Monotoninë e izolimit Rron Qena e ka zbehur nëpërmjet veprave shumëngjyrëshe.
Piktura të frymëzuara nga mallëngjimi për Shkodrën dhe për pranverën në Prishtinë, janë produkt i ditëve të karantinës. Veprat e reja ai do t’i përmbledhë në ekspozitë.
Në këtë atelie Qena, mes tjerash, ruan portretin e xhaxhait të tij – aktorit e kantautorit të njohur Muharrem Qena. Rroni thotë se e ka ndërmend ta realizojë një seri me portrete të familjes, raporton KOHA.
Një prej veprave më të veçanta që ka realizuar gjatë kësaj kohe është piktura që kombinon mjeshtërinë e tij me atë të Jakup Ferrit. Realizimi i kësaj vepre është histori më vete.
Mes tjerash, bie në sy edhe piktura, në të cilën shpërfaqet një moment me artistin e ndjerë Kadër Pagarusha.
Veprat e karantinës Qena së shpejti do t’i përmbledhë në ekspozitë personale. Frymëzimin për to e ka gjetur në dy qytete.
Përveç pikturave, Rron Qena po eksperimenton edhe me artin e qeramikës.
Rron Qena është piktor ekspresionist dhe njëherësh njëri nga artistët më të rëndësishëm të skenës së artit pamor në Kosovë.