“Fati i marrë” e ka sjellë shkrimtarin e diplomatin e shquar Besnik Mustafaj në Prishtinë. Tema e romanit – shpallja e pavarësisë nja tri dekada më herët se sa ngjau – ka qenë vjegës për të hapur tema të tjera në një diskutim me shkrimtarin Ag Apolloni. Ka folur për përmbysjen e historisë në veprën e tij, por edhe për aktualitetin. Ka thënë se bashkimi kombëtar tash, nënkupton ndarjen e Kosovës, përderisa sipas tij raportet midis politikës shqiptare janë të polarizuara. Sipas tij, shqiptarët vazhdojnë të jenë kombi më i kërcënuar edhe për fajin e vet. Ka folur edhe për fatin e shkrimtarit dhe për Inteligjencën Artificiale
Shqipëria e shekullit XIX fiton pavarësinë gjatë Kongresit të Berlinit më 1878 dhe më pas bëhet një prej vendeve themeluese të Bashkimit Evropian po ashtu edhe prej vendeve themeluese të NATO-s. Ka një demokraci që ia kanë lakmi shumë vende evropiane e një mirëqenie më të lartë sesa qytetarët e Zvicrës.
Kësisoj paraqitet shteti shqiptar në një prej veprave të shkrimtarit Besnik Mustafaj. Do të mund të ishte kështu sikurse fati i viseve shqiptare të ishte tjetër. Te “Fati i marrë”, Mustafaj përmbys historinë. Dhe, këtë e bën duke manovruar në tri vepra, duke i përdorur, shqyrtuar e komentuar. I përdor faktet, spekulon me to dhe çon ujin ku do imagjinata e tij letrare.
Në një takim letrar të mbajtur të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ku nikoqir i Mustafajt ishte shkrimtari Ag Apolloni, dyshja ka shtjelluar romanin “Fati i marrë” që më 2023 është shpërblyer edhe me çmimin “Romani më i mirë” që ndahet nga Qendra e Librit dhe Leximit në Shqipëri. Fat të madh e ka cilësuar praninë e Mustafajt, shkrimtari Apolloni. Takimi ka nisur me një prani të vakët njerëzish por më vonë studentët, kryesisht të letërsisë e kanë “ngrohur” amfiteatrin e BKK-së.
Loja artistike e Mustafajt që prej vitit 2005 deri më 2007 qe ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, në romanin për të cilin është diskutuar, shemb historinë.
Personazhet reale dhe letra e hartës së Evropës
Në roman trajtohet sikur Shqipëria e mori pavarësinë njëkohësisht me Malin e Zi e Serbinë, bëhet fjalë për kohën e Lidhjes së Prizrenit ku paria shqiptare synonte një autonomi pasi kishte kuptuar se nuk mund të shkohej më tej edhe shkaku i pafuqisë në raport me fqinjët. Mustafaj ka treguar se ka lexuar përkthimin e Mal Berishës, ‘Nalësimi i Iskanderit’ me autorë Benjamin Disraelin, botim i Botimeve KOHA.
“Në roman e kam përkthyesin M. B. Jam marrë me shumë elemente që lidhen me Mal Berishën, por kam shkuar më tej për të ndërtuar një personazh letrar”, ka shpjeguar Mustafaj.
Benjamin Disraeli është personazh i njohur në Britaninë e Madhe në shekullin XIX. Midis tjerash, dy herë ka qenë kryeministër e po ashtu prej themeluesve të Partisë Konservatore. Si aristokrat i ri do të vizitonte edhe pjesën shqiptare të Perandorisë Osmane. E më 1830 ka shkruar edhe romanin që ia ka kushtuar heroit kombëtar të shqiptarëve.
“Ky roman është si ta ketë shkruar një shqiptar. Skënderbeu ngrihet lart, gjë që e meriton. Ka një rivalitet me një princ grek për vajzën e Hunyadit. Mua më duhej Skënderbeu pasi nuk mund të flitet pa mitin themeltar të kombit tonë, pa Skënderbeun”, ka sqaruar Mustafaj. Ka thënë se ka pasur kujdes të veçantë në trajtimin e kësaj historie në roman.
“E kam rishkruar në mënyrë folklorike siç përcjellkëshin rrëfimet. E kam riprodhuar duke ma treguar përkthyesi. Pra teknikisht është i shkruar në një mënyrë romantike dhe tradicionale. Por brenda pastaj besoj nuk është shumë tradicionale”, ka thënë Mustafaj. Disraelin në romanin e tij e ka shëtitur edhe nëpër Shqipërinë e veriut megjithëse në fakt ai ka qenë në jug.
Një tjetër personazh i librit të tij është historiani D. D., bëhet fjalë për Daut Dautin, i cili jeton në Londër, studiues i zellshëm edhe i marrëdhënieve midis shqiptarëve e britanikëve.
Kurse personazhi i tretë është B. J., bëhet fjalë për ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson. Realisht Mustafajt, ai i ka hyrë në punë si biograf i kryeministrit me nam, Winston Churchill. Johnson është autor i librit “Faktori Churchill: Se si një njeri bëri historinë”.
“BBC në një nga librat e bibliotekës së Churchillit zbuloi një letër për ndarjen reale të Evropës midis Churchillit dhe Stalinit. Ai bëri një udhëtim në Moskë pa dijeninë e presidentit Roosevelt dhe propozohet ndarja e Evropës. Shqipëria mungon në këtë listë. Ia ka lënë me sa duket krejtësisht Titos në administrim”, ka thënë Mustafaj. Në roman ai lidh shumë fije midis politikanëve britanikë dhe i kryqëzon me fatin e shqiptarëve.
Ka sqaruar se i ati i Churchillit, Lordi Randolph Churchill ishte ministër financash në kohën kur kryeministër i Britanisë së Madhe qe Disraeli. “Në konferencën e Berlinit, ai (Disraeli v.j.) ishte dashamirës i shqiptarëve. Donte pengimin e rusëve në Mesdhe. Por shqiptarët pa qenë nën Perandori nuk mund ta duronin invadimin sllav dhe ai e la Shqipërinë nën Perandori”, ka thënë Mustafaj. Sipas tij, perandori i kishte premtuar Disraelit disa lehtësira për shqiptarët, përfshirë shkollat.
“Bashkimi kombëtar tash nënkupton ndarje të Kosovës”
Mustafaj, i cili njihet për një sërë romanësh, të përkthyer në disa gjuhë, në këtë rast ka luajtur artistikisht duke e shpallur pavarësinë e Shqipërisë gati tri dekada më herët.
Në bashkëbisedim me Apollonin, ai ka thënë se shqiptarët vazhdojnë të jenë kombi më i kërcënuar në Ballkan.
“Duhet të jemi realistë për arsye që varen nga Serbia kryesisht, por edhe për pafuqinë tonë si komb për të parë se çfarë është thelbësore që duhet të na bashkojë të gjithëve dhe çka është e përkohshme që mund të na ndajë dhe mund të përdoret për luftën në pushtet”, ka thënë ai. Ka treguar se nuk është ithtar i një bashkimi kombëtar që mund të ndodhte në këtë kohë.
“Bashkimi tash nënkupton ndarje të Kosovës”, ka thënë Mustafaj.
Ka kujtuar kohën kur ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe kishte homolog të Serbisë, Vuk Drashkoviqin. Ka treguar se Drashkoviqi i kishte thënë se Kosova prej Ibrit e poshtë duhet t’i bashkohet Shqipërisë e pjesa veriore, Serbisë. Ka përkrahur idenë e një bashkëpunimi shumë më të madh midis Kosovës e Shqipërisë.
“Kosova që nuk ka qenë shumë e polarizuar, tash e shoh shumë të polarizuar. Marrëdhëniet midis dy kryeministrave janë në pikën zero, në mos më keq”, ka thënë ai duke elaboruar edhe përçarjet me partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
“Gjithmonë koherenca që jep shpresë për nesër krijohet nga lidershipi e jo nëpër dasma e mejhane. Këta nuk janë të gatshëm për t’u marrë vesh me njeri-tjetrin”, ka thënë Mustafaj.
Fati pesimist i shkrimtarit dhe inteligjenca artificiale
Midis tjerash, i pyetur për fatin e shkrimtarëve tash dhe në të ardhmen, ka thënë se ai është i përcaktuar nga lexuesi.
“Nëse nuk do të kemi lexues seriozë me shije, nuk do të kemi as shkrimtarë seriozë. Në këtë kuptim, fati nuk është shumë optimist, por as shumë pesimist. Një roman bestseller në kohën e Balzacut kishte 1500 kopje në Francë. Mahnitjen për inteligjencën artificiale mendoj se njerëzit do ta kenë më vonë, aq sa e kanë tash mahnitjen për një makinë”, ka thënë ai.
Me deri diku mahnitje ka folur shkrimtari Ag Apolloni për “Fatin e marrë” të Mustafajt. Ka thënë se kur kategorizohet te romanet, hyn te historitë alternative, tek ato që spekulojnë me fakte.
“Pra është histori alternative e jo distopike. Ky roman na tregon se po të ndodhte ky ndryshim, si do të ishte historia e shqiptarëve. E veçanta e këtij romani janë lidhjet intertekstuale. Për ata që merren me kërkime intertekstuale është një parajsë. Gjen lidhjet me Naimin si moto-citat, mandej gjen lidhjet me Ismail Kadarenë, sidomos me dy romane të tij ‘Komisioni i festës’ dhe ‘Krushqit janë të ngrirë’. Madje një intertekst i fuqishëm me ‘Naltësimin e Iskanderit’, ka thënë Apolloni.
“Fati i marrë” bashkon copëza historish në një përdorim artistik ku autori luan me fakte për hesape letrare.