Pioniere e artit akademik në Kosovë, është njëri prej epiteteve që i është dhënë kaherë piktores Alije Vokshi. Veprat e saj janë kapitulli unik i artit shqiptar. Të premten, ajo është nderuar postmortem me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”. Me një kontribut po aq të vyer për artin pamor dhe vlerat estetike të Kosovës, veçohet dhe emri i piktorit, Esat Valla, i cili e ka marrë Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor
“Gruaja në të zeza” është kryevepra e Alije Vokshit, e cila shërben si shëmbëlltyrë e veprimtarisë së saj që përveç të tjerash, shënohet nga portretet ekspresive dhe të qenët e para në disa vendndalesa të rrugëtimit të artit pamor në Kosovë.
Është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që pikturës iu qas dhe profesionalisht, pasionin e saj do ta shndërronte në punë e cila vazhdon ende të shërbejë si model për breza të tërë artistësh nga Kosova.
Alije Vokshi nisi rrugëtimin e saj të gjatë me pikturën në këto anë por duke prekur dhe qendrat botërore të artit. Trashëgimia e saj përveç fondit të pasur me vepra artistike pasurohet dhe me kontribut në akademinë kosovare si një mësimdhënëse e shquar me një kontribut prej shumë dekadash. Nisur nga ky rrugëtim, Vokshi, e lindur më 1945, e cila ndërroi jetë në janar të 2022-s, u nderua postmortem me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Me Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor është nderuar piktori Esat Valla. Ceremonia modeste është mbajtur të premten në Kabinetin e Ministrit të Kulturës.
Alije Vokshi në vitin 1968, ajo do të diplomonte për pikturë në klasën e Nedelko Gvozdenoviq në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Në vitin 1981, magjistroi në të njëjtën Akademi dhe specializoi për një vit në Parisin në “Académie de la Grande Chaumière” në klasën e Yves Brayer . Tre vjet më vonë, në vitin 1981, ajo mori titullin master në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Nga viti 1974 deri në vitin 2015, Vokshi ka ligjëruar pikturën në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Veprat e saj konsiderohen pasuri kombëtare dhe gjenden në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.
Me kontribut po aq të vyer për artin pamor dhe vlerat estetike të Kosovës, veçohet dhe emri i piktorit, Esat Valla. Emri i tij në historinë e artit pamor në Kosovë pikturohet me surealizmin, dhe trajtimin abstrakt që ai i bën botës së tij individuale. I lindur në vitin 1944, Valla studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd, në klasën e Zoran Petroviq. Prej vitit 1976, ka shërbyer si pedagog në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, dhe mban titullin Profesor Ordinarius. “Fluturat” është cikli i piktorit i krijuar nga marsi i vitit 1981 në kohën e demonstratave në Kosovë e cila ka lënë gjurmë në artin figurativ si metaforë e rinisë së sakrifikuar.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Komisioni Vlerësues i cili ndau këto dy çmime ishte në përbërje të artisteve po aq të vlerësuar si: Valbona Zherka dhe Lirije Buliqi, ndërkaq anëtarja e tretë qe dhe zëvendësuesja e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani-Berisha.
Valbona Zherka veterane e artit në tekstil në Kosovë, si anëtare e jurisë ka lexuar arsyetimet e Jurisë.
“Kam pasur rastin që me profesoreshën Alije edhe të punoj, por njëherësh si gjenerata e parë e Fakultetit të Arteve kemi pasur një privilegj të jashtëzakonshëm që profesor të cilët na kanë edukuar gjatë asaj periudhe katërvjeçare kanë dhënë shumë nga vetja. Nëse ne më vonë kemi qenë të suksesshëm, ajo është një meritë e madhe dhe e profesoreshës Alije Vokshi dhe profesorit Esat Valla”, është shprehur Zherka.
Çmimin post-mortem dhe mirënjohjen për piktoren Alije Vokshi e ka pranuar e bija e saj, Visare Selimaj. E rrëmbyer nga emocionet u shpreh shkurt se ndihet e privilegjuar që e ka pranuar këtë vlerësim në emër të Alije Vokshit.
Kurse piktori Esat Valla, i pranishëm në këtë ceremoni ishte gjithashtu fjalëpak.
“Ju falënderoj të gjithëve. Veçanërisht zonjat në komision që kanë zgjedh veprimtarinë time për këtë çmim. Normalisht që jam i kënaqur edhe pse vitet po kalojnë, kurdo që të jetë, shpërblimi është i mirëseardhur”, ka thënë Valla.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë të dyja këto vlerësime vijnë nga juria me profesionalizëm të plotë. Ai ka vlerësuar të dy emrat, duke theksuar kontributin e tyre në fushën e artit pamor në vend.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne si institucion, për kredibilitetin e gjithë procesit dhe vlerësimit, kështu që edhe unë po ndihem i vlerësuar që sot formalisht, sepse këtu personalisht nuk kam rol, punën e ka bërë juria me pavarësi, integritet, dhe profesionalizëm të plotë. Natyrisht, formalisht ndahet në emër të Ministrisë dhe unë po ndihem i nderuar para së gjithash për zonjën Alije Vokshi, ndonëse çmimi i jepet post-mortem dhe për profesorin Esat Valla, konsideratë të veçantë për punën, angazhimin dhe përkushtimin që me vazhdu mos me u ndal asnjëherë”, ka thënë ministri Çeku.
Vitin e kaluar, Nusret Salihamixhiqi, është nderuar postmortem me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore në artet pamore “Muslim Mulliqi”, ndërkaq Çmimin Vjetor për të Arriturat në fushën e artit e ka marrë Violeta Xhaferi.