Pa përgatitje profesionale e as mbështetje financiare, moleri Arsim Beqiri me shumë vullnet e ka përmbushur një mision të vështirë: dokumentimin e krimeve të luftës në fshatin Shajkoc.
Histori rrëqethëse të banorëve të fshatit, ai i ka dokumentuar në 240 minuta xhirime.
Serinë dokumentare “Ende kujtojmë luftën”, ai e ka xhiruar me telefon, gjatë pandemisë.
Përveç që i ka filmuar rrëfimet që dëshmojnë për krimet e luftës në fshatin me 300 shtëpi, ai e ka sfiduar veten për ta mësuar edhe procesin e montazhit.
Ai thotë se gjithë këtë punë e ka bërë me qëllim që rrëfimet e xhiruara të mbeten dëshmi për gjeneratat e reja.
“Ta kujtojmë luftën” përbëhet nga dhjetë pjesë dhe ato janë publikuar edhe në kanalin “Youtube”.