Kulturë

Nebih Muriqi – artisti që pikturonte botën shqiptare

Nebih Muriqi (1943 – 2024)

Nebih Muriqi (1943 – 2024)

I mbeti besnik artit të tij unik. Cilësohej edhe si piktor i fatit të popullit. E bota shqiptare ishte me fat që në historinë e artit të saj është shkruar edhe emri i Nebih Muriqit, i cili vdiq në moshën 81-vjeçare. Biografia e rrëfyer prej tij është rrëfim më vete. Ai shkroi historinë e popullit të tij nëpërmjet artit

Për Nebih Muriqin artisti krijues ishte me plot tërmet, dallgë e llavë vullkanike. Vetëm varet nëse ai krijues e ka mënyrën që t’i gjuajë jashtë. Dhe thoshte se e ka, kur jeta e pajis me përmbajtje. Arti i tij ishte plot përmbajtje. Vetë ai plot tërmet, dallgë e llavë vullkanike. Punonte në heshtje, pa shumë bujë. I mbeti besnik artit të tij unik. Cilësohej edhe si piktor i fatit të popullit. E bota shqiptare ishte me fat që në historinë e artit të saj është shkruar edhe emri i tij. Të enjten ka qenë në zi. 

Piktori, poeti e kritiku Nebih Muriqi ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Kumti për vdekjen e tij është dhënë në orët e para të së enjtes. 

Muriqi u lind më 1943 në Portës të Shqipërisë, kreu shkollën fillore në Novosellë të Pejës, Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1969, ku kreu edhe studimet pasuniversitare për pikturë monumentale. Në fillim punoi në redaksinë e revistës “Fjala”, si redaktor artistik prej vitit 1972 deri më 1974, pastaj në Akademinë e Arteve në Prishtinë mbajti lëndën nudo si mësimdhënës gjatë viteve 1975 deri më 2006. Sipas biografisë së tij, në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ishte drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës prej vitit 1988 deri më 1992. Si anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës mori pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit dhe hapi disa ekspozita personale si në Beograd (1969, 1975), Sombor (1971) Novi-Sad (1974) dhe Prishtinë (1973, 1984, 2010). Vizatimet dhe pikturat e tij i veçon shprehja ekspresive me simbolikë. 

“Ka trajtuar psikologjinë e njeriut në rrethanat e kohës dhe në hapësirën e caktuar. Përveç me pikturë u mor intensivisht me shkrime kritike dhe eseistike për artet figurative”, shkruhet në “Enciklopedi”. 

Po aty shkruhet se në këtë fushë botoi librin me ese “Baraspesha estetike” më 1989. Që herët u mor intensivisht edhe me poezi. Botoi disa përmbledhje poetike: “Në syrin e pranverës” (1965), “Kariatidet” (1973), “Yll në gur” 1979, “Hedhësi i diskut” (1986), “Gjakshkrim” (1996) e të tjera. Për pikturë dhe për poezi mori disa çmime dhe mirënjohje. 

Por, biografia e rrëfyer prej tij është rrëfim më vete. Ai shkroi historinë e popullit të tij nëpërmjet artit.

Artist në kuptimin e plotë të fjalës

“Sot i themi lamtumirë njërit prej artistëve më të shquar të Kosovës, Nebih Muriqit”, ka shkruar Galeria Kombëtare e Kosovës në një postim homazh, ku u është rikthyer veprave të tij.

“Ne i kthehemi punës së tij dhe reflektojmë mbi temat që e bëjnë atë të përjetshëm. I qëndrueshëm sa malet e trevës së Dukagjinit, i qëndrueshëm sa gjuha që flitet në trojet e tij, aq i qëndrueshëm sa miti që i lidh të gjithë, është konflikti ekzistencial brenda njeriut. Muriqi e transmeton këtë gjendje universale me Kosovën si sfond, pëlhura si një fushë beteje”, ka shkruar Galeria Kombëtare e Kosovës.

Ka veçuar muzikalitetin në pikturat e tij, tensionin poetik midis ngjyrave të kuqe dhe blu. “E mjegullt, e fragmentuar, dinamike, e ndërtuar deri në kulm, herë kontradiktore dhe herë të tjera harmonike, vetë jeta rrjedh nga pikturat e tij”, ka shkruar ndër të tjera GKK-ja. 

Akademik Mehmet Kraja kujtimin për Muriqin e ka lidhur me një pikturë të tijën, e cila tridhjetë e pesë vjet ka thënë t’i ketë bërë shoqëri dhe i rri pranë. 

“Pas luftës, kur u ktheva në Prishtinë, në qershor të vitit 1999, ndër të tjera, kisha edhe një brengë: nëse një pikturë të Nebih Muriqit, në apartamentin tim në lagjen ‘Ulpiana’, do ta gjeja ashtu siç e kisha lënë, të rrethuar me një kornizë modeste, të varur në murin ballor, në vendin më të zgjedhur të banesës sime. E kisha dhuratë nga piktori dhe për aq kohë sa e kisha mbajtur aty, e kundroja shpesh, gjithmonë me idenë se fshihte diçka të çuditshme në atë ekspresivitet ngjyrash dhe në atë imazh apokaliptik. Kurrë nuk m’u mërzit, kurrë nuk m’u duk e denjë për ta lënë larg vëmendjes...”, ka shkruar akademik Kraja. 

Me të marrë lajmin për ikjen në amshim të Nebih Muriqit, akademik Kraja ka shkruar se i është kthyer sërish po kësaj pikture. 

“...e kundrova gjatë pikturën, imazhin dhe ngjyrat e saj. Më pëlqeu sërish, si para tridhjetë e pesë vjetësh, por më la edhe një dilemë: nëse piktura fliste më shumë për Nebih Muriqin apo për mua!”, ka shkruar ai. 

Të shumtë kanë qenë ata që e kanë kujtuar Muriqin si emër të përveçëm në botën e artit shqiptar. 
Skulptori e profesori universitar Ismet Jonuzi e ka pasur profesor prej vitit 1979 deri në vitin 1983. Më pas koleg e mik të çmuar. Mbi të gjitha, udhërrëfyes në art. 

“Prof. Muriqi ishte artist në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk ishte materialist dhe me dëshirë nuk i shiste punimet e veta. Ishte ndër vizatuesit më të mirë që ka pasur Kosova dhe piktor që subjekt kishte nudon. Ishte piktori që më së shumti ka materializuar figurën e femrës në faza të ndryshme të zhvillimit të tij krijues”, ka thënë Jonuzi për KOHËN. 

Të pashtershëm e ka cilësuar pasionin e Muriqit për figurën e femrës me një poetikë dhe ndjeshmëri të veçantë që identifikohej në çdo krijim që realizonte. 

“Së fundmi kishte edhe tema nga pasojat e luftës së fundit në Kosove, siç është tabloja ‘Reçaku’ apo edhe me dhunimet që kishin ndodhur në Kosove nga serbët. ‘E dhunuara’, është vizatimi që më së miri përshkruan vizualisht dhe artistikisht luftën”, ka thënë ai.

Jonuzi ka kujtuar se krahas pikturimit merrej edhe me kritikë arti dhe “shkruante vetëm ashtu siç mendonte ai personalisht”. 

“Nuk ndikohej nga asnjë faktor ose individ, s’e bënte kurrë për ndonjë interes. Personalisht mendoj se ishte njeri me karakter të fortë, inteligjent dhe shumë i lexueshëm, gjë që nuk e hasim edhe aq shpesh te piktorët”, ka thënë Jonuzi. Ka pasur një përkufizim të prerë për Muriqin. 

“Ishte intelektual i kalibrit të lartë. Kishte njohuri te gjerë mbi tendencat e artit bashkëkohor dhe nuk i lakmonte shumë gjërat formale. Ne tablotë e mëhershme kombinonte nudon me peizazhin, që në fakt janë imazhe të fëmijërisë së tij që ishte edhe mizore”, ka thënë ai për Muriqin, me të cilin ka thënë se përherë diskutonin për fenomenin krijues. 

Të veçantë si artist, pedagog, kritik arti dhe poet e ka kujtuar Nebih Muriqin piktorja Zake Prelvukaj. 

“Veprimtaria artistike dhe pedagogjike dhe sjellja e juaj ishte shembull për ne. Shpirti të pastë dritë dhe pusho në paqe, i nderuari profesor!”, ka shkruar Prelvukaj. 

Artisti Naim Spahiu ka thënë se Nebih Muriqi me dekada dha kontribut për ngritjen e nivelit artistik.

“Veprat e prof. Nebih Muriqit janë dhe do të mbesin thesar për trashëgiminë tonë kulturore”, ka shkruar Spahiu.

Nebih Muriqi në mesin e veprave të tij në ekspozitën “Përtej ankthit të fantazisë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në dhjetor të vitit 2016 

Krijuesi besnik i brezit të parë

Një copëz nga thesari i krijimtarisë së tij do të shpalosej në ekspozitën retrospektive në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në dhjetorin e vitit 2016. 

“Pikturat e vizatimet e Muriqit i fusin vizitorët në një lojë të errët sikurse një shfaqje teatri që me ritëm shtjellon situata të ndryshme. Ato nuk bëzajnë, pasi duket sikur u është shterur zëri dhe nuk kanë fuqi as për frymëmarrje. Por as nuk vdesin, pasi edhe qiellin e shohin si mundësi për të shpëtuar”, shkruante “Koha Ditore” për ekspozitën e titulluar “Përtej ankthit të fantazisë”. 

Kuratori i ekspozitës, Zeni Ballzhi, kishte thënë se ishte munduar të zgjidhte punimet duke nisur nga vizatimet deri te veprat e fundit dhe se një ekspozitë e tillë kërkonte më shumë se një muaj kohë për ta analizuar punën, pasi veprat datonin qysh nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. 

“Ngjyrat, kompozimi dhe të gjitha elementet përbërëse të këtyre pikturave kanë një frymë origjinale tmerri, ankthi e frike”, kishte shkruar Ballazhi në katalogun e ekspozitës. 

Figurat e Muriqit i kishte cilësuar si njerëz të tmerruar, të pafajshëm, që ulërijnë e askush nuk ua dëgjon zërin dhe presin që dikush të sjellë fat. 

Akademik Rexhep Ferri, tashmë i ndjerë, kishte thënë se Nebih Muriqi është njëri nga pak krijuesit e brezit të parë të artit pamor të Kosovës. 

“Ai nga hiçi e duke u mbështetur në legjenda, traditë popullore e në shpirtëroren e popullit që ka qenë ndoshta më e mirë se poezia e ditëve të sotme, ka krijuar një personalitet”, kishte thënë Ferri, duke shtuar se fatkeqësisht nuk po e shihte në horizont që po tejkalohet për të mirë koha e brezit të parë.

Kishte thënë se janë disa të rinj që me gjetje dhe me shprehje gjoja interesante mundohen ta shprehnin vetveten. 

“Por interesantja nuk është asgjë. Nuk është as e bukur, as e mençur, as e pasur. Andaj nuk është asgjë. Nebih Muriqi ka mbetur besnik i brezit të parë. Nuk bën shumë aventura e lëvizje, por më shumë bën kërkesa për ta shprehur vetveten dhe t’i besoj asaj që krijon”, kishte thënë Ferri. 

Secila pikturë e Muriqit kishte një rrëfim prapa. “Pikturat e vizatimet e Muriqit i fusin vizitorët në një lojë të errët sikurse një shfaqje teatri që me ritëm shtjellon situata të ndryshme. Ato nuk bëzajnë pasi duket sikur u është shterur zëri dhe nuk kanë fuqi as për frymëmarrje...”, shkruante “Koha Ditore” për ekspozitën. 

Pak ditë pas vernisazhit të “Përtej ankthit të fantazisë”, Nebih Muriqi do të fliste gjerë e gjatë për procesin krijues, në një bisedë për “E diela me Kohën Ditore” në mesdhjetor të vitit 2016. 

Do të tregonte se zanatin e ka mësuar ende pa shkuar në Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Me të parë objektin e kësaj shkolle imagjinata e Muriqit ishte “goditur” fort. “Kur e kam parë për herë të parë Shkollën e Artit në Pejë, e kam parë një pikturë murale dhe jam lidhur emocionalisht me të. Pashë që është edhe më mirë të punohet me materiale të tjera. Kjo shkollë ishte pesëvjeçare”, kishte rrëfyer ai.

Do të kujtonte se për dy vjet ka punuar si mësimdhënës i artit. I kujtohej mirë kur nga fshati Novoselë i Pejës me biçikletë kishte shkuar deri në Pejë e më pas me tren në Beograd. Për pesë vjet kishte studiuar në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, derisa magjistroi në temën “Piktura monumentale në arkitekturën bashkëkohore”. Por, rruga e tij deri te ky titull kishte shumë peripeci. Në vitin e tretë gati i ishte mbushur mendja t’i ndërpriste studimet shkaku i kushteve financiare. 

“Në fillim e kam pasur shumë vështirë. Më është dashur të punoj natën që të shkoj ditën në Akademi. Punonim për panaire. Në vitin e tretë kam qenë në pikëpyetje nëse duhet ta vazhdoj apo jo. Këtë e hetuan në Akademi. E panë që materialisht jam shumë keq”, do të kujtonte ai. 

“Simfonia blu” edhe ai e konsideronte si kryevepër të tijën. Në këtë tablo ka bërë një rrumbullakim të luftës së fundit në Kosovë. 

“Është një pikturë monumentale e përmasave dy me dy metra dhe ka lindur nga dheu i përgjakur i Prekazit. Në fillim e kam quajtur ‘Prekazi’ e tash quhet ‘Simfonia blu’, për faktin se e kam përgjithësuar temën, pasi është temë gjithënjerëzore”, kishte kujtuar ai për veprën në të cilën punoi katër vjet.

Vdekja e shpëtimi janë afër njëra-tjetrës në “Simfonia...”. E emri i Nebih Muriqit është i pavdekshëm në artin shqiptar.