Kulturë

Muzeu Arkeologjik i Durrësit pritet të rihapet në vjeshtë

Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Muzeu Arkeologjik i Durrësit u hap më 13 mars të vitit 1951 dhe është njëri prej muzeve më të rëndësishëm në Shqipëri. Pjesa më e madhe e muzeut përbëhet nga 3 mijë e 204 artefakte

Institucionet qendrore të Shqipërisë kanë bërë të ditur se Muzeu Arkeologjik i Durrësit pritet që të rihapet këtë vjeshtë. Por bëhet fjalë për një deklaratë në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në maj në Shqipëri. 

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Durrës, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kanë vizituar edhe institucionin muzeor.

“Një objekt, që nuk mund të rrimë pa e treguar historinë. Fillon në ‘88 dhe ngec, ndërtohet keq. Në 2010 mbyllet prapë. Në 2015 hapet, por prapë në gjendje jo të mirë. Si objekt, ka pasur tentativa nga pushtetarët para 2013 për ta bërë markatë në planet e tyre, dhe në projektin e ri që vëmë në jetë këtu, na del një problematikë me strukturën, e cila del që nuk ka qenë e ndërtuar si duhet, kështu që përforcimet dhe ndërhyrja pas tërmeteve, bëhet me ndryshim projektesh që në fillim”, ka thënë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka thënë se në rikonstruksion është dhe Muzeu Etnografik, edhe ai i dëmtuar nga tërmeti i 2019.

Ministri Gonxhja ka bërë të ditur disa detaje. 

“Kati i dytë, jeta sociale, aktivitete ku sheh nga të gjithë krahët dhe do të ketë shumë gjallëri, vizitorë, fëmijë, kurse. Kati i dytë riorganizohet i gjithi për muzeun që nuk ka qenë. I gjithë oborri merr shumë vlerë. Do të ndërtohet një tendë statike që të vizitohet dhe pjesa e jashtme”, ka thënë ai. Ka treguar se do të hiqen të gjitha, do të pastrohen dhe do të ketë objekte, aktivitete dhe një ashensor panoramik nga mbrapa. 

“Disa gjetje të mozaikut të Gjergj Kastriotit duam t’i lidhim në një shteg. Kolonat janë të riforcuara, pothuajse të ristrukturuara se ishin problematike”, ka thënë ministri Gonxhja. 

Në nëntor të vitit 2019 Shqipëria pësoi dëme të konsiderueshme nga tërmeti me magnitudë 6,3 i shkallës Rihter, i cili mes shumë objekteve të tjera e dëmtoi rëndë edhe Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Si një objekt i rëndësishëm kulturor dhe historik ky muze u përzgjodh për t’u restauruar në kuadër të projektit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë. 

Gjatë tërmetit godina e Muzeut Arkeologjik pësoi dëmtime në disa kate të saj. Dëmtimet më madhore përfshijnë plasaritje në muret ndarëse, në nyjat e muraturës dhe në seksionet e sipërme të fasadës, si dhe zhvendosje të kolonave dhe të trarëve. E gjithë ndërtesa e muzeut, përfshirë fasadën dhe pjesën e brendshme, është në rinovim e sipër dhe dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019 janë duke u riparuar. Krahas këtyre, po kryhet përmirësimi dhe përforcimi i sistemeve mekanike, elektrike, të ngrohjes, të ventilimit, të ajrit të kondicionuar, të evakuimit në raste emergjencash, të zjarrit dhe të sigurisë. Në pjesën e pasme të muzeut me restaurim do të instalohet një ashensor panoramik transparent. Në katin e tretë do të hapet një kënd edukativ dhe një kafene, për ta bërë vizitën një përvojë sa më të rehatshme e argëtuese. Do të hartohet një plan biznesi për t’i ardhur në ndihmë muzeut që të ketë flukse të qëndrueshme financiare.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit u hap më 13 mars të vitit 1951 dhe është njëri prej muzeve më të rëndësishëm në Shqipëri. Pjesa më e madhe e muzeut përbëhet nga 3 mijë e 204 artefakte që gjenden në vendin e lashtë të Dyrrhachium dhe përfshin një koleksion të gjerë nga Periudha Greke e Lashtë, Helenistike dhe Romake. Artefaktet kryesore përfshijnë stelat e funeralit romak dhe sarkofagët prej guri dhe një koleksion prej bustesh miniaturë të Venusit, dëshmi për kohën kur Durrësi ishte një qendër adhurimi e perëndeshës.