(Art News) Afro 50 punonjës në Muzetë e Vatikanit kanë paraqitur ankesë kundër administratës së Papa Françeskut lidhur me kushtet e punës që dyshohet të jenë të pasigurta. Punëtorët, shumë prej të cilëve janë kujdestarë, pohojnë se trajtohen si “mallra” nga një institucion me rregulla pune që “dëmtojnë dinjitetin dhe shëndetin e çdo punëtori”, sipas peticionit për të cilin ka raportuar “Corriere della Sera”.
Ankesa e datës 23 prill nga 49 punëtorë e ndarë me mediat italiane, tregon pagën e dobët të orëve shtesë si dhe rreziqet për shëndetin dhe sigurinë që supozohet se shkaktohen nga nismat e kursimeve në muze si reduktimi i sigurisë në atraksionet e famshme turistike.
Avokatja Laura Scrò, e cila përfaqëson ata që kanë nisur peticionin, ka thënë për gazetarët se beson se punëtorë të tjerë do t’i bashkohen ankesës e cila është hap drejt pajtimit të detyrueshëm të Vatikanit.
“Nëse kjo shkon keq, atëherë ne shkojmë në gjykatë”, ka thënë Scrò.
Punëtorët po bëjnë thirrje për transparencë më të madhe mbi procesin e ngritjes në detyrë, rivendosjen e shpërblimeve në bazë të përvojës së punës dhe një strukturë për ditët kur janë të sëmurë, për çka ata thonë se do të ishte më pranë normës për shtetin e Italisë. Sipas ankesës, punonjësit duhet të qëndrojnë në shtëpi gjatë gjithë ditës në vend të disa orëve, pasi dikush e viziton personin përkatës për të verifikuar se vërtetë është i sëmurë.
Sipas rregullave të punës së Vatikanit, institucioni ka 30 ditë kohë për t’iu përgjigjur ankesës. Nëse ankesa nuk trajtohet brenda asaj kohe, Scrò mund të sjellë ankesën në zyrën e punës së Vatikanit për të nxitur negociatat për marrëveshje, i cili hap mundësinë e një gjykimi. Por, sipas Srcò, zyra nuk është e detyruar për të dëgjuar rastin dhe mund ta lë stafin pa asnjë mbështetje ligjore.
Në rastet e mëparshme që kanë qenë të ndërlidhura me kushtet e punës në Muzetë e Vatikanit, avokatët kishin sugjeruar përpjekjen për të dërguar ankesat në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Selia e Shenjtë, burokracia qendrore efektive për Kishën Katolike, nuk është anëtare e gjykatës apo nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, ajo nënshkroi konventën monetare të Bashkimit Evropian në vitin 2009, duke sinjalizuar një gatishmëri për të mbajtur ligjin evropian të të drejtave të njeriut.
Muzetë e Vatikanit, prej burimeve më të mëdha të të ardhurave për Vatikanin, ende po rimëkëmben nga pasojat financiare të mbylljes, si pasojë e kufizimeve nga pandemia. Këtë vit, kostoja e një bilete hyrjeje për në muzetë u rrit nga 17 në 20 euro.