Kulturë

“Negotiating Peace” çon në Hamburg teatrin e politikës

Skenë nga shfaqja “Negotiating Peace”

Skenë nga shfaqja “Negotiating Peace”

Publiku i një Festivali ndërkombëtar në Hamburg të Gjermanisë do të shohë një shfaqje që pos në Kosovë, edhe për kontinentin e vjetër vjen në kohë e duhur. Kosova dhe Serbia gjenden në një moment kritik të negocimit të paqes. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë e nga Izraeli dhe Palestina çdo ditë vijnë lajme të trishta. Diplomatët që vihen në kasion në “Negotiating the Peace” (Të negociosh paqen) do të ngjiten në skenën e teatrit “Kampnagel” në kuadër të festivalit ndërkombëtar "KRASS".

Me skenografi të thjeshtë, shfaqja nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt merr hov me negociatat që zhvillohen midis dy vendeve: Unmikistanit dhe Banovinës. Që të dyja kanë kontekst vendor, por edhe ndërkombëtar. Në hov është edhe shëtitja e kësaj shfaqjeje nëpër Evropë. Vjet në tetor qe dhënë premierë ne Prishtinë më pas shkoi në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut, Leipzig e Münster të Gjermanisë. 

Sipas njoftimit të Qendrës “Multimedia” “Të negociosh paqen” do të prezantohet më datë 20 dhe 21 prill në Hamburg, ku në rol kryesor paraqitet aktori i mirënjohur nga Kosova Shkumbin Istrefi. Në shfaqje luajnë edhe doajenia e skenës teatrore kosovare, Melihate Qena si dhe aktorja e njohur shqiptare, Ema Andrea. Pjesë e trupës së shfaqjes janë edhe aktorë Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.

“Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat —  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” shkruhet në komunikatë. Aty sqarohet se  “Të negociosh paqen” është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” (T’i japësh fund një lufte) dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë. 

“Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimiteti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual”, shkruhet në komunikatë. 

Aty është përfshirë edhe një deklaratë e regjisores Blerta Neziraj. 

““Gjëja kryesore në të cilën përqendrohemi në këtë shfaqje është: Nëse lufta i ka demonët e vet që i çojnë njerëzit drejt shkatërrimit e mjerimit, çfarë ka paqja? Cili është antipodi i demonëve të luftës?! A janë emisarët e paqes? Udhëheqësit politikë që marrin guximin të nënshkruajnë marrëveshjet e paqes? Apo njerëzit e zakontë, të mbijetuarit, të cilët e kanë paguar çmimin më të madh në luftë”, citohet të ketë thënë ajo. 

Kjo shfaqje është prodhuar nga Qendra “Multimedia”, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas në Itali, festivalin “Euro-scene Leipzig” në Gjermani, teatrot e qyteteve në  Pragë atë “R.A.A.A.M” në Estoni,  e disa institucione e fondacione të tjera. 

Sipas organizatorëve të Festivalit, që sivjet nis më 6 e përfundon më 21 prill, marrëdhënia midis Evropës Perëndimore dhe Lindore është e dominuar nga një keqkuptim i madh, historik dhe aktual.

“Midis depresionit postkomunist, investimeve perëndimore dhe kineze, fitimet e të cilave arrijnë vetëm te të pasurit, emigracioni i brezit të ri, nacionalizmi ekstrem dhe dogmat fetare që shpërqendrojnë vëmendje nga probleme reale, një kapitalizëm i egër pa ndërgjegje sociale, mes luftërave dhe varfërisë dhe misterit mitik të Evropës Lindore që nuk është kuptuar kurrë nga Perëndimi”, shkruhet në ueb-faqe. Sipas tyre, bota postkomuniste është një enigmë e pazgjidhshme për Perëndimin. Sipas përshkrimit, Perëndimi ishte një premtim i madh për Lindjen dhe tani është një zhgënjim edhe më i madh. 

“Në trajtojmë këtë keqkuptim: Perëndim-Lindje me artin sepse vetëm kultura gjen mënyra dhe artikulime përtej dallimeve, formulon ‘status quo-në’ dhe kërkon versione të reja të së ardhmes”, shkruhet në sqarimet që arsyetojnë themelimin e festivalit që sivjet numëron edicionin e 13-të dhe bashkon para publikut 14 shfaqje.