Kulturë

Dhjetëshja e parë e finalistëve të “Eurovisionit” në hijen e luftërave

Dhjetëshja e parë e finalistëve të “Eurovisionit” e përzgjedhur të martën mbrëma

Dhjetëshja e parë e finalistëve të “Eurovisionit” e përzgjedhur të martën mbrëma

Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qiproja, Kroacia, Irlanda, Luksemburgu kanë shkuar në finale bashkë me finalistët direktë: Britaninë e Madhe, Italinë, Gjermaninë, Francën, Spanjën dhe Suedinë, si nikoqire e sivjetme. Me finale që në natën e parë “janë përshëndetur” Polonia, Islanda, Australia, Moldavia dhe Azerbajxhani. Nata e dytë gjysmëfinale mbahet të enjten e 9 majit kur garon edhe Shqipëria përfaqësuar me “Titan” nga Besa Kokëdhima. Prej asaj nate përzgjidhen dhjetë finalistët e radhës. Finalja e madhe mbahet të shtunën e 11 majit

Me thirrjen “Të bashkuar nga muzika” siç e ka moton e sivjetme, e në hijen e luftërave në Lindjen e Mesme dhe asaj midis Rusisë e Ukrainës, ka frymuar nata e parë gjysmëfinale e “Eurovisionit” të martën mbrëma në Malmo të Suedisë. Është përzgjedhur dhjetëshja e parë e finalistëve. 

Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qiproja, Kroacia, Irlanda, Luksemburgu kanë shkuar në finale bashkë me  finalistët direktë: Britaninë e Madhe, Italinë, Gjermaninë, Francën, Spanjën dhe Suedinë, si nikoqire e sivjetme. 

Gjithsej pesëmbëdhjetë shtete perfomuan duke garuar për dhjetë pozita në finale. Rezultati u vendos përfundimisht nga votat e publikut.  

“Eurovision 2024” nisi me një performancë eksplozive në skenë të tri yjeve të këtij Festivali, Eleni Foureira, Eric Saade dhe Chanel. Ata edhe një herë i fituan zemrat e publikut duke i interpretuar hitet e tyre të “Eurovisionit”. Performanca erdhi si pjesë e segmentit "United by Music", që është slogani zyrtar i Festivalit të Këngës por edhe një mesazh se nuk duhet ta fitosh garën për të qenë fitues në “Eurovision”. Këta tre artistë fituan një mori fansash të rinj me performancat e tyre në këtë ngjarje, dhe që atëherë kanë lansuar disa hite muzikore.

Po ashtu, për herë të parë pesë shtetet e kualifikuara automatikisht në finale –  Britania e Madhe, Gjermania, Spanja, Italia dhe Franca –   performuan live në gjysmëfinalen e parë. Gjithashtu edhe artistët përfaqësues të Suedisë, vendi ku po mbahet festivali, Marcus dhe Martinus, e interpretuan këngën e tyre “Unforgettable“.

Johnny Logan, doli në skenë për ta interpretuar këngën fituese të vitit 2012, “Euphoria”, nga këngëtarja suedeze Loreen. Kjo ishte një performancë e rëndësishme për faktin se të dy, Johnny Logan dhe Loreen, janë artistët e vetëm në histori të “Eurovisionit” që janë shpallur fitues dy herë.
Ka qenë emri i Serbisë që është thirrur i pari në mesin e dhjetë finalistëve të parë, përderisa kënga e Kroacisë prej këngëtarit me emrin artistik Baby Lazanja, “Rim Tim Dagi Dim” sipas bastoreve llogaritet favorite për ta fituar edicionin e 68-të të Garës Evropiane të Këngës. Kënga e tij bashkon elemente të rockut me techno dhe sjell rrëfimin e djaloshit i cili prej fermës niset në qytet të madh. 

Me finale që në natën e parë “janë përshëndetur” Polonia, Islanda, Australia, Moldavia dhe Azerbajxhani. 

Nata e dytë gjysmëfinale mbahet të enjten e 9 majit kur garon edhe Shqipëria përfaqësuar me “Titan” nga Besa Kokëdhima. Prej asaj nate përzgjidhen dhjetë finalistët e radhës. Finalja e madhe mbahet të shtunën e 11 majit. 

Prej vendeve të rajonit, as sivjet nuk marrin pjesë Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Arsyeja: financat. 

Por krejt edicioni i këtij viti i “Eurovisionit” ka nisur zhurmshëm para se përfaqësuesit e shteteve të ngjiten në skenë. 

Izraeli përfaqësohet me një këngë të ndryshuar pasi origjinalja qe refuzuar sherri i shkeljes së kriterit të neutralitetit politik. Disa shtete i kërkuan Unionit Evropian të Transmetuesve përjashtimin nga gara, por një kërkesë si kjo u refuzua. Kënga “Shiu i tetorit” u kritikua sikur krijonte lidhje me sulmet Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar dhe për këtë kënga u bë “Hurricane”.  Tash kënga këndon për një grua e cila kalon një krizë personale. Autoritetet izraelite më herët kishin njoftuar se më me dëshirë do të tërhiqeshin prej garës sesa që ta ndryshojnë tekstin e këngës. Por pasi organizatorët e ndaluan këngën, përfaqësuesi i Izraelit Isak Hercog, kërkoi që të bëhen “ndryshimet e nevojshme” që Izraeli të mund të garojë. Në dhjetorin e kaluar shpërthyen kërkesat për përjashtim. 

Shoqata e Kompozitorëve dhe Kantautorëve në Islandë doli me reagim se për shkak të aksionit ushtarak, pjesëmarrja e  Izraelit nuk lidhet me ngjarjen të cilën e karakterizon “hareja e optimizmi”. 

Në prag të nisjes së javës së “Eurovisionit”, autoritetet në Suedi kanë forcuar masat e sigurisë në Malmo edhe për shkak të protestave të paralajmëruara. 

Prezantuese të këtij edicioni janë aktorja suedeze me karrierë në Hollywood, Malin Åkerman dhe Petra Mede, aktorja suedeze e cila edhe dy herë më parë e ka udhëhequr garën më të madhe evropiane të këngës. 

Edhe sivjet Rusisë dhe Bjellorusisë u është ndaluar pjesëmarrja për shkak të luftës në Ukrainë e cila ka hyrë në vitin e tretë. 

Në Garë marrin pjesë 37 interpretues të cilët emetuesit anëtarë të EBU-së i kanë përzgjedhur si përfaqësues shtetërorë të tyre. Këngët për “Eurovision” duhet të jenë origjinale dhe jo më të gjata se tre minuta. Këngëtari kryesor duhet të këndojë live, e në skenë gjatë një performance mund të jenë më së shumti gjashtë këngëtarë e valltarë. Shumica e vendeve pjesëmarrëse janë shtete evropiane. Megjithatë, Australia merr pjesë qysh prej vitit 2015 kur u ftua ta dërgojë përfaqësuesin e saj në festën e 60-vjetorit të “Eurovisionit”. Por Australia nuk mund të jetë nikoqire. Nëse fiton duhet ta përzgjedhë një vend evropian që e organizon garën në emër të sajin. Vendeve të tjera joevropiane, në mesin e të cilëve edhe Izraeli, u lejohet pjesëmarrja, pasi janë anëtare të EBU-së. 

Gara e sivjetme mbahet në Suedi pasi Loreen me “Tattoo” triumfoi në vitin 2023. U bë gruaja e parë që fiton dy herë në “Eurovision” pas triumfit më 2012 me këngën “Euphoria”. 

Është hera e tretë që Malmo bëhet nikoqir i “Eurovisonit” e për herë të shtatë Gara Evropiane e Këngës mbahet në Suedi. Pasi sivjet shënohet 50-vjetori i fitores së parë të Suedisë, me grupin ”ABBA” dhe këngën “Waterloo”, u spekulua se anëtarët do të dalin në skenë, por shpejt e mohuan një gjë të tillë.  

Në gjysmëfinale voton publiku prej vendeve pjesëmarrëse dhe atyre të vendeve të tjera. Në finale secili shtet pikët i ndan në dy pjesë: njëra e jurisë profesionale dhe tjetra prej pikëve të grumbulluara nga votat e publikut. Mund të votojnë për dhjetë këngë pos për këngën përfaqësuese të shtetit të vet. Pikët maksimale janë 12. 

“Eurovisioni” ka qenë njëra prej garave të para televizive që mundësoi votimin nga publiku. 
Shikuesit nga Austria, Gjermania, Suedia, Zvicra dhe Britania e Madhe kanë nisur të votojnë qysh prej vitit 1997. Vendeve të tjera kjo e drejtë iu dha prej vitit 2023. 

Secili transmetues paguan anëtarësimin në EBU. Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar paguajnë më së shumti ani pse shumat nuk bëhen publike. Prej disa vendeve është kërkuar të paguajnë më shumë pas suspendimit të Rusisë dhe si pasojë e kësaj, disa vende janë tërhequr, përfshirë Bosnjë Hercegovinën, Rumaninë e Sllovakinë. Sivjet Luksemburgu u kthye në garë prej herës së fundit më 1993, por aty nuk janë Bullgaria, Hungaria, Mali i Zi, Andorra e të tjerë. 
Llogaritet që organizimi i vitit 2023 në Liverpooli kushtoi prej 9,3  deri në 20 milionë euro.
 


Mësohen finalistët e parë të “Eurovision 2024”

Janë mësuar dhjetë finalistët e parë të “Eurovision 2024”. Të martën mbrëma në Malmo të Suedisë u mbajt gjysmëfinalja e parë e edicionit të sivjetmë të Eurovision.

Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qipro, Kroacia, Irlanda e Luksemburgu kanë siguruar kalimin në finalen e madhe të së shtunës.

Për Luksemburgun është paraqitja e parë pas 31 vjetëve.

Në finale automatikisht janë të kualifikuara “pesëshja e madhe”, Britania e Madhe, Spanja, Gjermania, Franca e Italia. Po ashtu është e kualifikuar edhe Suedia si nikoqire.

Jashtë kanë mbetur Polonia, Islanda, Australia, Moldavia dhe Azerbajxhani. 

Gjysmëfinalja e dytë mbahet të enjten, ku do të përformojë Shqipëria. Shqipëria do të përfaqësohet nga Besa Kokëdhima me këngën Titan.


Nis gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit

Të martën në mbrëmje ka nisur në Malmo të Suedisë gjysmëfinalja e parë e garës së këngës, Eurovision. Në natën e parë do të performojnë 15 shtete.

Shqipëria që përfaqësohet nga Besa Kokëdhima me këngën “Titan” do të performojë të enjten, kur mbahet gjysmëfinalja e dytë.

Sonte performojnë Qipro, Serbia, Lituania, Irlanda, Ukraina, Polonia, Kroacia, Islanda, Sllovenia, Finlanda, Moldavia, Azerbajxhani, Australia, Portugalia dhe Luksemburgu.

10 shtetet më të votuara të seciles gjysmëfinale kalojnë në finale, e cila do të zhvillohet të shtunën, më 11 maj. Finalistë direkt janë Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Franca, Spanja dhe Suedia.

Edicioni i sivjetshëm i Eurovisionit mbahet me sloganin “Të bashkuar nga muzika”.

Këtë vit ka pasur ndryshim në mënyrën e votimit. Shikuesit nuk duhet të presin më që të përfundojë performanca e fundit për të votuar, por do të mund ta bëjnë këtë që nga fillimi i shfaqjes.

Votohet përmes faqes ose aplikacionit të Eurovisionit. Vendet pjesëmarrëse mund të votojnë me SMS dhe thirrje në numrin që do të shfaqet gjatë transmetimit.

LIVE: