Kulturë

“Mural Fest” ngjyros hapësirat publike për emancipimin e gruas

Murali

Këtë vit, për herë të parë, drejtuesja e festivalit, Lebibe Topalli, është pjesë e programit qendror të festivalit. Murali gjigant në objektin e ri të shkollës së mesme në Ferizaj, e ka hijeshuar atë që sefte ngjyrat i ka marrë nga “Mural Fest”. Topalli e ka paraqitur figurën e një gruaje me trupin e kërrusur teksa ka të ngarkuar një tufë të madhe lulesh. Është inspiruar nga fotografia e një gruaje që bart dru në shpinë

Ndër vite Festivali ka adresuar problematikat e shoqërisë. I ka prekur ato me art. Ka qenë festivali i muraleve “Mural Fest” në Ferizaj i cili e ka shfrytëzuar pjesën e betonizuar për vepra artistike. Sivjet synon vetëdijesimin për emancipimin e gruas, integrimin dhe lartësimin e pozitës së saj në shoqëri. Artistet kanë nisur të ndërhyrjen në pjesë të ndryshme të qytetit me brushat e tyre. U japin jetë me ngjyra. Aty lulëzon simbioza e estetikës dhe mesazheve. Veprat marrin formë dita-ditës. Secilën vepër e identifikon tematika. Imazhi i gruas është si emblemë në secilin mural

“Mural Fest” që me edicionin e parë ka ardhur me mision të qartë: nëpërmjet artit t’i adresojë mesazhe shoqërisë. Ato janë brenda muraleve si një prej shenjave që tanimë e identifikon qytetin e Ferizajt. Festivali i muraleve e pasuron atë më tej me edicionin e nëntë që ia dedikon gruas me temën “Her spotlight” (Shkëlqimi i saj).

Ndër vite, Festivali ka adresuar problematikat e shoqërisë. I ka prekur ato me art. Ka qenë festivali i muraleve “Mural Fest” në Ferizaj, i cili e ka shfrytëzuar pjesën e betonizuar për vepra artistike. Sivjet synon vetëdijesimin për emancipimin e gruas, integrimin dhe lartësimin e pozitës së saj në shoqëri.

Artistet kanë nisur të ndërhyjnë në pjesë të ndryshme të qytetit me brushat e tyre. U japin jetë me ngjyra. Aty lulëzon simbioza e estetikës dhe mesazheve. Veprat marrin formë dita-ditës. Secilën vepër e identifikon tematika. Imazhi i gruas është si emblemë në secilin mural. Kjo çon në zanafillën e themelimit të festivalit – mbështetja dhe fuqizimi i gruas, veçmas artisteve në vend.

Këtë vit, për herë të parë, drejtuesja e festivalit, Lebibe Topalli, është pjesë e programit qendror të festivalit. Murali gjigant në objektin e ri të shkollës së mesme në Ferizaj, e ka hijeshuar atë që sefte ngjyrat i ka marrë nga “Mural Fest”.

Topalli e ka paraqitur figurën e një gruaje me trupin e kërrusur teksa ka të ngarkuar një tufë të madhe lulesh. Është inspiruar nga fotografia e një gruaje që bart dru në shpinë. Ngjyrat e ftohta janë reflektimi për këtë histori. E ngrohta janë lulet shumëngjyrëshe që e përballin shikuesin me një lloj thirrjeje për ndërgjegjësim.

Koordinatorja e projektit, Elza Beluli, ka thënë se është po ky mural që e shpërfaq punën shumëvjeçare të Topallit si artiste e drejtuese e festivalit.

“Janë diku shtatë deri në tetë murale që do të përfundohen krahas instalacionit dhe ekspozitës. E kemi edhe një mural që e ka punuar drejtoresha ekzekutive e festivalit, Lebibe Topalli, e cila është një nga gjërat që na bën edhe më krenar. Ka punuar nëntë vite për ta sjellë ‘Mural Festin’ dhe tani është arti i saj në vendin tonë. Jemi shumë të lumtur që e kemi në ‘line up-in’ tonë”, ka thënë Beluli.

Ajo ka thënë se si zakonisht, edhe këtë vit do të ketë aktivitete të tjera krahas programit qendror që është punimi i muraleve, veçanti e të cilit sivjet është pjesëmarrja vetëm e artisteve vajza.

“Këtë vit pos muraleve, do të kemi edhe aktivitete të tjera siç është instalacioni, ekspozitë, panele diskutimi që veç kanë qenë edhe vitet e tjera, por sivjet do të trajtojmë tema të ndryshme. Veçoria e këtij edicioni, të nëntit me radhë, është që ‘line up-i’ përbëhet krejt prej vajzave. Kemi dashur ta kemi fokusin tek to dhe artistet lokale të cilat kemi dashur t’i promovojmë. Pos kësaj është edhe një artiste ndërkombëtare, Emily Herr”, ka thënë Beluli.

Fokusi sivjet është në artistet vajza dhe gratë e shoqërisë andaj “Mural Fest” e shpalos programin nën temën “Her spotlight”. Në hapësira të ndryshme publike secila hapësirë vjen me punim të veçantë të muralit.

Përplot ngjyra është vepra e artistes Mirjeta Qehaja në një lloj tuneli të një objekti afarist e banesor në qendër të qytetit. Të dielën në mesditë, artistja ka qenë duke punuar në sfondin shumëngjyrësh të veprës.

“Kryesisht janë ngjyrat e hapura. I kam përdorur qëllimisht që të duhen më bukur dhe të këtë kolorit të shumtë. Si përfundim do të ketë një laramani ngjyrash”, ka thënë ajo derisa ka bërë të ditur se vepra do të ketë një grua në qendër.

“Kemi kohë për ta përfunduar përafërsisht një javë. Tash e shohim rrjedhën e punës për sa kohë mund ta përfundojmë. Koncepti i gjithë kësaj vepre është civilizimi i grave. Tash pasi që është dita e dytë që kemi nisur punimin e veprës, nuk dallohet se çfarë po paraqesim, por ndërkohë do të shihen rezultatet e një qyteti të tërë të cilin e ‘mban’ një grua”, ka thënë artistja Qehaja, e cila ka marrë pjesë për herë të parë në “Mural Fest”, por është aktive në punimin e muraleve në përgjithësi.

Pasdite në Galerinë e Arteve është hapur edhe ekspozita personale e Arbesa Musa – “My resume it’s pink and it’s scented”. Veprat janë të ndikuara thellësisht në përvojat personale dhe kultura e vendit. Fotografitë që shfaqin një pjesë të trupit të gruas shpalosin të fshehtat dhe tabutë në shoqëri. Të vendosura pezull, pas tyre vjen shpjegimi në një version tjetër me figurat e fëmijërisë dhe ato që ngjajnë si të animuara.

“Biseda që e kam bërë me këtë gruan kam qenë se si ajo është martuar shumë e re dhe vjehrra e saj i ka futur çorape në gjoksin e saj për t’u dukur më e rritur në dasmë. Prapa fotografisë, si indikacion për ta shpjeguar atë është një figurë e princeshës duke punuar që e simbolizon në të njëjtën kohë fëmijërinë dhe punën që i është shtruar grave”, ka thënë artistja Musa derisa ka shpjeguar idenë e ekspozitës duke u fokusuar në njërën prej veprave në ekspozitë.

Krahas tyre, pjesë e ekspozitës është edhe instalimi i materialeve në tokë. Instalacioni me tekstil vjen si një lloj fshehje e asaj që shihet.

“Ideja ka qenë t’i shfaqim objektet që gratë zakonisht i fshehin në trupin e .tyre. Për të mos i shfaqur komplet mund të shihen si siluetë por janë të mbuluara për perde. Pse e kam zgjedhur perden, është se ajo përdoret në kushte shtëpiake për të pasur liri e privatësi. Kështu që më është dikur një term interesant ta lidh, meqenëse trupi dhe shtëpia janë diçka shumë private, t’i lidhi me objektet që i mbajmë në trupin tonë”, ka thënë Musa më tej.

Ajo është artiste multidisiplinare, praktika e së cilës fokusohet në tematikat feministe. Ka thënë se kësisoj ka nisur edhe ideja për projektin fotografik.

Paralelisht punën me murale kanë nisur edhe artistet: Emona Deda, Emily Herr, Antika Veseli, “Made by Stern, Tina Sulejmani, Elba Gashi dhe Rema Salihu. Ndërkohë kolektivi “Haveit” do të shpalosë punën e tyre artistike nëpërmjet një instalacioni.

“Mural Fest” sivjet e ka hapur programin më 31 maj dhe do ta vazhdojë deri më 7 qershor.

Edicionin e kaluar “Mural Fest” e kishte zhvilluar nën temën “Fragments of Utopia” ku synonte të paraqiste një utopi që mund të prekej nëpërmjet veprave në murale. Edhe sot shërbejnë si një fije shprese që shtyn drejt reflektimit për një jetë më të mirë.

I lansuar si projekt artistik në vitin 2016 dhe i zhvilluar në një organizatë joqeveritare, “Mural Fest Kosova” promovon kulturën artistike në vend dhe përdorimin e arteve si formë të fjalës në avokimin e drejtësisë sociale.

E themeluar nga artistet Lebibe Topalli, Pranvera Sylejmani dhe Antigona Heta, objektivi specifik i “MuralFest” që nga zanafilla e tij ka qenë mbështetja dhe fuqizimi i grave, përkatësisht artisteve femra në vend.

Edicionet e kaluara i ka zhvilluar nën temat “Freedom of movement”, “Environment protection”, “Anticorruption”, “Tolerance”, “Change”, “Home” dhe “On(Off)line”.