Kulturë

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve – stacion për turistët e huaj në Shqipëri

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve

Gjatë vitit 2024, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve në Tiranë është vizituar nga 77 mijë e 26 persona, e gati 80 për qind e tyre janë turistë të huaj

Muzeu kombëtar i përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në Tiranë ka publikuar statistikat mbi vizitueshmërinë gjatë vitit 2024, nga të cilat del se ka pasur një rritje për 58 për qind të vizitorëve, krahasuar me vitin 2023.

“Gjatë vitit 2024, Muzeu i Përgjimeve u vizitua nga 77 026 persona. Rritja e vizitueshmërisë rrjedhimisht ka sjellë edhe një rritje të të ardhurave, të cilat për periudhën janar-dhjetor 2024 rezultojnë 61,6 për qind më të larta se të ardhurat e vitit 2023”, shkruhet në njoftimin e këtij institucioni. 

“Shtëpia me Gjethe” ka për të ditur se  78 për qind e vizitorëve të vitit 2024 ishin të huaj, ku mbizotëronin italianët, anglezët dhe francezët.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj 2017. Ai është nga më të veçantët në Shqipëri, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, nga viti 1944 – 1991.

E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me Gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura në koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë.

“Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe ‘Shtëpia me Gjethe’ për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur, një mister. Pëshpërimat e njerëzve dhe fëshfërimat e gjetheve… Duke hapur dyert e kësaj shtëpie, duke paraqitur veprimtaritë që janë kryer brenda saj dhe shumëçka tjetër të bashkëlidhur, ky muze do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. Përgjime, kontrolle, spiunime… që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm… Atyre u kushtohet ky muze…”, shkruhet në ueb-faqen e Muzeut.