Ka nisur nata e dytë e Festivalit të Këngës. Të premten do të perfomojnë 16 garues të “Fest 2”.
Të premten vendoset edhe për këngët që do të paraqiten në natën finale.
Në natën e dytë është vërejtur numër me i vogël i publikut pjesëmarrës në sallë. Sa i përket këngëve prezantuese, të njëjtat janë interpretuar veçse është ndërruar renditja e këngëve.
Në natën e dytë të Festivalit të Këngës jenë mysafirë specialë janë Mjellma e Shkumbin Istrefi dhe rock-grupi “Lindja”. Mjellma e Shkumbin Istrefi janë ngjitur në skenë për të interpretuar së bashku. Ka qenë një lloj “zënke” midis tyre sa i përket përzgjedhjes së këngëve. “Pranverë në Prishtinë” dhe “Fever” e Peggy Lee janë bërë një lloj “mashup-i”.
Gazetarja Sonila Meço nga Shqipëria është ftuar për të prezantuar një pikë në natën e dytë të Festivalit.
“Ta duash Kosovën do të thotë të presësh kaq gjatë. Që të shkelësh në një skenë të tillë do të ndodhte vetëm në Prishtinë”, ka thënë ajo. “Rocku do të jetojë gjatë”, ka vlerësuar ajo derisa ka rrëfyer historinë e rockut në Prishtinë. Tetë konkurrentë të Festivalit të Këngës kanë kënduar këngë hite si “Kaçurrelja”, “Unë dhe ti” të Pirro Çakos dhe Rovena Dilos, “Heroi i qytetit pa lumë” të “Gjurmëve”.
Tjetër pikë artistike ka qenë edhe ajo ku nën tingujt e këngës “Mesnata” të së madhes Vaçe Zela, balerinët Fatmir Smani dhe Mërgime Morina kanë sjellë baletin e tyre në një vallëzim romantik. E veçanta e këngës ka qenë se si nis me zërin e Vaçe Zelës dhe shkrihet në atë të Flaka Krelanit.
Festivali i Këngës në RTK, kaherë ishte premtuar të organizohej si një lloj vazhdimësie e rilidhjeje me “Akordet e Kosovës” me të cilin ka një shkëputje prej gati tri dekadash. “Akordet…” kishte qenë njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë që rrugëtimin e nisi në vitin 1963. Vitet ‘90 qenë kohë sfidash për ngjarjen që përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, më 1995 dështoi. Në edicionin e vjetëm, historik, organizatorët pritën që në edicionin e dytë, këngës fituese t’i hapet rrugë për “Eurosong”, por edhe sivjet mbetet larg tij.