Shpallja e fituesve është akti final i “MonoAktit”, e aty ka triumfuar monodrama e cila shpalos fate njerëzore si mesazh për kapërcime dallimesh, tolerancë triumf të dashurisë. “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” nën regji me lojë të Mairus Donkin nga Bullgaria ka marrë çmimin kryesor, përderisa “MonoAkti” i sivjetmë, pos maratonës së shfaqjeve e ngjarjeve përcjellëse, sivjet ka shënuar edhe 25-vjetorin e Çlirimit. “Në këtë 25-vjetor të Çlirimit të vendit në një formë edhe artistët e huaj kanë pasur rastin të njihen me historinë tonë. Ne e shkruajmë atë dhe është detyrë e secilit artist”, ka thënë drejtori i “MonoAktit”, Mentor Zymberaj
Shfaqja “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” që shfaq lidhjen ndërmjet njerëzve përtej dallimeve, ka fituar çmimin kryesor të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të monodramës “MonoAkt”.
Monodrama me tekst të francezit Eric Emmanuel Schmitt dhe regjisor e aktor bullgarin, Marius Donkin, çon nëpër ngjarje dramatike që zhvillohen nëpërmjet komunikimit të Momos me Ibrahimin. Po ky rrëfim është shpalosur të premten mbrëma, para ceremonisë së ndarjeve të çmimeve. Donkin para publikut në teatrin “Dodona” në Prishtinë ka falënderuar për çmimin.
Çmimi për Regjisorin më të Mirë është dhënë për lituanin Alvydas Vizgirda, regjisor e autor i shfaqjes “Fabijonas”.
“Faleminderit Kosovë, vend i bukur, male të bukura, Prishtinë e bukur. Faleminderit!”, ka thënë shkurt Vizgirda, pasi ka pranuar çmimin.
Aktori më i Mirë është vlerësuar Ismet Azemi për lojën në shfaqjen “Artisti në tavan” me tekst dhe regji të Agron Gërgurit, prodhim i teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë. Azemi ka thënë se ky ka qenë çmimi i dytë për të në historinë e festivalit.
“I jam mirënjohës festivalit ‘MonoAkt’. Nuk është hera e parë që marr pjesë, është hera e dytë që marr çmim. Kam menduar se njerëzit, sidomos puna jonë, shteret njeriu prej emocioneve, por po më duket se gjithmonë ka burime të emocioneve nga ana shpirtërore, por edhe intelektuale, mendore e fizike”, ka thënë aktori Azemi.
Ndërsa Çmimi për Aktoren më të Mirë i është dhënë aktores Dungaamaa Chimedtseye nga Mongolia për rolin në monodramën “My darling. This is just the beginning”.
Ndërsa çmim special ka marrë shfaqja “Hedy: the life & inventions of Hedy Lamarr” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktorja, skenaristja e producentja e shfaqjes, amerikania Heather Massie ka thënë se kjo është shfaqja e saj e parë.
“Faleminderit shumë për këtë çmim. Jam shumë e nderuar dhe e prekur. Faleminderit për mikpritjen Prishtinë dhe ftesën. Të gjithë studentët kanë qenë shumë të zotë, të hapur për punë së bashku dhe të talentuar”, ka thënë ajo.
Çmime janë ndarë edhe për veprimtari jetësore. Pas vdekjes, çmimi është ndarë për dramaturgun Haqif Mulliqi. Vajza e tij, Getoarbë Mulliqi-Bojaj midis lotësh e ka pranuar çmimin.
“Unë ende nuk jam bërë e fortë të flas për babin. Është hera e dytë në ‘Dodonë’ pa të. Faleminderit për miqësinë, bashkëpunimet e mira dhe këtë mirënjohje”, ka thënë ajo.
Me këtë çmim është nderuar edhe veprimtaria e aktores Safete Rogova.
“Faleminderit për këtë çmim dhe për këtë festival që sillni artistë nga gjithë bota. Por faleminderit Mentor edhe që e çon gjuhën shqipe në të gjitha festivalet ku merr pjesë”, ka thënë Rogova në skenë.
“MonoAkt” edhe sivjet u ka kushtuar hapësirë artistëve të rinj përgjatë programit njëjavor të festivalit. Në kuadër të punëtorive të zhvilluara janë zgjedhur edhe talentët e dalluar.
Zana Berisha ka marrë çmimin “Monoperformanca më e mirë” ndërsa Fiona Abdullahu çmimin “Monostripi më i Mirë”.
Juria ka qenë në përbërje prej gjermanes Nina Mazur, ukrainases Tatiana Czepurnyi dhe Svetlana Ivanova nga Qiproja.
“Ishte perfekt festivali, në nivelin më të lartë. Vetëm doja të ju uroja suksese”, ka thënë shkurt Ivanova.
Nga një fjalë të shkurtër e kanë marrë anëtaret e jurisë. Për ukrainasen Czepurnyi, “MonoAkt” ka qenë shkas për vizitën e parë në Kosovë.
“Ishte hera e parë për mua në Kosovë dhe e pëlqeva shumë. Veçmas shoqërinë tuaj dhe mikpritjen”, ka thënë ajo.
Ndërsa Mazur është e familjarizuar me festivalin. Ka vlerësuar shfaqjen jashtë gare që është shfaqur në hapje të festivalit.
“Është nder për mua të jem këtu. Është shumë mëkat që pozita e këtij festivali nuk më lejon mua si anëtare e jurisë t’ia jap çmimin shfaqjes së mrekullueshme ‘Ëndrrat e Hamletit’”, ka thënë ajo.
Me këtë monodramë me tekst të Nina Mazur dhe aktor Mentor Zymberajn qe hapur programi i festivalit më 9 qershor. Me “Rrethimi...1999” është përuruar programi “MonoAkt+” që vjen në kuadër të programit të Festivalit ndërkombëtar të monodramës. Ekspozita ka qenë risi e festivalit sivjet.
Më 10 qershor u hap ekspozita “This beautiful world...” e artistit Albert Atakulov nga Uzbekistani ndërsa u promovua “Monodrama” me autor Mentor Zymberajn më 12 qershor. Po atë ditë u zhvillua edhe konferenca me temë “Zhvillimet e monodramës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë”.
Edicioni i 16-të ka sjellë edhe punëtori teatrore si dhe vizita në institucione kulturore e atraksione natyrore.
Sivjet u shfaqën gjithsej shtatë shfaqje, prej të cilave pesë në garë.
Ajo që e ka mbyllur dhe ka triumfuar në “MonoAktin” e 16-të është një himn për dashurinë e tolerancën. Është pasqyrim fëmijërisë së Muhamedit, personazhit të vetëm në shfaqjen që vendoset në një lagje të vjetër të Parisit. Personazhi, i cili në shfaqje thirret si Momo ndalet çdo ditë në dyqanin e burrit Ibrahim që është kurd dhe shpesh vjedh aty. Po aty takon edhe një vajzë. Ngjarjet zhvillohen derisa Momo flet me Ibrahimin çdoherë më shumë. Por si monolog, sigurohet që përgjigjet që s’i merr, t’i bëjë të kuptueshme për publikun. Bëhet i afërt me të dhe kjo lidhje e tyre e çon atë drejt kuptimit të Parisit të vërtetë. Më pas Momo kupton se babai i tij që është avokat, vendos të ikë. Pas lë para për një muaj dhe një letër të njerëzve që mund të kontaktojë për çdo rast. Kjo e bën Momon të krijojë lidhje edhe më të ngushtë me Ibrahimin. Madje ky i fundit e merr atë për pushime në Normandi që e bën Momon të lumtur, deri në lot gëzimi.
Drama merr kthesën kur pas tre muajsh qëndrimi në Normandi, policia troket në derën e tij dhe i tregon se babai i ka kryer vetëvrasje duke u hedhur para një treni në Marsejë. Detyrohet të kthehet në Paris që të mund ta identifikojë atë. Kur shfaqet një grua, vjen në pikëpyetje identiteti i Momos. Ajo kërkon të birin e saj të quajtur Moise, fëmijën e vetëm të saj të cilin se kishte parë prej vitesh. Pasojnë kthesa të tjera dramatike. Me këtë monodramë Schmitt rrëfen historinë e një djali të ri hebre dhe ushqimores myslimane të lagjes së tyre në Paris, por pa e nxjerrë në pah fenë si thelbësore për drama të tilla njerëzore.
Drejtori i festivalit, Mentor Zymberaj, ka thënë se sivjet kanë ardhur me risi dhe se e kanë zgjeruar programin me ngjarje të reja.
“Kemi pasur risinë sivjet për herë të parë ekspozitën teatrore, ku kemi pasur Albert Atakulov një artist shumë i madh, fotograf me shpirt artisti që ka shkuar në më shumë se njëqind festivale. Kemi sjellë risi nga gjithë festivalet e botës dhe prapë risi për këtë vit e kemi pasur ‘Rrethimin’ që i kushtohet jetës tonë në vitin 1999. Në këtë 25-vjetor të Çlirimit të vendit në një formë edhe artistët e huaj kanë pasur rastin të njihen me historinë tonë. Ne e shkruajmë atë dhe është detyrë e secilit artist”, ka thënë Zymberaj, profesor në Fakultetin e Arteve.
Ka thënë se numri më i madh i shfaqjeve pjesëmarrëse ka bërë të ketë rritje edhe në numrin e garave që zhvillohen këto vitet e fundit.
“Nëse e shohim nga viti i parë i themelimit kur kemi pasur vetëm një konkurrencë, tash kemi katër të tilla, pos ‘Monoaktit’ kemi edhe ‘Monostripin’, ‘Monoperformancën’ dhe shfaqjet që zgjedhim të prezantohen jashtë gare nga Kosova për promovim para artistëve ndërkombëtarë. Kemi punëtorinë teatrore që kemi shtuar në vitet në vijim, kemi kaluar në promovimin e monodramave, domethënë teksteve teatrore”, ka thënë ai, derisa e ka konsideruar të suksesshëm edicionin e sivjetmë të festivalit “MonoAkt”.
Edicionin e kaluar, shfaqja më e mirë më kuadër të festivalit ishte vlerësuar “Bloody Wedding” nën regji të spanjollit Pati Domenech ishte zgjedhur më e mira në konkurrencën e festivalit. Gjithashtu aktorja e kësaj shfaqjeje, Maria Vidal, ishte zgjedhur më e mira në konkurrencën e aktoreve, ndërsa Aktori më i mirë, gjermani Philip Sommer. Çmimi për Vepër Jetësore i ishte ndarë Faruk Begollit pas vdekjes.