Kulturë

Muzeu Arkeologjik i Durrësit – potencial për turizëm gjatë gjithë vitit

Imazh i projektit restaurues të Muzeut Arkeologjik të Durrësit

Imazh i projektit restaurues të Muzeut Arkeologjik të Durrësit

Muzeu Arkeologjik i Durrësit i është nënshtruar restaurimit prej disa muajsh dhe ky proces po kryhet në kuadër të programit “EU4Culture”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë. 

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka inspektuar të mërkurën punimet në këtë muze, ndërsa e ka cilësuar atë si një aset mjaft të rëndësishëm për qytetin, pasi aty ekspozohen objektet më interesante të historisë së lashtë dhe trashëgimisë kulturore të jashtëzakonshme të qytetit bregdetar.

“’EU4culture’ është një program mjaft i rëndësishëm për qytetin tonë që do të sjellë rivitalizimin dhe futjen në guida ndërkombëtare të disa objekteve të trashëgimisë sonë kulturore. Këto ndërhyrje do të sjellin impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në Durrës”, citohet të ketë thënë Sako, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare. 

Sipas kryebashkiakes së Durrësit, procesi i restaurimit të këtij muzeu ka marrë më shumë kohë për shkak të kompleksitetit që ka godina e Muzeut Arkeologjik.

“Është një aset i jashtëzakonshëm i trashëgimisë sonë, një pasqyrë e gjithë pasurisë historike dhe arkeologjike. Ky është një muze kombëtar me vlerë të madhe jo vetëm për mijëra vizitorë që vizitojnë asetet tona, por edhe për qytetarët e Durrësit, për nxënësit e shkollave është një aset shumë i rëndësishëm që të aksesohet nga të gjithë”, ka thënë ajo. 

Sipas Sakos, prilli është një muaj i mirë për t’i mbyllur punimet, ndërsa këta muaj të mbetur do të jenë koha që do të marrin kuratorët dhe arkeologët për të mobiluar me vepra arti brenda dhe jashtë muzeut.

“Me këtë ndërhyrje restaurimi, ky muze do t’i qëndrojë 100 viteve të tjera dhe mezi presim ta hapim që ta aksesojnë qytetarët dhe turistët. Nuk është i vetmi projekt që po restaurojmë, është shtëpia ‘Aleksandër Moisiu’, është Hamami i Durrësit, Torra Veneciane dhe janë të gjitha me investimet e ‘EU4Culture’. Durrësi ka marrë mbështetje të madhe në pak kohë, qoftë për objektet e kulturës apo godinat arsimore, dhe ne jemi krenarë që do të bëjmë të mundur edhe rikonstruksionin e këtij objekti”, ka thënë Sako. 

Muzeu Arkeologjik i Durrësit u hap më 13 mars të vitit 1951 dhe është njëri prej muzeve më të rëndësishëm në Shqipëri. Pjesa më e madhe e muzeut përbëhet nga 3 mijë e 204 objekte që gjenden në vendin e lashtë të Dyrrhachium dhe përfshin një koleksion të gjerë nga Periudha Greke e Lashtë, Helenistike dhe Romake. Artefaktet kryesore përfshijnë stelat e funeralit romak dhe sarkofagët prej guri dhe një koleksion prej bustesh miniaturë të Venusit, dëshmi për kohën kur Durrësi ishte një qendër adhurimi e perëndeshës.

Në nëntor të vitit 2019 Shqipëria pësoi dëme të konsiderueshme nga tërmeti me magnitudë 6,3 i shkallës Rihter, i cili mes shumë objekteve të tjera e dëmtoi rëndë edhe Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Si një objekt i rëndësishëm kulturor dhe historik ky muze u përzgjodh për t’u restauruar në kuadër të projektit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Gjatë tërmetit godina e Muzeut Arkeologjik pësoi dëmtime në disa kate të saj.

Dëmtimet më madhore përfshijnë plasaritje në muret ndarëse, në nyjat e muraturës dhe në seksionet e sipërme të fasadës, si dhe zhvendosje të kolonave dhe të trarëve. E gjithë ndërtesa e muzeut, përfshirë fasadën dhe pjesën e brendshme, është në rinovim e sipër dhe dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019 janë duke u riparuar. Krahas këtyre, po kryhet përmirësimi dhe përforcimi i sistemeve mekanike, elektrike, të ngrohjes, të ventilimit, të ajrit të kondicionuar, të evakuimit në raste emergjencash, të zjarrit dhe të sigurisë. Në pjesën e pasme të muzeut me restaurim do të instalohet një ashensor panoramik transparent. Në katin e tretë do të hapet një kënd edukativ dhe një kafene, për ta bërë vizitën një përvojë sa më të rehatshme e argëtuese. Do të hartohet një plan biznesi për t’i ardhur në ndihmë muzeut që të ketë flukse të qëndrueshme financiare.