Në vitin 2021, “Netflixi” lansoi koleksionin “Tregime palestineze” me 32 filma, nën regji të kineastëve palestinezë ose me histori palestineze. Prej tyre, 19 tituj tash janë hequr. Për këtë veprim kanë vërshuar akuzat se kjo platformë po përkrah gjenocidin ndaj palestinezëve e thirrjet për bojkot
“Netflixi”, për disa kohë ishte në listën e zezë nga aktivistët palestinezë dhe aleatët e tyre, por heqja e fundit e 19 filmave palestinezë ka rindezur thirrjet për bojkot të shërbimit të këtij transmetuesi, raporton “Haaretz”.
Në vitin 2021, “Netflixi” lansoi koleksionin “Tregime palestineze” me 32 filma, nën regji të kineastëve palestinezë ose me histori palestineze. Prej tyre, 19 tituj tash janë hequr.
Përderisa transmetuesi gjigant përballet me kritika për fshirjen e përmbajtjes palestineze në platformën e tij, në një deklaratë të “Netflixit” thuhet se filmat janë hequr pasi u ka skaduar e drejta e transmetimit.
“Code Pink”, organizatë majtiste kundër luftës me seli në SHBA, ka dalë me deklaratë publike në rrjetet e saj sociale, duke theksuar se prej 32 filmave sa ishin në fillim në koleksionin “Tregimet palestineze”, në “Netflix”, ka mbetur vetëm një.
“Shpalosja e tregimeve është një aspekt kyç i mbajtjes gjallë të historisë palestineze dhe ‘Netflix’ po i fshin historitë dhe perspektivat palestineze nga kultura e popullarizuar”, shkruhet në deklaratë.
Organizata inicioi peticion në faqen e saj të internetit, duke bërë thirrje për “kthimin e filmave të fshirë palestinezë”.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me vendimin e ‘Netflixit’ për të hequr nga platforma së paku 19 filma të regjisorëve palestinezë ose me rrëfime palestineze. Fshirja sistematike e zërave palestinezë e pengon publikun e gjerë ta kuptojë realitetin e okupimit brutal të Izraelit, aparteidit, spastrimit etnik dhe tani gjenocidit kundër palestinezëve”, shkruhet në deklaratë.
Deri të martën, mbi 12 mijë veta e kanë nënshkruar peticionin.
Përveç kësaj, organizata për të drejtat e njeriut “Freedom Forward” me seli në San Francisco i është adresuar “Netflixit” me letër të hapur, ku i bën thirrje “të sqarojë se përse janë njoftuar për ‘largimin së shpejti’ të së paku 19 filmave të regjisorëve palestinezë ose për palestinezët”.
Përballë reagimeve të ashpra në dy javët e fundit, kompania e transmetimit iu përgjigj pyetjeve të medieve në lidhje me akuzat, duke thënë se heqja e filmave nuk ka lidhje me ngjarjet aktuale dhe nuk ka për qëllim të pasqyrojë qëndrim politik.
“E lansuam këtë koleksion të licencuar filmash në vitin 2021 për tre vjet”, shkruhet në deklaratën e “Netflixit”. “Licencat tani kanë skaduar. Si gjithmonë, ne vazhdojmë të investojmë në një përzgjedhje të gjerë filmash dhe programesh televizive cilësore për të përmbushur kërkesat e anëtarëve tanë dhe për të promovuar zëra nga krejt bota”.
Si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së “Netflixit”, Sunjeev Bery, drejtor ekzekutiv i “Freedom Forward”, ka thënë për “Deadline” se platforma duhet t’i kthejë filmat.
“Dyshoja se ishte në lojë skadimi i licencave. Në një kohë dhimbjesh e vuajtjesh kaq të mëdha për palestinezët, duket qartë se ‘Netflix’ duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të ruajtur qasjen e publikut global në filmat palestinezë”, ka shkruar Bery, analist politik dhe avokat i të drejtave të njeriut. “Është e habitshme që Netflix ka heshtur për heqjen e këtyre filmave dhe nuk duket se ka bërë përpjekje për të rinovuar licencat ekzistuese”.
Në rrjete sociale janë intensifikuar thirrjet që “Netflix“ të kthejë filmat palestinezë, e disa e etiketojnë platformën si “mbështetëse të gjenocidit" dhe e akuzojnë atë për “përpjekje të hapur për ta fshirë historinë e Palestinës”.
Pos çregjistrimit, jo pak shprehin zemëratë dhe i cilësojnë veprimet e platformës si fshirje të narrativave palestineze.
Koleksioni i “Netflixit” ishte një përzierje e filmave artistikë dhe të shkurtër, shumë prej të cilëve fituan çmime në festivalet ndërkombëtare të filmit. Aty bënin pjesë “Giraffada” i Rani Massalhit, “Mars at Sunrise” i Jessica Habiet, “Divine Intervention” i Elia Souleimanit, “Like 20 Impossibles” i Annemarie Jacirit dhe “The Present” i Farah Nabulsit.