Kulturë

Muzeu Etnografik në Elbasan i nënshtrohet restaurimit

Muzeu - Elbasan

Ndërtesa e familjes Sejdini, shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë më 15 janar 1963 dhe e kthyer në muze në vitin 1986, është përzgjedhur për ndërhyrje restauruese.

Muzeu Etnografik në Elbasan, i cili dallohet për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat të këtij lloji një qytet do të restaurohet. Kësisoj, mëtohet t’i rikthehet identiteti i kësaj shtëpie të vjetre në të cilin ruhet trashëgimia shekullore e qytetit.

Ndërtesa e familjes Sejdini, shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë më 15 janar 1963 dhe e kthyer në muze në vitin 1986, është përzgjedhur për ndërhyrje restauruese.

Restaurimi vjen me synimin për ruajtjen dhe promovimin e vetë objektit të trashëgimisë kulturore. Problematikat emergjente kërcënonin strukturën dhe autenticitetin e saj.

Projekti, i cili u hartua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Korçë dhe u financua nga bashkia e Elbasanit, synon të ruajë dhe të promovojë këtë monument të rëndësishëm kulturor.

“Ky hap i rëndësishëm do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe do të ofrojë mundësi të reja për vizitorët dhe studiuesit që të eksplorojnë dhe të vlerësojnë këtë pjesë të pasurisë historike të rajonit”, ka thënë kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë prezantimit të projektit autoritetet lokale u theksua rëndësia e objektit për komunitetin dhe për trashëgiminë kulturore të Elbasanit.

Përfaqësues të bashkisë së Elbasanit dhe DRTK të Korçës, sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, kanë shprehur angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen për projekte të tilla që ruajnë dhe pasurojnë trashëgiminë kulturore të zonës.

Restaurimi i Muzeut Etnografik shënon hap të rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit.

Ndërhyrjet të tilla jo vetëm që sigurojnë mbrojtjen e monumenteve historike, por edhe kontribuojnë në zhvillimin e turizmit kulturor dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e trashëgimisë së qytetit.

Muzeu përmban dy kate, ku kati i parë dikur ka shërbyer si magazinë për rezervat ushqimore dhe kati i dytë për banim.

Pas shpalljes së tij si muze në vitin 1986, kati i parë u përdor për ekspozimin e historikut të qytetit dhe zejeve të trevave të Elbasanit, ndërsa kati i dytë u konceptua në mënyrë të tillë për të reflektuar mënyrën e jetesës, traditat, veshjet dhe pasurinë etnografike dhe kulturore të qytetit dhe trevave përreth, duke treguar nivelin e zhvillimit ekonomik të qytetit në atë kohë dhe duke shërbyer si dëshmi e gjallë e historisë së qytetit.

Në muze gjenden punime të metalpunuesve, artizanëve, dru punuesve, armëtarëve, leshpunuesve, guri i varrit të Mark Sabidit, i cili vërteton vendndodhjen e qytetit të Elbasanit. Aty ndodhet edhe dokumenti më i vjetër arkeologjik basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire, si edhe vegja e tezgjahu që përdoreshin nga gratë të cilat endin pëlhura dhe qilima, etj. Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit, i cili mbart brenda një pasuri të vyer të historisë së qytetit e vizitojnë çdo vit me qindra të huaj.

Ndërtesa është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës gjatë  viteve 1983 dhe 1985 dhe një vit më pas ambientet e shtëpisë u përshtatën duke u kthyer në muze etnografik.