Përderisa “Mirëdita, dobar dan!” është gati për hapjen e edicionit të 11-të të enjten (sonte) në Beograd, thirrjet e ekstremistëve serbë për pengimin e kësaj ngjarjeje nuk kanë të ndalur e shteti serb hesht edhe përballë kërcënimeve. E, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – bashkorganizatore e Festivalit me Iniciativën Qytetare të Serbisë dhe “Integran” e Kosovës – të mërkurën ka bërë dhjetë ankesa e kallëzimeve kundër mediave e personave që përhapin urrejtje e kërcënojnë organizatorët
Njëzetekatër orë para nisjes së “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, ekstremistët djathtistë serbë tok me zyrtarë shtetërorë kanë intensifikuar thirrjet për pengimin e mbajtjes së festivalit, i cili në thelb ka prezantimin e kulturës së Kosovës para publikut në Serbi. Ekstremistët haptazi kanë ftuar qytetarët që ta pengojnë “Mirëdita...” përderisa, siç raporton mediumi i Beogradit, “Insajder”, nuk i kanë dënuar këto paralajmërime “përkundër premtimit të ministrit të Policisë, që do të bëjë gjithçka që është e mundur që të mos ketë prishje të rendit dhe paqes”. “Por në anën tjetër, për herë të parë sivjet, anulimin e Festivalit e kishin kërkuar edhe zyrtarë të lartë”.
“Lideri i lëvizjes ‘E djathta serbe’ tash e sa ditë në rrjete sociale lanson video ku kundërshton mbajtjen e Festivalit e krahas tyre edhe pamje të Milorad Ulemekut – Legias dhe Njësitit për operacione speciale”, ka shtuar “Insajder”.
“Milena Vasiq, nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se mosreagimi i shtetit jep porosi të keqe”, ka shkruar “Insajder”.
“Mosreagimi i organeve shtetërore ndaj një thirrjeje sistematike për dhunë dhe nxitjen e urrejtës ndëretnike dhe ndërfetare nuk është diçka që ndodh për herë të parë. E nuk është e hera e parë në kontekstin e ‘Mirëdita, dobar dan!’” Ne kemi pasur trazira në hapjet e mëhershme. Diçka interesante është se sipas nevojës ky festival nxirret si diçka skandaloze që ngjan në Serbi tek jepen informata të rreme për atë se çfarë në të vërtetë prezanton ai”, citohet të ketë thënë Vasiq. Sipas “Insajder”, derisa përhapet narrativi për “Mirëdita, dobar dan!” jo si festival i kulturës por si NATO-Festival, disa funksionarë të lartë e kundërshtojnë mbajtjen e tij. Megjithatë, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tash premton se policia do ta kryejë detyrën e vet.
“Këtu nuk bëhet fjalë për atë se, tash unë mund të them gjithçka, e të them se duhet të rrihen të gjithë e të arrestohen të gjithë, se nuk duhet të lihen ta kalojnë vijën administrative e të tjera...Por kur e shikojmë interesin shtetëror që është pak më lart sesa krejt kjo, atëherë policia duhet ta kryejë punën e vet, ta ruajë rendin publik përballë kësaj sfide të sigurisë”, citohet të ketë thënë ai.
Dhjetë ditë më parë kishte qenë Daçiqi që doli me kërkesën për anulim.
“Ta shohim se çfarë do të ngjajë. Unë kam thënë se është ngjarje me rrezikshmëri të lartë. Bëhet fjalë për hapësirë që nuk është publike. Nuk kanë qasje organet tona shtetërore. Ne bëjmë apel që të anulohet. Çfarë masash do të ndërmarrë shteti në këtë moment, nuk mund ta them”, kishte thënë Daçiq në programin e mëngjesit në televizionin “Pink”. Sipas ueb-faqes së këtij mediumi, Daçiq kishte shtuar se ky manifestim po mbahet tash e sa vjet, por ai mendon se “tash nuk është koha për të”.
Por nxitëse ishte deklarata e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin. I adresohej edhe popullit serb që të reagojë. Kishte deklaruar se mbajtja e këtij festivali kulturor në ditën e Vidovdanit është “fyerje së cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”.
“Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, kishte thënë Vulin.
Ka pak media në Serbi të cilat e shpalosin “Mirëdita....” si ngjarje që synon shkëmbimin kulturor.
Gazeta serbe “Politika”, në një tekst pa autor, “zbuloi” se “’Mirëdita, dobar dan!’ midis Beogradit promovon Kosovën e pavarur dhe UÇK-në terroriste”.
Pikërisht për këtë, të mërkurën Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – bashkorganizatore e Festivalit me Iniciativën Qytetare të Serbisë dhe “Integran” e Kosovës – ka bërë dhjetë ankesa në Organin Rregullator të Mediave Elektronike të Serbisë, kundër “televizionit me frekuencë nacionale”, kallëzim penal kundër “mediave” për shkak të nxitjes së urrejtjes racore e fetare, sikurse edhe disa kallëzime kundër personave të caktuar për shkak të “kërcënimeve të pjesëtarëve të ekipit organizativ”.
“Përkundër faktit që festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ promovon shkëmbimin kulturor dhe pajtimin, pjesëmarrësit, organizatorët dhe sikurse edhe përmbajtja e Festivalit, në dy javët e fundit janë bërë shënjestër e akuzave të pabaza dhe dashakeqëse nga disa tabloidë, gazeta ditore e mediash televizive. Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundërshton dezinformimin dhe lufton për respektimin e diversitetit në përafrimin e dy komuniteteve. Kundër atyre që përhapin dezinformata dhe urrejtje luftojmë me të gjitha mjetet që i kemi në dorë”, shkruhet në komunikatën e YIHR-së.
Edicioni i 11-të sivjet hapet me shfaqjen “Babai dhe babai” në regji të Kushtrim Koliqit. Promovime librash, shfaqje filmash, debate mbi narrativat e pasluftës, e muzikë, do ta karakterizojnë sivjet Festivalin që ka radhën të zhvillojë edicionin në Beograd.
Vitin e kaluar ishte mbajtur në Prishtinë. Për dallim prej kryeqytetit serb, nuk kishte asnjë telash në ushtrimin e aktivitetit.
Ndër të parët zyrtarë që sivjet nisi të merrej me “Mirëdita…”, qe kryetari në detyrë i Beogradit, tash kryetar i rizgjedhur, Aleksandar Shapiq. Në një deklaratë të postuar në portalin “BeoInfo” kishte bërë me dije se do të pengonte ecurinë e Festivalit.
“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, kishte thënë Shapiq, duke shtuar se Festivali gjithashtu po tenton që të “falsifikojë dhe ndryshojë drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.