Bazilika paleokristiane e Linit në Pogradec do të mund të vizitohet deri në fund të muajit maj. Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i Shqipërisë.
Në njoftim përmendet se bazilika me sipërfaqe prej 158 metrash katrorë është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që ruan pothuajse të plotë planimetrinë dhe dyshemenë me mozaikë.
“Bazilika u zbulua për herë të parë në vitin 1967. Bazilika paleokristiane së bashku mozaikët i përkasin shek. VI pas Kr. Ndër të tjera në të dhënat theksohet se Bazilika ka pasur shtatë ambiente kryesore, të shtruara me mozaikë. Motivet e përdorura janë ato të skenave të ndryshme si ‘eukaristia’, motive me gërsheta, skena nga bota ujore, shpendë, lule të ndryshme ku më interesantet janë lulet e lotusit, apo kryqi i thyer simbol i diellit”, shkruhet në njoftim, derisa përmenden edhe të tjera motive në këta mozaikë, si lepujt dhe bletët.
Aktualisht në Shqipëri po zhvillohen “Javët e Mozaikëve” me qëllim që t’i jepet publikut mundësi për t’u njohur me pasurinë kulturore që ofrojnë mozaikët.
Struktura e saj ishte e dekoruar me mozaikë shumëngjyrësh me motive floreale, gjeometrike dhe skena eukaristike, tipike të periudhës paleokristiane. Bazilika e Linit ka një strukturim trekëndësh, me naos, kapela anësore, baptister dhe atrium.
Gjithashtu përmbajtja e mbishkrimit me ekstrakte të psalmeve mbështet teorinë e një mundësie të një qendre pelegrinazhi. Gjetjet arkeologjike dhe të dhënat numizmatike mbështesin datimin e monumentit në shekullin V. Gjatë inkursioneve bullgare të shekullit IX kisha u dogj dhe u braktis.
Kisha plaeokristiane e Linit ndodhet në pjesën perëndimore të Kepit të Linit, duke pasur një pamje të gjerë mbi Liqenin e Ohrit dhe zonën përreth. Mozaikët polikromë dhe materiali i pasur arkeologjik e bëjnë Kishën një nga monumentet më të bukura dhe më interesante të Shqipërisë.
Mozaiku i Linit u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1973. Mozaiku u zbulua nga gërmimet në vitin 1969 që janë bërë në Lin të Pogradecit. Gërmimet treguan për një vendbanim ilir, që i përket Epokës së Hekurit dhe vijnë deri në Mesjetën e Hershme. Nga mozaikët e zbuluar në këtë vend bie në sy pasuria nga një dekor i larmishëm zoomorf, bimor e gjeometrik, me vlera të shquara artistike. Mozaikët nga ana artistike ngjajnë me stilin e një treve të gjerë ballkanike, që përfshinte qytete si Durrësi e Selaniku.