Kulturë

Muhamed Kërveshi – figura ikonike e elegancës në fjalën e shkruar

Muhamed Kërveshi (1935 – 14 shkurt 2025)

Muhamed Kërveshi (1935 – 14 shkurt 2025)

Të shumta janë veprat që ka lënë pas, unik është vargu i tij poetik, e mjeshtërore janë përkthimet e tij me të cilat, ikonat e poezisë botërore i bënte të flisnin shqip. Poeti, studiuesi, përkthyesi e profesori i shquar Muhamed Kërveshi vdiq të premten në moshën 90-vjeçare. Të shumta janë çmimet e mirënjohjet që ka marrë. Edhe më të shumta janë vlerësimet për veprën e tij, njësoj sikurse kujtimet. Në ditëvdekjen e tij, kolegë e miq e kanë çmuar ndër të tjera për zërin e fuqishëm artistik e për një vizion kulturor evropian

Kishte një elegancë në gjenealogji, si në figurë ashtu edhe në krijimtari. Ajo nuk zbehej dot, merrte frymë e fuqizohej në vargun e tij, në kritikë, përkthim, në mësimdhënie a në komunikime krejt joformale. Muhamed Kërveshi, ishte fisnik në jetë e në vepër. La pas një thesar të çmueshëm.

Poeti, studiuesi, përkthyesi e profesori i shquar vdiq të premten. Lajmin mortor e kanë dhënë familjarët e tij. Ai ishte 90 vjeç.

Lamtumira e fundit do t’i jepet të shtunën në Pejë. Varrimit në orën 16:00, do t’i paraprijë mbledhja komemorative në Kuvendin Komunal të Pejës prej orës 14:00.

Muhamed Kërveshi u lind më 1935 në Mitrovicë. Kreu shkollën fillore në Pejë, gjimnazin në Mitrovicë, ndërsa studimet universitare për gjuhë e letërsi frënge në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Zagreb, ndërsa u doktorua në Prishtinë. Punoi si mësimdhënës i gjuhës frënge në shkollën e mesme të Mitrovicës dhe të Pejës, ndërsa nga viti 1972 punoi si profesor i gjuhës frënge në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 2018, vjershën e parë për fëmijë Kërveshi e ka botuar në revistën “Pionieri” më 1949 ndërsa për të rritur një vit më pas në “Jeta e Re”. Ka botuar mbi 20 vëllime poetike origjinale dhe një sërë veprash të përkthyera.

“Poezitë e tij janë paraqitur në shumë panorama e antologji të poezisë shqipe, të botuara në Kosovë, Shqipëri dhe vende të ndryshme të botës, ndër të cilat “Antologjia e lirikës shqipe” në italisht, përgatitur e botuar nga Ernest Koliqi (Milano, 1963). Kërveshi është përkthyes i mbi 10 veprave letrare të poetëve më të shquar francezë, nga të cilët veçohen Bodler dhe Apolonier, si dhe ka përkthyer nga serbokroatishtja dhe turqishtja. Është autor edhe i disa librave për fëmijë. Përveç poezive shkroi tregime, drama, kritikë dhe eseistikë”, shkruhet në “Fjalor...”. Lista e veprave të tij është e gjatë dhe janë pasuri e letrave shqipe.

“Ngjyrat e dashurisë” (1964), “Portretet në miniaturë” (1966), “Hijet” (1968), “Valët e reja” (1971) “Rrathët” (1973), “Piramidat” (1976), “Ura” (1978), “Kundruall” (1980), “Vazhdimësi” (1982), “Sheshi i ditës” (1985), “Lojë në vazhdime” (1985), “Syri i Kosovës” (1993), “Shirat flasin” (1997), “Jetë guri” (2003), “Zjarri i përqafuar” (2004), “Zilja e kujtimeve” (2004, “Kopshtari i dashurisë” (2003), “Prania e padukshme”, janë në mesin e veprave me poezi. Ka botuar përmbledhjen me tregime “Në pasqyrë” dhe librin me kritikë letrare “Kontakte letrare” (1999), dramën “Rrobat sundimtarit” dhe monodramën “Çelësi” (2005). Botoi edhe disa vepra për fëmijë: “Telegrame të dallëndysheve” (1972), “Ylli rojtar” (1981), “Fjalë e nënës zog” (1986), “Shtëpia e re” (1989), “Ura” (1997), “Xhufi” (2001) e të tjera.

Të shumta janë çmimet e mirënjohjet që ka marrë. Edhe më të shumta janë vlerësimet për veprën e tij, njësoj sikurse kujtimet. Në ditëvdekjen e tij, kolegë e miq e kanë çmuar ndër të tjera për zërin e fuqishëm artistik e për një vizion kulturor evropian. Njësoj, edhe si mjeshtër të përkthimit e si mësimdhënës unik, që ua hapte dyert poetëve të rinj e që shpuri gjenerata të tëra në majat e letërsisë botërore, duke ua hapur shtegun nëpërmjet poetëve që i bënte të flisnin shqip.

Zëri i fuqishëm artistik, dora mjeshtërore e përkthimit

Shkrimtari, gazetari e përkthyesi Binak Kelmendi, nuk e njeh Muhamed Kërveshin vetëm si poet e përkthyes. Do të njehej me të këtu e nja gjashtë dekada më parë.

“E kam njohur që nga vitet ’60 dhe kohë pas kohe e kam pasur profesor të gjuhës dhe letërsisë frënge. Pastaj e kam pasur profesor në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë ku e studioja gjuhën frënge”, ka kujtuar të premten Binaku, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës. Ishte viti 1970 kur Kelmendi do të regjistronte studimet për frëngjisht.

“Ai na ligjëronte për lexim, se si të shqiptoheshin, shkruheshin fjalët, si të recitohej ndonjë poezi. Më shumë e njoh nga Gjimnazi i Pejës për shkak të aktiviteteve të tij letrare ku atëbotë kishte krijuar një grup letrar të gjimnazit, në të cilin isha edhe unë. Kohë pas kohe në gjimnaz botonim gazetën e muajit me krijimet tona dhe mbaj në mend se një nga këto krijime që kishim bërë, ai e pati botuar në revistën e atëhershme ‘Zëri i rinisë’. Aty ka qenë defilimi im i parë letrar, falë profesor Kërveshit”, e ka kujtuar ai Kërveshin si profesor. Sipas tij, ai ishte profesor i mirë, i këndshëm, këmbëngulës në ligjërim, në “shitjen” e diturisë “në mësimin e fjalëve të reja, shqiptimit të fjalëve të reja dhe sidomos të të folurit e të shkruarit në gjuhën shqipe”.

Këtë Kërveshi e bënte edhe në veprat letrare. Kultura shqiptare me vdekjen e tij, mbetet pa një zë të fuqishëm artistik.

Studiuesi e profesori universitar Besim Rexhaj ka çmuar rolin e shumanshëm të Muhamed Kërveshit në botën letrare.

“Ikja në amshim e krijuesit të madh, Muhamed Kërveshit, lë pas vetes një zbrazëti të madhe dhe, sado një nga poetët, shkrimtarët, dramaturgët, prozatorët shqiptarë me më shumti vepra të botuara, ikja e tij e tij në amshim, prapë se prapë, lë një zbrazëti të llojit të vet. Skena artistike shqiptare, nënqielli poetik i Kosovës e më gjerë, kultura jonë, fjala letrare e përkthyer në shqip, nga sot, janë më të varfra për një zë të fuqishëm artistik, për një zë poetik të artikuluar me nuanca e veçanti poetike, për një vizion kulturor evropian e për një dorë mjeshtërore përkthimi”, ka thënë Rexhaj. Sipas Rexhajt – i cili jo rrallë në mediet vendore ka promovuar profilin e krijimtarinë e Kërveshit – si autor i një numri të madh veprash artistike e studimore, përkthyes i rrallë i letërsisë frënge, “Kërveshi është krijuesi autentik, një nga krijuesit më të shquar të brezit të artë të poezisë e të frymës artistike e kulturore, që me dhjetëvjetësha i kontribuuan iluminizmit kulturor, artistik, e kombëtar të këtij nënqiellit tonë”.

Binak Kelmendi ka thënë se Kërveshi është poet i lirikës së hollë.

“Poet që ka shkruar shumë për dashurinë, por edhe për atdheun. Ishte përkthyes i mirë nga gjuha frënge në shqipe. Ka përkthyer shumë poetë francezë. Kam kujtime të këndshme me të pasi, ndonëse nga Mitrovica, pjesën e tij më të madhe e ka kaluar në qytetin tim në Pejë”, ka thënë Kelmendi.

Në fakt – siç do të shkruante Besim Rexhaj në një tekst autorial lexuar në akademinë letrare për veprën e Kërveshit, të mbajtur më 13 tetor të vitit 2018 – Mitrovica ishte obsesioni artistik i tij.

“Topika Mitrovicë është një nga topikat më të shpeshta të Muhamed Kërveshit dhe atë e gjejmë, në formacione të ndryshme, te disa përmbledhje poezish”, kishte thënë Rexhaj duke dhënë shembuj konkretë. Ndër to edhe libri i botuar atë vit, “Mërzia e Mitrovicës”, i cili fund e krye, i kushtohet këtij qyteti.

Vepra si thesar që duhet gërmuar ndër gjenerata

Në po atë akademi letrare, shkrimtari e studiuesi Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës do ta cilësonte Kërveshin si emër të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili ndihmesën e tij e ka dhënë me shumë përkushtim e dashuri për dekada të tëra.

“Ngritja e tij arsimore e intelektuale, kultura e gjerë që ka fituar brenda e jashtë atdheut, këtë personalitet e kanë bërë të dallohet me punën dhe me veprën e tij si pedagog, studiues e mbi të gjitha shkrimtar. Pedagog me diapazon të gjerë, ligjërues i shkollës evropiane, duke sjellë metodologji e përvojë pak a fare të njohur midis nesh, do t’u mundësojë brezave të rinj të njihen me realitetin e botës së qytetëruar dhe me njohuritë e gjuhës frënge, duke sjellë kështu edhe njohuri për kulturën arsimore e letrare të një vendi të veçantë evropian, Francës e më gjerë”, kishte thënë Galica.

Siç kishte thënë Galica, duke njohur mjaft mirë kulturën dhe letërsinë e traditës dhe atë moderne franceze, profesor Kërveshi bënte një punë në këtë fushë si asnjë tjetër – shqipëronte e botonte krijimet më të mira poetike nga gjuha frënge dhe u ofronte lexuesve e intelektualëve nëpërmjet botimeve të përditshme, periodike e në vëllime të veçanta vlera letrare-artistike, që ndihmojnë depërtimin në një fushë pak të njohur historike e aktuale të krijimtarisë.

Këtë, Muhamed Kërveshi e bënte edhe nëpërmjet shkrimeve të tij në “Shtojcën për Kulturë” të KOHËS Ditore. Ka qenë kontribuues i shpeshtë, duke sjellë kritika e qasje unike. “Absurdi dhe revolta në veprat e Kamysë”, “Sizifi, diku njeri e diku popull”, “Imazhi poetik”, “Metafora në poezinë e Pol Elyarit”, janë vetëm disa prej shkrimeve e eseve të tij.

“Vargu i veprave të tij është i gjatë, mbase si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër, siç janë të shumta edhe gjuhët në të cilat janë përkthyer krijimet e tij letrare e shkencore: sllovenisht, serbokroatisht, rumanisht, italisht, maqedonisht, turqisht, bullgarisht, hungarisht, sllovakisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, arabisht, anglisht, persisht, rusisht, suedisht, polonisht, boshnjakisht e të tjera. Ka shkruar rreth gjashtëdhjetë vëllime poetike për të rritur dhe afër dhjetë për fëmijë, si dhe vepra të tjera, drama, ese, studime, që e bëjnë shumë të pasur veprimtarinë e tij”, kishte thënë Galica në akademinë letrare. Kishte nënvizuar se Kërveshi, ka shqipëruar rreth njëzet vepra nga frëngjishtja. “Dhe ajo që vlen të theksohet posaçërisht, me krijimet e tij letrare është përfaqësuar në më shumë se gjashtëdhjetë antologji të ndryshme në vend dhe jashtë, që do të thotë se vlerësohet si njëri nga përfaqësuesit tanë më serioz i letërsisë sonë gjithandej”, kishte thënë Galica.

Vepra që ka lënë pas Muhamed Kërveshi është thesar që duhet gërmuar e çmuar edhe më. Dhe ka shumë arsye për këtë.

“Autor i mbi dyzet veprave me poezi, autor i cili nga libri në libër e pasuron opusin e tij krijues me variacione poetike e duke mos e përsëritur vetveten, autor i antologjive poetike të pashembullta, autor i antologjive të përkthyera nga gjuha frënge në atë shqipe e, po ashtu, studiues i perlave të letërsisë e të kulturës frënge dhe promovues i këtyre vlerave në shtratin e kulturës shqiptare, Muhamed Kërveshi, një figurë emblematike, me ikjen e tij në amshim, me gjithë atë trashëgimi të pasur artistike, kulturore, studimore, përkthimore, e obligon kulturën shqiptare për një kujdes meritor, për një qasje kreative ndaj kësaj trashëgimie me anë të studimit, të ribotimit të veprave të tij të zgjedhura e komplete, të botimit kritik të opusit të tij, përmes të cilit ruhen vlerat në panteonin e letërsisë e të kulturës”, ka thënë Rexhaj në ditëvdekjen e poetit, studiuesit e profesorit të shquar.

E, Muhamed Kërveshi ishte po aty – në panteonin e letërsisë.