Kulturë

Muzeu Arkivor paralajmërohet si novacion për shpalosjen e trashëgimisë

Kultura

Përderisa “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” është përmbyllur në Sarandë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka paralajmëruar hapjen e Muzeut Arkivor

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar sërish projektin novator të Muzeut Arkivor, i cili, siç është paralajmëruar, do të hapë dyert së shpejti. Në fakt, inaugurimi i këtij projekti ishte zotuar edhe kohë më parë.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, ka folur për këtë në Sarandë, në përmbylljen e turit shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura nga publiku, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

“Ne jemi duke krijuar Muzeun Arkivor, që prezantohet brenda këtij viti, i cili është një muze atipik, sepse ne tentojmë që të pasqyrojmë të gjithë pasurinë tonë kombëtare në një hapësirë të vogël, por që jam i bindur që do të jetë një ndër muzetë më interesantë në Shqipëri”, citohet të ketë thënë ai.

Qysh në dhjetorin e vitit 2022, drejtuesit e muzeve më të mëdha botërore kishin vlerësuar me notë maksimale projektin e Muzeut Arkivor, në simpoziumin e muzeve të mbajtur në Stamboll.

Asokohe Bido kishte shpalosur synimin për të krijuar një kompleks të mirëfilltë kulturor.

“Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabul nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme gjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni”, kishte thënë Bido. Në ambientet e Muzeut Arkivor, sipas tij, historia dhe trashëgimia dokumentare e kombit do të përcillen përmes teknikave interaktive, duke përçuar informacion përmes zbavitjes.

Ndryshe, Saranda ka qenë vetëm njeri prej stacioneve të ekspozitës “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”. Në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës, DPA-ja ka shfaqur pranë Muzeut të Traditës ekspozitën, që rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tenton që të sjellë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, veçanërisht në bregdet gjatë verës, sepse shqiptarët aty janë. Pra, në të gjithë pika turistike dhe ekspozita mbi trashëgiminë kulturore, mbi veshjet popullore, të cilat shumë njerëz nuk i njihnin, në fakt ka qenë edhe në Durrës, edhe në Shëngjin, edhe në Krujë, që ka masivitet gjatë verës. Ka qenë edhe në Pogradec, në Himarë dhe është edhe në Sarandë”, ka thënë Bido për ekspozitën.