Kulturë

“Negotiating Peace” me prapaskenat e negociatave për paqe në Itali

Negotiating Peace

Pas “The Handke Project” që ishte shfaqur dy vjet më parë në festivalin italian, kësaj here programin e “Mittelfest” e pasuron “Negotiating Peace” që do të shfaqet më datë 20 të muajit të ardhshëm. Shfaqja do të jepet në “Teatro Ristori” në Itali. Emra botërorë të teatrit e këngës operistike kanë ngjitur skenën ku do të interpretojë trupa e aktorëve të shfaqjes që nxit publikun të shikojë ngjarjet politike nga një tjetër perspektivë

Në Gjermani, Çeki, e disa vende ballkanike kishte rezultuar më shumë se e suksesshme. Shfaqja që sjell “prapaskenat” e negociatave për paqe tash do të jepet edhe në Itali. Në kohën kur bota ka sytë te lufta në Ukrainë e gjendja në Palestinë, shfaqja sjell një copëz ngjarje të rrëfimeve mbi negociatat e konflikteve të mëdha. Kosova e Serbia janë retrospektivë në shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. 

Publiku evropian, njashtu si ai i festivalit “Mittelfest” ku do të jepet shfaqja, veçse është i njoftuar me artin e guximshëm skenik të dyshes. Shfaqjet e suksesshme që prekin politikën e shoqërinë i kanë shpalosur nëpër turne edhe jashtë kontinentit, deri në Amerikë. 

Pas “The Handke Project” që ishte shfaqur dy vjet më parë në festivalin italian, kësaj here programin e “Mittelfest” e pasuron “Negotiating Peace” që do të shfaqet më datë 20 të muajit të ardhshëm. 
Festivali është një prej bashkëproducentëve të shfaqjes. Pritet që, siç zakonisht ngjan, edhe kjo e radhës në Itali të ngjallë diskutime. 

“Në turneun që patëm në muajin nëntor, në Çeki e Gjermani, shfaqja është pritur me shumë entuziazëm, por edhe ka ngjallur shumë diskutime rreth krejt kësaj që po ndodh aktualisht në botë, më specifikisht, me luftën në Ukrainë dhe në Palestinë. Festivali ‘Mittelfest’ është edhe njëri nga koproducentët e shfaqjes sonë dhe kjo për të dytën herë - pas bashkëpunimit që kemi pasur me shfaqjen ‘The Handke Project’”, ka thënë Blerta Rrustemi-Neziraj, regjisore e shfaqjes “Negotiating Peace”. 

Ajo ka thënë se pret që shfaqja të pritet në po të njëjtën frymë sikur në vendet kur është shfaqur paraprakisht. 

“T’iu them të drejtën, për sa i përket asaj se si do ta presë publiku shfaqjen, kjo gjë është thuajse e paparashikueshme dhe zakonisht nuk kam pritje të mëdha. Shpresë kam, natyrisht, që të pritet po aq mirë siç është pritur edhe në Gjermani, Çeki, Kroaci e vende të tjera ku është shfaqur deri tani”, ka thënë regjisorja Rrustemi-Neziraj në një përgjigje për KOHËN. 

Prej kur u dha premierë më 16 tetor të vitit të kaluar, “Negotiating Peace” ka qenë në turne. Shfaqjen e fundit e pati në Zagreb më 7 qershor. Paraprakisht ishte shfaqur edhe në Hamburg, duke iu kthyer edhe një tjetër herë publikut gjerman më 20 e 21 korrik. 

“Shfaqja ‘Negotiating Peace’ pas premierës së vitit të kaluar në teatrin ‘Oda’, ka pasur rrugëtimin e vet në regjion si dhe në disa vende të Evropës. Së fundmi kjo shfaqje u prezantua në Zagreb, para rreth dhjetë ditësh, në festivalin ‘Ditët e satirës’ në teatrin ‘Kerempuh’, ku patëm një pritje të jashtëzakonshme nga publiku”, ka thënë më tej regjisorja. 

Shfaqja do të jepet në “Teatro Ristori” në Itali. Emra botërorë të teatrit e këngës operistike kanë ngjitur skenën ku do të interpretojë trupa e aktorëve të shfaqjes që nxit publikun të shikojë ngjarjet politike nga një tjetër perspektivë. 

Teatri që konsiderohet një prej shembujve të arkitekturës së teatrove të shekullit XIX daton që nga 1837-ta. Emrin që e mban edhe sot e kishte marrë 19 vjet më pas, sipas aktores së shquar italiane të asaj kohe, Adelaide Ristori. Ajo do të bëhej skena kryesore e qytetit për zhvillimin kulturor e social. Që nga leximi i poezive e deri në operë, shfaqte artin në dimensione të ndryshme.

“Negotiating Peace” ishte shfaqur në disa qytete në vend e më pas në Teatrin Shqiptar e në Shkup. Në nëntor të vitit të kaluar e kishte shtrirë tematikën në Leipzig të Gjermanisë në festivalin e performancës dhe teatrit “Euro-scene: Leipzig” më 8 dhe 9 nëntor. Dy ditë më pas ishte luajtur në “Theater im Pumpenhaus” në qytetin Munster ndërsa datat 13 dhe 14 nëntor ishin prezantimi në teatrot e kryeqytetit çek, Pragës, ku për herë të parë ishte vënë në skenë një shfaqje e qendrës “Multimedia” që është bashkëprodhuese e “Negotiating Peace”. 

Në “Mittelfest” dyshja Neziraj rikthehet pas dy vjetësh. “The Handke Project” në korrik të 2022-s ishte vlerësuar lart nga kritika italiane. 

Në kuadër të festivalit, që prej vitit 1991 mbahet në Cividale del Friuli, qytet dhe komunë në kuadër të provincës së Udines, prej 19 deri më 28 korrik do të jepen shfaqje teatri e baleti e po ashtu edhe koncerte. “Mittelfest” është një prej festivaleve kryesore italiane sa i përket teatrit, baletit e muzikës. Mbrëmja e ditës së dytë të edicionit të sivjetmë është e rezervuar për shfaqjen. 

E frymëzuar nga libri “To End a War” i Richard Holbrooke dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, shfaqja vjen si ironi për marrëveshjet e paqes që nuk kanë funksionuar si ajo midis Izraelit e Palestinës më 1993, ajo e Daytonit dhe e Rambouillet. Vjen edhe si paramendim për atë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Në 90 minuta shfaqje, trupa do të sjellë haptazi “prapaskenat” e negociatave të paqes që bëhen me ndërmjetësues perëndimorë. Dramaturgu Neziraj nga shfaqjet e “Negotiating Peace” në këto vende pret që publiku të perceptojë idenë e negocimit të paqes përtej asaj që i servohet si informacion.
Në shfaqjen “Negotiating Peace” diplomatët perëndimorë janë ata që mbajnë ritmin edhe me “dhunë” nëse është nevoja. E rëndësishme është që të ketë marrëveshje.

Ata që kanë bërë luftën e kanë të vështirë që të arrijnë paqen. Kanë edhe drojë për egon e tyre. Nuk preferojnë të humbin rëndësinë që kanë. Janë faktorë. Në një rast, prijësit e negociatave përdorin edhe karrem si premtimet që një yll i Hollywoodit do të paraqesë në film lavdinë e atij që ka udhëhequr një luftë. Është ironizim e parodi me thashethemnajën e një rasti të vërtetë të këtyre anëve. Ballkani është territor negociatash e humorit brenda tyre. Tekefundit edhe në luftë ka humor. Por pak më shumë në konferenca paqeje”, kishte shkruar KOHA me rastin e premierës së shfaqjes.
“Negotiating Peace” ballafaqon me prapavijat, sfidat, frikërat dhe shpresën që përcjellin në arritjen e një marrëveshjeje të paqes edhe publikun e vendeve të tjera.

Ajo është e punuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia. Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrøm, Ejla Bavcic, Martin Kõiv, Melihate Qena dhe  Orest Pastukh e zbërthejnë rrëfimin në “Negotiating Peace”.