Ka nisur ceremonia e ndarjes së çmimeve në edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia. E filmat me aktorë e bashkëprodhime nga Kosova deri tash kanë marrë dy çmime.
“Housekeeping for Beginners” ku luajnë aktoret nga Kosova, Rozafa Çelej e Ilire Vinca, nën regji të Goran Stolevskit nga Maqedonia e Veriut ka marrë “Queer Lion Award”.
E filmi “A Short Trip” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria ka marrë çmimin për filmin me të mirë të shkurtër në kategorinë “Orizzonti”. Ka qenë Erenik Beqiri që e ka pranuar çmimin.
Rozafa Çelaj në bashkëprodhimin midis Maqedonisë e Kosovës portretizon një vajzë homoseksuale e cila jeton në shtëpinë e Ditës (Anamaria Minca) që shndërrohet në një hapësirë të personave të komunitetit “queer”, të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Në të njëjtin film luan edhe e ëma e Çelajt, aktorja e ligjëruesja universitare e aktrimit, Ilire Vinca.
I trefishtë është përfaqësimi i Kosovës në Festivalin e Filmit në Venecia. Aktorë e bashkëprodhime nga vendi kanë pasur dy ditët e veta në edicionin jubilar të këtij festivali. Kanë nisur pikërisht me “House keeping for beginners” për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj. E është përmbyllur me “Bota jonë” të Luana Bajramit ka konkurruar në kategorinë “Orizzonti Extra”. Bashkëprodhimi kosovaro-francez në 94 minuta shpalos një rrëfim të rinjsh. Nuk ka arritur të marrë çmim.