Kulturë

Muzetë e Gjakovës me sfida financiare e operacionale në baza ditore

Ilustrim i "Ec ma ndryshe"

“Konkluzionet e hulumtimit janë se muzetë janë institucione me rol kyç për shoqërinë, duke mbajtur epitetin e ruajtësve të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ato nxisin edukimin, diskutimin dhe reflektimin për të kaluarën, duke shërbyer si platforma që mbështesin dialogun dhe zhvillimin intelektual”, ka thënë drejtori i “EC ma ndryshe”, Valon Xhabali (Ilustrimi: “EC ma ndryshe”)

Identifikimi i problemeve aktuale të muzeve të Gjakovës ka qenë qëllimi i analizës “Institucionet muzeale të qytetit të Gjakovës”. Por dokumenti i hartuar nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” është edhe një lloj “databaze” e katër institucioneve muzeore. E pasuron fondin e informacioneve për to. Nevoja për masa emergjente mbrojtëse për këta muze merr kuptim shtesë me rastin e djegies së Muzeut të Muzikës në fundgushtin e 2023-s. Promovimi dhe mungesa e materialeve digjitale është një tjetër aspekt, e këtë e “zbut” vetë “EC…” me lansimin e platformës për muzetë e Kosovës. 

Si qytet me trashëgimi kulturore të pasur dëshmohet Gjakova, të paktën me institucionet muzeore që posedon. Muzeu Etnografik, Shtëpia e Familjes Qerkezi, Muzeu i Muzikës dhe Kulla e Abdullah Pashë Drenit janë edhe objektet e analizës. Vlerësohet se kanë rol thelbësor në pasurimin e identitetit kulturor dhe historik të qytetit.

Por natyrisht ka sfida. Për aq sa Muzeu i Muzikës përtej funksionit të saj ishte vendstrehim për persona të ndryshëm, si rrjedhojë e thyerjes së një pjese të murit. 

Sipas analizës, janë evidentuar sfida dhe mundësi për zhvillimin e këtyre institucioneve që vlerësohen se paraqesin aspekte unike të trashëgimisë së qytetit, e reflektojnë edhe në tragjedi. 

Pos nevojës për masa emergjente mbrojtëse dhe riparime të shpejta për Muzeun e Muzikës, qasja në muze është një tjetër aspekt. Analiza dëshmon se në kontekstin urban ato janë lehtë të arritshëm, por se nuk ofrojnë qasje për persona me nevoja të veçanta. 

Drejtori ekzekutiv i “EC ma ndryshe”, Valon Xhabali, ka thënë se po kjo qasshmëri është pjesë shumë e rëndësishme e analizës. 

“Përmes analizave operacionale, ky hulumtim vlerëson tërheqjen e vizitorëve si dhe potencialin e tyre për t’iu përgjigjur reformimeve të kohës drejt tendencave të institucioneve muzeale atraktive. Qasshmëria e personave me aftësi të kufizuara në këto institucione është gjithashtu pjesë vitale e analizave operacionale”, ka thënë ai nëpërmjet një përgjigjeje për KOHË-n.

Në analizë shkruhet gjithashtu se të katër muzetë “ndeshen me sfida financiare, restaurime të papërfunduara dhe mungesë burimesh të përditshme operacionale”. 

“Konkluzionet e hulumtimit janë se muzetë janë institucione me rol kyç për shoqërinë, duke mbajtur epitetin e ruajtësve të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ato nxisin edukimin, diskutimin dhe reflektimin për të kaluarën, duke shërbyer si platforma që mbështesin dialogun dhe zhvillimin intelektual”, ka thënë drejtori i “EC ma ndryshe”, Valon Xhabali. 

Në “Institucionet muzeale të qytetit të Gjakovës” theksohet edhe mungesa e shenjëzuesve urbanë dhe tabelave informuese që, sipas analizës, vizitorëve ua vështirëson orientimin dhe marrjen e informacioneve për eksponatet. 

Për këto gjetje të tyre, Xhabali ka thënë se presin të ndërmerren masa adekuate. 

“Pritjet tona janë që gjetjet e hulumtimit në radhë të parë t’u shërbejnë institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë hisedarëve tjerë, përfshirë komunitetin, për të ndërmarrë masa adekuate për të fuqizuar më tej rolin e këtyre muzeve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe pse jo për t’i shndërruar në shembuj të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor”, është shprehur ai. 

Ajo çfarë theksohet në analizë është se hapësirat nuk kanë qenë të projektuara fillimisht si muze. Për këtë mënyrë aty është hulumtuar edhe lëvizshmëria e vizitorëve për dy nga muzetë e hulumtuara. Muzeun Etnografik dhe Shtëpinë e Familjes Qerkezi. Të dhënat janë paraqitur me tabela grafike në analizë.

“Në këtë analizë pos tjerash janë shqyrtuar: gjendja ekzistuese e strukturave fizike të muzeve të Gjakovës, historiku dhe përmbajtja, operimi i muzeve, kapacitetet njerëzore dhe shërbimet e ofruara, analiza e hapësirave dhe sekuencat e lëvizjeve, qasshmëria e personave me aftësi të kufizuara dhe janë adresuar rekomandimet përkatëse”, ka thënë Xhabali. 

Në analizë janë rekomanduar restaurime dhe mbështetje financiare për muzetë, përmirësimi i qasjes për personat me nevoja të veçanta, zhvillimi i platformave digjitale për informacion mbi muzetë dhe eksponatet që posedojnë si dhe krijimi i arkivave digjitale për qasje më të lehtë nga publiku e studiuesit. Shenjëzimi në hapësira publike për vendndodhjen, promovimi i këtyre institucioneve, krijimi i hapësirave të reja dhe mjediseve rekreative dhe jo vetëm. 

Aty vlerësohet se teknologjia moderne është e mangët, se mungojnë pajisjet multimediale dhe materialet digjitale. 

Po të hënën, në adresën e “EC ma ndryshe” është publikuar platforma online për muzetë e Kosovës. Ajo ofron informata për muzetë aktivë në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë. 

“Rishtazi ‘EC Ma Ndryshe’ ka lansuar platformën online për Muzetë e Kosovës, ku aktualisht ofrohen informata për muzetë aktive në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë, përfshirë llojin e muzeut, artefaktet e ekspozuara, lokacionin, orarin e punës, kontaktet, etj. me qëllim që ato të jenë më të qasshme për qytetarët dhe turistët”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Xhabali. 

Sipas përgjigjes së tij, përmes platformës “synohet promovimi i muzeve të Kosovës, rritja e numrit të vizitorëve, orientimi më i lehtë i turistëve, sikurse edhe digjitalizimi i të dhënave të hulumtuara”. Ai ka bërë të ditur se “EC...” vazhdimisht do ta pasurojë platformën me informatat e duhura për muzetë në Kosovë. 

Paraprakisht organizata ka zhvilluar dy hulumtime të ngjashme. I pari trajtonte pesë muzetë kryesore të qytetit të Prizrenit, duke përfshirë Muzeun Arkeologjik – Hamami I Shemsidin Beut dhe Sahatkulla, Muzeun Etnologjik – Shtëpia e Shehzades, Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeun e Kalasë së Prizrenit dhe Muzeun e Elektroekonomisë – Hidroelektrana “Prizrenasja”. Sipas shpjegimit në analizën/hulumtimin “Institucionet Muzeale të Qytetit të Gjakovës”, gjetjet rezultonin në nevoja substanciale lidhur me shërbimet e ofruara, organizimin dhe mënyrën e ekspozimeve të artefakteve. 
Hulumtimi tjetër ishte ai për muzetë në Mitrovicë, e që trajtonte tre të tillë: Muzeun e Qytetit, Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve-TREPÇA dhe Kompleksin e Kullave Isa Boletini.