“Kur e kam parë se u ndalua Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, kam ndier nevojë të bëj diçka. U ktheva nga një mini-turne në Maqedoninë e Veriut e në Kosovë. Jam ndier i turpëruar pas mikpritjes që kam përjetuar atje, e njerëzit pas dhjetëvjetëshit të këtij festivali përjetojnë këso maltretimi i përuljeje”, ka thënë politikani Çanak në lidhje me organizimin që do të bëjë në fermën e tij për organizatorë e pjesëmarrës të “Mirëdita, dobar dan”, anulimi i të cilit tashmë zë edhe ballinat e mediave botërore
Zërat në përkrahje të një festivali që synon ura bashkëpunimi janë të zbehtë kur peshohen në raport me thirrjet e ekstremistëve serbë të cilëve u bindet edhe shteti që merr urdhër ta ndalojë “Mirëdita, dobar dan!”
Por Nenad Çanak nuk ndalet. S’e ka ndër mend as të dorëzohet siç nuk ka bërë tash e tridhjetë e sa vjet në beteja kundër luftërave a çfarëdo urrejtjeje midis popujve. Sapo e ka marrë vesh për anulimin e “Mirëdita...” me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, të enjten, është “mobilizuar” me disa miq e shokë të tij që të kundërpërgjigjet. Dhe këtë e bën në stilin e tij.
Ka ftuar organizatorët e festivalit e një pjesë të grupit nga Kosova në konakun e tij. Ka përgatitur për ta një program. Dita: e shtunë. Adresa: Ferma e tij në Novi Sad.
Vendimi i Çanakut ka një rrëfim prapa. Për anulimin e festivalit, politikani 64-vjeçar, themeltar e ish-kryetar Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, mbi të gjitha përkrahës i kahershëm i pavarësisë së Kosovës, ka një version të tijin.
“Kur e kam parë se u ndalua festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, kam ndier nevojë të bëj diçka. U ktheva nga një mini-turne në Maqedoninë e Veriut e në Kosovë. Jam ndier i turpëruar pas mikpritjes që kam përjetuar atje, e njerëzit pas dhjetëvjetëshit të këtij festivali përjetojnë këso maltretimi i përuljeje. Autobusi është kthyer para se të mbërrijë në Beograd, por një pjesë e pjesëmarrësve kanë qenë këtu dhe kanë marrë pjesë në disa tubime”, ka thënë Çanak të premten në mbrëmje për KOHËN, në një bisede telefonike. Do t’i ftonte organizatorët dhe do t’ua vinte në dispozicion fermën e tij, ndërkohë me miqtë e tij do ta hartonte programin. Të shtunën në fermën e tij, Dinko Gruhonjiq, gazetar e profesor universitar do të flasë për lirinë e universitetit dhe rolin e gazetarisë, bateristi i grupit “Ekaterina Velika”, Ivan Fece-Firçi do të flasë për rock’n’rollin në ish-Jugosllavi dhe rolin e tij në lidhjen midis njerëzve në Evropën Juglindore e aty do të hapet dhe ekspozita e strip-artistit të njohur botëror, Zoran Janjetov. Vetë Çanak dihet se për çfarë do të flasë. “Për situatën politike në Serbi në tri dekadat e fundit”, ka thënë aktivisti karizmatik. “Kjo është ajo që kemi mundur të organizojmë për 12 orë. Na janë dashur kaq orë që ta organizojmë krejt këtë”, ka thënë në qeshje Çanak, mysafir i shpeshtë edhe në Kosovë.
Një ditë para anulimit të “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, ai ka qenë në Prishtinë në panelin “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”. Aty kishte qenë edhe Natasha Kandiq, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare Serbia e cila qe e shpejtë në reagimin e saj për rastin “Mirëdita...”
“Serbia dhe institucionet e saj janë rreshtuar në anën e huliganëve dhe në terrin më të zi etnonacionalist”, kishte shkruar ajo.

Si situatë irracionale, e cilëson Çanak krejt këtë rast.
“Në këtë moment tashmë kjo është shndërruar në diçka krejt irracionale. Personalisht mendoj se ky urdhër – që të mos mbahet festivali – është pasojë e gjërave të përgatitura gjatë. Është naiv. Dikush do të thoshte që është pasojë e takimit të dështuar midis presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, por unë mendoj se kjo është menduar më herët...”, ka thënë Çanak. Këtë lidh edhe me deklaratat e mëhershme të zyrtarëve shtetërore. E veçon atë të Aleksandar Shapiqit, kryetar i Beogradit, ndër të parët që i dha flakë kundërshtimit të festivalit i cili sivjet do të shënonte edicionin e 11-të.
“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, kishte thënë Shapiq, duke shtuar se festivali po tenton që të “falsifikojë dhe ndryshojë drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.
“E tash pasi ferma ime është pronë imja, nuk e di saktë se do të mund të ma ndalojnë të më vijnë mysafirët”, ka thënë Çanak për KOHËN kur ka folur për organizimin e tij për “Mirëdita...”. Ai është i bindur se të gjithë ata që i ka ftuar, do të jenë mysafirë të tij.
“Të gjithë vijnë. Të gjithë këta që janë në Beograd do të vijnë. Paradite do të kenë disa angazhime. Vijnë organizatorët nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe të tjerë organizatorë të Festivalit ‘Mirëdita...’ përfshirë edhe mysafirët nga Kosova”, ka thënë Çanak.
Por grupi i fundit nga Kosova, është kthyer në Prishtinë një orë para bisedës së KOHË-s me Çanakun. E ka konfirmuar Kushtrim Koliqi, udhëheqës i “Integras”, bashkorganizatore e “Mirëdita...”, ashtu siç e ka konfrimuar edhe ftesën e Çanakut. “Por nuk kemi shkuar. Gjest i mirë prej tij, por për shkak të situatës së rënduar, nuk shkojmë”, ka thënë Koliqi.
Por çka nëse në fermës së Çanakut ia mësyjnë edhe “mysafirë të paftuar” që të enjten rrethuan vendin ku do të bëhej hapja e “Mirëdita...” , vërshuan rrugët e Beogradit me këngë e thirrje nacionaliste edhe për vrasjen e shqiptarëve.
“Ah, këtu nuk mund të vijnë”, ka thënë Çanak nëpërmjet telefonit në ditën kur anulimi i një festivali zë edhe ballinat e mediave botërore si “The Guardian” përderisa bëhet edhe temë diskutimi të niveleve më të larta shtetërore.
“Autoritetet e Beogradit, pas protestave nacionaliste, anulojnë festivalin artistik për ura bashkëpunimi midis etnive”, ka qenë titulli i mbajtur gjatë gjithë ditës së premte në ballinën e “The Guardian”. Po të premten janë deklaruar edhe kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës.
“Personalisht besoj se përgjigja më e mirë ndaj organizatorëve të ngjarjes është shpërfillja”, ka thënë Millosh Vuçeviq, kryeministër i Serbisë. Për protestuesit e ekstremistë ka thënë se ata “bënë gjithçka për të treguar se Serbia është shtet që nuk i pranon ata që nuk kanë qëllime të mira ndaj shtetit dhe popullit serb”.
“Nuk ia vlen për ne që të kemi luftë civile në rrugë dhe kaos. Për ne, të kemi policë, prona dhe njerëz që vdesin për të mbrojtur art që na thonë se jemi terroristë, kriminelë, popull gjenocidal. E dini çfarë, vlerësimi ynë është se ky është vendimi më i mirë marrë parasysh rrethanat”, citohet të ketë thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, Serbia në vend të artistëve, ua dha fjalën huliganëve. Ka shkruar se Serbia ka ndaluar një festival që është nismë e Bashkimit Evropian. “Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga SHBA-ja, Serbia ndaloi të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE-ja, festivalin e ‘Mirëdita, dobar dan’”, ka shkruar Kurti. Sipas tij, festivali është rrëmbyer nga udhëheqësit e Serbisë.
“Festivali kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, dobar dan’ u rrëmbye nga zëvendëskryeministrit i Serbisë Aleksandar Vulin dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve. Për fat të keq, Serbia ka shfaqur edhe një herë armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”, ka shkruar Kurti.