që kundërshtojnë ndërrimin e emrit të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, sado që sipas tij, është vështirë që karriera e dikujt të ndahet nga puna artistike.
“Ai ka qenë prokuror në një kohë pa kohë, kur shqiptarët kanë qenë të përndjekur nga pushteti – ndaç ta quajmë komunist, ndaç serb. Ai ose është dashur të veprojë ashtu ose të shkojë me shqiptarët e përndjekur, ose të bëjë vetëvrasje. Me sa di unë ai më vonë është penduar dhe pendesa e vonë është ajo që mund ta amnistojë çdo njeri”, ka thënë Kelmendi. “Jam kundër ndryshimit të emrit, sepse po të shkojmë ashtu do të duhej të ndryshohen shumë emra”, ka shtuar ai. Edhe Kelmendi e përmend faktin që Hivzi Sulejmani ia dhuroi qytetit të Prishtinës shtëpinë e tij.
Por, Deri sqaron se kërkesa e tij lidhet vetëm me objektin e bibliotekës që ndodhet në lagjen “Dardania” dhe jo me shtëpinë e Hivzi Sulejmanit në “Taukbashçe”.
“Unë nuk e kam pasur absolutisht mendjen për shtëpinë. Komplet përqendrimi im është në këtë bibliotekë dhe në të ardhmen që bibliotekat e qytetit të quhen Biblioteka të Qytetit të Prishtinës. Mos të krijomë situata që të themi ky ka qenë shkrimtar më i mirë, më i dobët a më i bukur. Ta bëjmë një uniformim, të gjitha bibliotekat të quhen Bibliotekat e Qytetit të Prishtinës”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka thënë se një vendim i tillë nuk mund të merret pa u përfshirë edhe institucione të tjera relevante. Në diskutimin mes asamblistëve, ndër të tjera u përmend që për këtë çështje të kërkohet edhe qëndrimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Unë po supozoj që Rifati e ka me rolin e Hivzi Sulejmanit në gjykimet e vitit 1945 që janë quajtur ‘gjykimet e popullit’, ku kanë qenë disa shkrimtarë të përfshirë. Megjithatë, po e them se me një vendim të tillë, me një diskutim 10-minutësh, përveç që nuk është ligjore, nuk është edhe aspak – po e them kështu informuese. Sepse kur të marrë një vendim Kuvendi Komunal do të ketë pyetje edhe nga qytetarët, edhe nga mediat, duhet të ketë një arsyetim të qartë”, ka thënë Ahmeti. Ai ka propozuar që edhe Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës të japë udhëzime se cilat procedura duhen ndjekur për ndërrimin e emrit të një institucioni.
“Ajo që kisha propozuar sot është që Kuvendi ta mandatojë ekzekutivin, që për mbledhjen e radhës ta përgatisë se cilat janë procedurat ligjore për ndryshimin e emrit të një institucioni dhe në të njëjtën kohë, nëse doni, ne mund të kërkojmë informata e përgjigje nga institucionet relevante për rolin, karrierën, historinë e Hivzi Sulejmanit”, ka thënë Ahmeti.
Nga ana tjetër, Munish Hyseni, drejtor i kësaj biblioteke, nëpërmjet telefonit i ka thënë KOHËS se nuk është në dijeni për këtë nismë. Ai shkurtimisht ka thënë se Hivzi Sulejmani është një figurë komplekse dhe se vendimi duhet marrë duke konsultuar njohësit e veprimtarisë së tij.
Në vitin 2019, kur Deri e përmendi kërkesën për ndërrimin e emrit të institucionit bibliotekar, personalitete të njohura të letërsisë nuk e përkrahën këtë ide.
Në njërin nga shkrimet e veta, profesori universitar dhe shkrimtari Agim Vinca shkroi se shumë studiues e kanë quajtur Sylejmanin shëmbëlltyrë morale.
“Të gjithë studiuesit që kanë shkruar për Hivzi Sulejmanin (R. Qosja, H. Mekuli, M. Raifi, B. Krasniqi, S. Hamiti etj.) e kanë quajtur atë ‘shëmbëlltyrë morale’, duke u nisur nga qëndrimi i tij në jetë dhe sidomos nga vepra e tij letrare e cilësuar si përmendore e moralit njerëzor. Nuk do t’ia falnin as njërën, as tjetrën ata që në vitet ’80 kërkonin heqjen e emrit të tij nga institucionet e Kosovës – emisarët e politikës serbomadhe, ashtu siç kërkojnë sot, tek-tuk, për arsye të tjera, por me logjikë pak a shumë të njëjtë, përjashtuese, edhe individë nga radhët e shqiptarëve”, kishte shkruar Vinca. Në këtë shkrim ai, po ashtu, përmend faktin se Hivziu ushtroi detyra shtetërore me rëndësi, çfarë ishte ajo e kryetarit të Gjyqit të Qarkut në Prizren (më vonë edhe e prokurorit krahinor), që e solli në pozitë të nënshkruante edhe dënime me vdekje të njerëzve që konsideroheshin “armiq të popullit” në një kohë kur Kosova gjendej nën administrim ushtarak, por sipas tij veprimet e tij, gabimet dhe lëshimet, sikundër edhe vlerat dhe meritat, duhet parë në kontekstin e kohës dhe nuk duhen gjykuar me kriteret e sotme.
“Është ai dokumenti fatkeq i aktgjykimit të krerëve të LNDSH-së i vitit 1945, i nënshkruar nga ai në cilësinë e kryetarit të Gjykatës, për të cilin opinioni ynë, me ndonjë përjashtim, nuk e ka ditur më parë, por është njoftuar kryesisht në kohë të fundit, herë-herë edhe përmes interpretimesh keqdashëse nga njerëz që aktet e këtilla dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për ‘kapital politik’, si dhe për ‘ndreqjen’ e biografive të veta problematike. Nuk do mend se ky veprim, i kryer në moshë relativisht të re dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, nuk i bën nder aspak atij. Përkundrazi. Por, Hivziu ‘e lau’ si të thuash gabimin e vet të hershëm (të pafalshëm) me qëndrimin e tij intransigjent ndaj hegjemonizmit serb gjatë gjithë jetës së tij të mëvonshme dhe sidomos me veprën e tij letrare kryekreje kritike ndaj burokracisë politike dhe oligarkisë pushtetore të kohës, e cila bëri shpërdorime të mëdha në emër të socializmit, ashtu siç bëhen edhe sot po aq, në mos edhe më shumë, në emër të demokracisë”, kishte theksuar ai.