Kulturë

Mitrovica akordohet për mbrëmjet e magjisë së kitarës

Mitrovica

Prej 6 deri më 11 shtator me plot entuziazëm Mitrovica edhe një herë fton të gjithë artdashësit nëpërmjet “Mitrovica Guitar Days” që të bashkohen në festën e kitarës. Ky edicion i gjashtë ka rezervuar katër koncerte. Hapjen e Festivalit këtë të premte do ta bëjë kitaristja spanjolle Anabel Montesinos

Me edicionin e gjashtë, “Mitrovica Guitar Days” është shndërruar në ngjarje me peshë e të tillë janë edhe instrumentistët që sjell. Emri i asaj me të cilën do të hapet Festivali është vetëm një shembull. Kitaristja spanjolle Anabel Montesinos, e cila njëherësh konsiderohet si ndër kitaristet më të mira në botë – e përshkruar nga Paco de Lucia si kitariste që ka “kontakt të ngrohtë dhe të thellë me audiencën e saj” – është e para në listë. E ky është vetëm fillimi

Pak javë më parë Mitrovica kishte qenë për disa ditë radhazi vendi i muzikës jazz. Emra të këtij zhanri të njohur ndërkombëtarisht kishin shkelur qytetin verior duke ofruar performanca të rralla për publikun. Ngjashëm vepron dhe “Mitrovica Guitar Days”. Tash e gjashtë edicione, kjo ngjare e cila përkon me namin e dashurisë për artin nga mitrovicasit, për publikun ofron ditë të tëra të ngjeshura me program të larmishëm.

Të gjitha aktivitetet gravitojnë tek një qendër, kitara klasike. Prej 6 deri më 11 shtator me plot entuziazëm, Mitrovica edhe një herë fton të gjithë artdashësit nëpërmjet “Mitrovica Guitar Days” që të bashkohen në festën e kitarës. Ky edicion i gjashtë ka rezervuar katër koncerte. Hapjen e festivalit, këtë të premte do ta bëjë kitaristja spanjolle Anabel Montesinos, e cila njëherësh konsiderohet si ndër kitaristet më të mira në botë.

E përshkruar nga Paco de Lucia si një kitariste që ka “kontakt të ngrohtë dhe të thellë me audiencën e saj”, Anabel Montesinos është fituesja më e re e konkursit prestigjioz ndërkombëtar të kitarës “Francisco Tárrega”, duke marrë titullin në moshën vetëm 17-vjeçare. Me origjinë nga Hospitalet del Infante, Tarragona, ajo filloi udhëtimin e saj muzikor në moshën 5-vjeçare dhe ndoqi studimet e avancuara në Spanjë dhe Austri, duke fituar titullin magjistre nga Anton Bruckner Privatuniversität në Linz.

Anabel ka marrë më shumë se 10 çmime të para në garat kryesore të kitarës dhe ka performuar në skena të njohura në mbarë botën, duke përfshirë “Carnegie Hall” të New Yorkut. Ajo ka bashkëpunuar me orkestra kryesore si ADDA Simfònica, Orkestra Simfonike “Simón Bolivar” dhe me Filharmoninë e Berlinit. Veçanërisht, ajo performoi “Concierto de Aranjuez” për mbi 4 mijë njerëz në Berlin.

Atmosferë krejt ndryshe pritet të mbizotërojë në koncertin e dytë me radhë. Skenën e “Mitrovica Guitar Days”, e cila do të ngrihet në vendin nikoqir të ngjarjes, në Muzeun e Qytetit, do ta ngjisin sërish artistë ndërkombëtarë. Duo e mirënjohur në botë, Moeko Sugiura nga Japonia dhe Nejc Kuhar nga Sllovenia, do të paraqiten para publikut. Moeko, e cila ka studiuar në Tokio dhe Vjenë, ka performuar me “Wiener Symphoniker” dhe aktualisht është anëtare e Orkestrës Filarmonike të Grazit.

Kuhar, kompozitor dhe kitarist shumë i vlerësuar, ka fituar çmime të shumta dhe ka performuar në vende të mëdha si Musikverein i Vjenës dhe në Galerinë Kombëtare e Arteve në Washington. Ai është gjithashtu profesor i asociuar në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në Vjenë dhe ligjëron rregullisht në institucione të njohura si Shkolla Juilliard, Instituti i Muzikës Curtis, Shkolla e Muzikës Manhattan dhe universitete në Vjenë dhe në Frankfurt.

Por nuk do të mbetet me kaq. Në fakt, mbrëmjen e 10 shtatorit e presin me entuziazëm të shtuar dhe vetë organizatorët e “MGD”-së.

“Koncerti i 10 shtatorit do të jetë ‘flakë’ me të vërtetë, ku do të luajnë A&Z Duo, Aniello Desiderio dhe Zoran Dukiq. Një koncert i tillë është i rrallë edhe në Evropë, duke pasur në konsideratë që këta dy kitaristë janë emrat më të mëdhenj të kitarës në botë. Nëse figurativisht tërhiqet një paralele, këta dy janë Pele dhe Maradonna për kitare”, është shprehur Erhan Mujku nga “MGD”. Në fakt Dukiq nuk është i panjohur për publikun në Kosovë. Në maj luajti në Prishtinë me Petrit Çekun, Maroje Brçiq dhe Tvrtko Sariq të bashkuar në Kuartetin Kroat të Kitarave në “Chopin Piano Fest”

Përmbyllja e “Mitrovica Guitar Days” do të zhvendosë vëmendjen në një tjetër aspekt qenësor të vetë ngjarjes. Veç koncerteve, tashmë e ka bërë traditë që të ofrojë dhe masterklase të ndryshme për talentët e rinj në kitarë, por dhe në violinë. Artistët e ftuar që të performojnë, përvojat e tyre dhe dijen për muzikën do t’i shpalosin dhe me të rinjtë kosovarë. Xheneta Durguti Tara, Gjulian Bytyqi, Elvis Bytyqi dhe Erhan Mujka do të jenë ndër profesionistët e tjerë që do të ndajnë përvojat e tyre me vijuesit e masterklasave.

“Përveçqë synojmë që publikut mitrovicas e kosovar, por edhe me gjerë t’ua ofrojmë emrat më eminentë botërorë të kitarës klasike, edhe masterklasat që zhvillohen në kuadër të ‘MGD’-së janë pjesë esenciale e Festivalit. E këtu më së shumti përfitojnë nxënësit dhe studentët e rinj”, ka shtuar Mujka.

Karakteri unik i këtij festivali, si dhe qasja që organizatorët i japin atij, i bën ata që të besojnë në të. Në fakt ngjarje si këto, e shumë të tjera që ngjajnë kryesisht gjatë muajve të verës në Mitrovicë, tregojnë mbi një tendencë të shëndoshë të decentralizmit të skenës kulture, e cila deri më tani fokusohet kryesisht në kryeqytet.

“Ky festival është shumë i veçantë dhe i strukturuar në atë mënyrë që është tepër unik. Gjithashtu, duke pasur parasysh emrat të cilët i sjellim në Kosovë, Festivali, sa i përket nivelit është shumë konkurrues jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, gjë për të cilën jemi shumë krenarë”, ka thënë ai.

Ndryshe, edicioni i vitit të kaluar ishte hapur po nga një emër ndërkombëtar, me koncertin e Marcin Dyllas, një emër fort i shquar në botën e kitarës klasike. Në “Mitrovica Guitar Days” të vitit të kaluar kishte parakaluar dhe “fenonemi” italian, kitaristi Aniello Desiderio. Me të njëjtin temp synohet të pritet dhe audienca e sivjetme.