Kulturë

Muzeu i Muzikës në Gjakovë gjen rindërtuesin me 382 mijë euro, pason ankesa

Zotime për rindërtimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë kishte pasur menjëherë pas djegies në mbrëmjen e 30 gushtit të vitit të kaluar, si nga pushteti lokal, ashtu edhe nga ai qendror

Zotime për rindërtimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë kishte pasur menjëherë pas djegies në mbrëmjen e 30 gushtit të vitit të kaluar, si nga pushteti lokal, ashtu edhe nga ai qendror

Oferta për të cilën Ministria e Kulturës është përcaktuar për rindërtimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë, i shkrumbuar verën e vjetme peshon 382 mijë e 786 euro. Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka pranuar një ankesë për procesin e tenderit, e MKRS-ja është duke pritur përgjigje në këtë rast për të vazhduar me lidhje të kontratës Ndërtesën e rindërtuar më 2012 zjarri e kishte kapluar në çdo cep, përderisa shteti do ta bëjë edhe një rindërtim, të paktën sipas planeve

Tre muaj pa u bërë një vit prejse ndërtesa e Muzeut të Muzikës në Gjakovë e njohur “Tabhane” ishte shkrumbuar, Ministria e Kulturës ka vendosur që të paguajë afro 400 mijë euro për ta rindërtuar. Oferta për të cilën është përcaktuar Ministria e Kulturës peshon 382 mijë e 786 euro e 36 centë. 
Përderisa Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka pranuar një ankesë për procesin e tenderit, Ministria e Kulturës është duke pritur përgjigje në këtë rast për të vazhduar me lidhje të kontratës.

Zotime për rindërtim kishte pasur menjëherë pas djegies në mbrëmjen e 30 gushtit të vitit të kaluar, si nga pushteti lokal, ashtu edhe nga ai qendror.

Ndërtesën e rindërtuar më 2012 zjarri e kishte kapluar në çdo cep, përderisa shteti do ta bëjë edhe një rindërtim, të paktën sipas planeve.

Paraprakisht në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës kishte nisur punime emergjente në monumentin që njihet si “Tabhane”. Asokohe institucioni kishte njoftuar se në fazën e parë parashiheshin punimet e masave të sigurisë, si parakusht për vazhdimin e procedurave të tjera.

“Do të vazhdohet me projektin e restaurimit për ta kthyer këtë aset të çmueshëm në gjendjen e mëparshme. Beteja jonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalet. Muzeu i Muzikës në Gjakovë do të funksionalizohet dhe do t’i kthehet komunitetit”, shkruhej në njoftimin e MKRS-së.
Nëpërmjet procedurës së prokurimit me titull “Rindërtimi i Objektit - Tabhanja Gjakovë” të hapur në dhjetor, MKRS-ja ia kishte mësyrë ta rikthejë ndërtesën. Por një gjë e tillë për ata që merren në baza ditore me trashëgiminë kulturore nuk mjafton.

Operatori ekonomik “N.N 100% design Sh.p.k” është shpallur përfitues i thirrjes publike. Ka lënë prapa një konsorcium prej tri kompanish që kishte ofertuar me 384 mijë e 765 euro. Kjo ofertë është vlerësuar administrativisht e papërgjegjshme. Ankuesit pretendojnë se MKRS-ja gjatë kësaj procedure ka shkelur 7 nene të Ligjit të prokurimit publik dhe një udhëzim administrativ. Konsorciumi konteston kriteret e MKRS-së dhe sipas pretendimeve, ky institucion më herët pikërisht këtij grupi operatorësh i kishte dhënë punë me kriteret e njëjta për “Tabhane”.

Përtej investimit afro 400 mijë eurosh për dike qasja është e gabuar. Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova) qysh kur ishte hapur thirrja për punëkryes, kishte thënë se është me shumë rëndësi që të trajtohet institucioni e jo ndërtesa. Sipas tij, ndërtesa duhet të jetë në plan të dytë. Të njëjtën gjë e ka përsëritur. 

“Pra, a kemi a s’kemi Muze të Muzikës në Gjakovë? Muze si institucion, me akt themelimi, staf, plan menaxhimi e ekspozitë”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, shpesh është huqje qasja e koncentrimit te ndërtesat.

“Nëse hyjmë në histori edhe njëherë janë dhënë mjetet për ndërtesë. Në njëfarë mënyre po i përsërisim gabimet e njëjta. A është ulur Ministria e Kulturës ta bëjë një plan për menaxhimin e institucionit? Kjo për mua është pyetja themelore e krejt këtij procesi”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndërtimi i atij objekti para më shumë se një dekade madje nuk dihej se a ishte bërë në lokacionin e njëjtë ku ka ekzistuar “Tabhanja”.

“Në fillim kur është nisur a është nisur për institucion? Kjo është pyetja që do të doja të kishte përgjigje. Sfiduese është të kemi institucion, pasi ndërtesa bëjmë lehtë”, ka thënë Shoshi.
Në realitet, institucion aty nuk ka pasur asnjëherë.

Ndërtesa që gjendet në qendër të Gjakovës, ishte inauguruar në vitin 2016. Asokohe ishte menduar që kati përdhes t’i jepej në shfrytëzim ndonjë sipërmarrësi në këmbim që poseduesi i biznesit të kompensonte mirëmbajtjen e Muzeut. Sipas kryetarit aktual të Gjakovës, Ardian Gjini, deri në vitin 2017 ka funksionuar një sipërmarrës dhe të njëjtit i është ndërprerë kontrata në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari.

“Prej 2019-s kemi dështu ta japim me qira. Më 2022 e kemi dhënë në shfrytëzim, por operatori ka dështuar ta hapë dhe i është shkëputur kontrata. Ka shkuar me procedurë përmbarimore”, kishte sqaruar ai për KOHËN në ditën e djegies së monumentit. 

Të martën Gjini nuk është përgjigjur se cili do të jetë funksioni i ndërtesës pas rindërtimit dhe kush do ta menaxhojë atë. 

Muzeu i Muzikës në Komunën e Gjakovës i inauguruar para jo më shumë se shtatë vjetëve qysh në janar të vitit të kaluar ishte buzë demolimit të tërësishëm në hapësirat e brendshme. Dyer të thyera e të rrëzuara përtokë, dritare të shkëputura komplet nga muret e ndërtesës, mbeturina të shpërndara e shkallët e papërfunduara ishin pamjet që e karakterizonin Muzeun. Në objektin që më parë u ka bërë strehë veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”, mund të shihej një katrahurë, tollovi e bërllok. Banoret lokalë kishin thënë se qe shndërruar në çerdhe të narkomanëve. 

Gjendje më e mirë nuk ishte as në oborr e as në katin përdhes, ku ishte paraparë të hapej një kafene, pronari i së cilës ishte i obliguar ta mirëmbante edhe Muzeun e Muzikës. Si pasojë e riparimeve për rikonstruktimin e këtij objekti, një pjesë e murit të Muzeut ishte thyer plotësisht dhe kështu nuk kishte mbetur asnjë pengesë që të ndalonte hyrjen apo që do të mbronte hapësirat e brendshme.
Në vitin 2012, objekti ishte ndërtuar nga Ministria e Kulturës me qëllimin që të shndërrohej në muze të muzikës popullore.

Për këtë vandalizëm dhe shkatërrim të objektit të Muzeut të Muzikës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë kishte bërë dy shkresa.

Në shkresën e vitit 2021 përshkruhet në detaje gjendja e ndërtesës pas vandalizimit. Për disa nga eksponatet e këtij muzeu ishte kujdesuar Muzeu Etnografik i Gjakovës. Megjithatë, për shkak të vështirësive në bartje pianoja kishte mbetur në mëshirë të fatit. Pianoja e akademik Rauf Dhomit, me të cilën kishte kompozuar operën e parë në Kosovë, “Goca e Kaçanikut” – që është inskenuar në shkurtin e këtij viti – ishte bartur copë-copë për në Shkollën e Muzikës pak para djegies. Nga Muzeu i Muzikës në Muzeun Etnografik ishin bartur dy kontrabasë, një fagot dhe disa fotografi, të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, qenë vendosur brenda një pakoje. Instrumente ishin marrë prapa edhe nga familjarët e muzikantëve gjakovarë. KOHA ka pyetur Ministrinë e Kulturës për qëllimin e rindërtimit të Muzeut dhe njëkohësisht për planin e menaxhimit që do ta funksionalizonte ndërtesën. Por MKRS-ja nuk është përgjigjur.