Kulturë

Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe në pritje të stafit të përhershëm

Muzeu i Krushes se madhe

Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe, i përuruar më 26 mars të këtij viti, ende nuk ka punonjës të rregullt

Edhe pak ditë bëhen dy muaj prejse është inauguruar Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe. Vizitorët janë të shumtë, numri ende nuk ka se si të evidencohet, tash është institucion muzeor edhe me letra, por ende nuk ka staf të rregullt. Punon vetëm njëri me kontratë të përkohshme e në ndihmë i del edhe përgjegjësi i fshatit, Selami Hoti, në baza vullnetare. “Vizita kemi të shumta nga vendorët e ndërkombëtarët. Por, tash është koha që të kemi edhe staf të përhershëm”, ka thënë ai. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se presin zgjidhje për këtë çështje, por ka pas gjasa që kjo të ndodhë sivjet

Janë bërë gati dy muaj prejse Kosovës i është shtuar Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe të Rahovecit. Si një prej ambienteve më kuptimplota në vend për ekspozimin e masakrës që kishte pësuar fshati buzë Drinit të Bardhë në fundmarsin e vitit 1999, Muzeu është shndërruar në hapësirë që pret jo pak vizitorë. Përderisa muajin e kaluar edhe me vendim të Kuvendit Komunal të Rahovecit ka marrë statusin e Muzeut, qëllim mbet punësimi i stafit të rregullt.

Aktualisht në këtë muze është i angazhuar një person me kontratë të përkohshme. Në ndihmë i del edhe përgjegjësi i fshatit, Selami Hoti, në baza vullnetare. Numri i tij i telefonit qëndron në faqen e Muzeut në rrjete sociale.

Eksponatet e civilëve të vrarë bashkë me rrëfimet prapa tyre në Muze janë të shumta. Ka edhe aso të familjeve që janë shuar krejtësisht. Muzeu i përuruar është një ndërtesë e stilit brutalist, që i shkon për shtat krejt konceptit. Është kuruar nga profesorë të Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me banorët. Investimi i Komunës së Rahovecit pa dyshim është prej më të vlefshmëve që ka bërë ky institucion në raport me kujtesën për ata që u vranë nga forcat serbe veç pse ishin shqiptarë. Rrëfimi brenda blloqeve të betonit nis me Krushën e Madhe si një fshat i njerëzve punëtorë. Shpaloset një historik i shkurtër i ditëve kur vendbanimi i madh vlonte nga të rinjtë që punonin e studionin, edhe pse nën masa aparteidi nga Serbia. Më pas vizitorët futen në ditët e tmerrshme të 25, 26 dhe 27 marsit. Fshati numëron 220 civilë të vrarë. Prej tyre mbi 100 të djegur në dy krematoriume. Midis tyre janë 7 fëmijë dhe pesë gra. Një shtatzënë. Kur këtij numri i shtohen edhe 21 dëshmorë, Krusha e Madhe llogarit 241 veta të vrarë në luftën e fundit. Dëmet materiale prekin milionat. 

Përgjegjësi i fshatit, Selami Hoti, ka thënë se ende nuk kanë arritur që të mbajnë listë të vizitorëve. Sipas tij, mendojnë që nëpërmjet teknologjisë ta bëjnë këtë duke instaluar një sensor që do të regjistronte numrin e atyre që hyjnë në ambientet e Muzeut.

“Është vend ku dëshmitë për mizoritë e forcave serbe janë shumë të prekshme. Vizita kemi të shumta nga vendorët e ndërkombëtarët. Por, tash është koha që të kemi edhe staf të përhershëm”, ka thënë ai. Sipas Hotit, Muzeu për gjeneratat e reja tregon atë që ka ndodhur përderisa për ata që kanë përjetuar luftën është ambient që i kthen në atë kohë.

“Është një vend i vogël për krimet e mëdha që kanë ndodhur në Kosovë dhe duhet të promovohet edhe më shumë si në vend ashtu edhe jashtë tij”, ka thënë ai. Sipas Hotit, përkujdesja për Muzeun në baza vullnetare nuk duhet të zgjasë edhe shumë. Ka thënë se duhet të jenë katër deri në pesë punonjës.

Por të paktën, deri në fillim të vitit tjetër, nuk pritet që institucioni të ketë staf të përhershëm.

 Eksponatet e civilëve të vrarë bashkë me rrëfimet prapa tyre në Muze janë të shumta. Është kuruar nga profesorë të Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me banorët

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se janë kujdesur që menjëherë pas përurimit edhe ta bëjnë themelimin e institucionit. Këtë e kanë bërë më 30 prill në Kuvendin Komunal.

“Është institucion me shumë rëndësi dhe duhet një përkujdesje e veçantë. Por, duhet të ketë kuota për punësim nga Ministria e Financave dhe Transfereve. Tash po presim konfirmimin e ligjshmërisë së vendimit për themelim dhe do të angazhohemi që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës të marrim miratim për vende pune nga Ministria e Financave që vitin e ardhshëm të angazhojmë staf profesional”, ka thënë kryetari Latifi. Sipas tij, në vazhdimësi do të ketë angazhim në këtë drejtim në mënyrë që Muzeu të jetë sa më reprezentativ.

“Është vend që pret shumë vizitorë dhe duhet të ketë përkujdesje të përhershme”, ka thënë ai.

Në hyrje të Muzeut, që gjendet ngjitur me varret e të vrarëve dhe hapësirat që ende presin për kthim eshtrash, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e përurimit, më 26 mars, kishte thënë se do të vazhdohet të ngrihet zëri për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, në mesin e të cilëve edhe mbi 60 banorë të Krushës së Madhe, të cilët ende janë në mesin e të zhdukurve. 
“Muzeu i mizorive është një testament i njërit ndër kapitujt më të errët të historisë sonë nga lufta e fundit. Ky muze është në funksion të formësimit të kujtesës sonë kolektive, nderimit të viktimave e, mbi të gjitha, në funksion të thirrjes sonë të përbashkët për drejtësi, e cila akoma mungon”, kishte thënë presidentja Osmani.

Historitë e prekshme brenda mureve të vrazhda të Muzeut flasin zëshëm për atë që ka ngjarë në Krushë të Madhe. Janë rrëfime pak a shumë të ngjashme me masakrat e tjera në Kosovë. 

Brenda Muzeut zënë vend edhe rrëfimet e mbi 200 të mbijetuarve të fshatit buzë Drinit të Bardhë. Janë përshkrimet e familjarëve për ditët kur humbën të dashurit e tyre. Secili është më i papërballueshëm se tjetri. Janë mbledhur gjatë viteve 2021 dhe 2022 nga studentë nën mentorimin e profesorëve të Departamentit të Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Pos si videointervista rrëfimet janë botuar në dhjetë vëllime nën titullin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, projekt i nisur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë pas një vizite që ish-ambasadori Philip Kosnett së bashku me bashkëshorten kishin bërë në Krushë të Madhe. Me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës, projekti është realizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Departamenti i Antropologjisë. Vëllimet ishin përuruar në BKK, një ditë para inaugurimit të Muzeut.

Profesori universitar i antropologjisë, Arsim Canolli, së bashku me kolegët Shemsi Krasniqi e Tahir Latifi e kanë mentoruar projektin. Kanë qenë shpesh në Krushë të Madhe për t’i bindur banorët që të flasin. Refuzimet vinin me arsyetimin se nuk duan të kujtojnë ditët e tmerrit.
Në ditën e inaugurimit Canolli kishte thënë se Muzeu është ftesë për të gjithë krushjanët e tjerë që kanë përjetuar masakrën e luftën e që në një fazë të dytë të dokumentojnë përjetimet e tyre, që të japin rrëfimet e tyre, që të dhurojnë artefakte e fotografi, për të monumentalizuar kujtesën e trishtë të mbijetesës së tyre nga terrori i forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.