Janë njëzet e katër portrete artistësh që “zbukurojnë” dy muret ballore të objektit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. Edhe pse ato u vendosën si nderim për kontributin e tyre në art dhe jo vetëm, tash e sa vjet qëndrojnë të shpërfytyruara. Ministria e Kulturës shfajësohet se ndërrimi i tyre s’është punë e saj, teksa përgjegjësinë e bart te Ministria e Punëve të Brendshme. MPB-ja e kthen çështjen te MKRS-ja, e piktorja Zake Prelvukaj, bartëse e këtij projekti të inauguruar më 2007, thotë se intervenimi është i domosdoshëm, përderisa kujton se vendosja e portreteve ishte e përkohshme
Është lojë fati nëse kalimtarët e rastit mund t’ia qëllojnë se kush fshihet prapa portreteve të artistëve e të shkrimtarëve në muret e Ministrisë së Kulturës. Prej 24 portreteve, dallohen gjysma në anën e djathtë. Ato në të majtë, ka kohë që janë zbehur tërësisht.
Me imazhe të shpërfytyruara kaherë, institucioni më i lartë kulturor në vend “nderon” figura të shquara që nuk rrojnë më. S’e ka as ndërmend të intervenojë për ndërrimin e tyre, ani se takimi i parë me objektin e MKRS-së janë pikërisht ato.
Portretet e emrave që shënojnë historinë e kulturës, letërsisë a të historisë së këtij vendi – në mesin e të cilëve Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Besim Sahatçiu, Abdurrahman Nokshiqi-Abi, Rifat Kukaj, Faruk Begolli, Shani Pallaska, Ibrahim Rugova, Muslim Mulliqi, Malo Gami, Rexho Mulliqi, Agim Çavdarbasha, Ali Hadri e Muharrem Qena – ishin inauguruar më 28 nëntor të vitit 2007. Ishte paralajmëruar si hap i parë i një nisme për muzeun e artistëve. Nismëtare e këtij projekti qe piktorja Zake Prelvukaj. Muzeu s’u bë kurrë. Portretet u shpërfytyruan dita-ditës.
Pingpongu midis dy ministrive
Zëvendësimi i portreteve në objektin e vet, sipas Ministrisë së Kulturës, s’është punë e tyre.
Ekipi i KOHËS pas një korrespodence të gjatë e-mailash dhe bisedash telefonike me Divizionit për Komunikim Publik ka pritur përgjigje për këtë çështje. Disa ditë më vonë është udhëzuar që për këtë t’i drejtohej në adrese tjetër pasi që “Ministria e Kulturës nuk është përgjegjëse”. Sipas Divizionit, përgjigje adekuate do të duhej të ofronte Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Departamenti i MPB-së do të kthente përgjigje pas vetëm 29 ditësh.
“Ju informojmë që kërkesën tuaj duhet ta drejtoni te Zyra e informimit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, ka qenë përgjigjja me e-mailin e MPB-së në adresë të KOHËS.

Projekti që u nis si muze për artistët
Nderimi i artistëve kishte qenë qëllimi parësor kur u inauguruan portretet gati 17 vjet më parë. Por jo vetëm.
“Ky projekt ka nisur si një lloj politike kulturore në atë kohë, për të shkuar deri te një muze për profile të artistëve të mediumeve të ndryshme, për të cilin besoj që kemi shumë nevojë. Pastaj është edhe si një lloj vetëdijesimi se nuk ka filluar arti në Kosovë pas viteve ‘90, por arti ka filluar shumë më herët këtu”, ka thënë piktorja Zake Prelvukaj duke e kujtuar nismën që ndërmori. Thotë se asokohe kishte edhe një motiv parësor. Synonte që me ekspozimin e portreteve të rinjtë t’i njihnin këto figura, por që edhe të huajt të cilët e vizitojnë Prishtinën ta kishin një pasqyrë për emrat e shquar të artit.
Tash ky intervenim shërben si një pasqyrë e neglizhencës institucionale.
Potencialin që ai peizazh i shëmtuar të shndërrohet në diçka të bukur dhe mbi të gjitha jodenigruese për figurat e tilla e sheh edhe vetë Prelvukaj, e cila pavarësisht se ka qenë nismëtare e këtij projekti, fuqinë ekzekutive dhe neglizhencën në këtë rast i bart te “i zoti i shtëpisë”.
“Pse jo të bëhet diçka, në vend se me qenë ato fotografi të vjetruara pse jo me qenë të shfaqura personalitetet që kanë kontribuar për skenën e artit në Kosovë. Është mirë të marrë një formë tjetër, për shembull çdo vit me u vendos nga një personalitet i ndryshëm, por me dimensione më të mëdha, të cilin do ta përcaktonte komisioni përkatës. Mirë do të ishte me marrë dhe formë tjetër artistike, qoftë dhe diçka digjitale, pa marrë parasysh se çfarë mediumi”, ka thënë Prelvukaj. Sipas saj, ato dy mure do të duhej t’i takonin diplomacisë kulturore gjithmonë, pavarësisht mënyrës se si vendoset të intervenohet në to.
“Ato fotografi po duken keq, katastrofë...”
Portreti i aktorit të shquar Faruk Begolli në murin e djathtë të MKRS-së është në mesin e atyre që i ka shpëtuar zbehjes së plotë.
Dramaturgu Jeton Neziraj, njëkohësisht autor i monografisë për Begollin, ka thënë se vendosja e këtyre portreteve në këtë formë nuk përbën ndonjë ide fort origjinale apo të arrirë, por për të është e dhimbshme se si ato portrete vazhdojnë të qëndrojnë të ekspozuara si gjysmake.
“Më së pari, duhet të them se ideja e atyre portreteve ashtu fasadë s’ka qenë ndonjë ide gjeniale, përkundrazi, ka qenë një ide e zbehtë, bash si kjo zbehja e zbardhëllimi që tash u ka ndodhur fotografive prej kohës. E tash, çmimin e këtyre ideve duhet me e pagu institucionet, që natyrisht, s’kanë punë tjetër, përveçse të rrinë me brusha e furçe duke rinovuar e pastruar fotografi. Ato fotografi po duken keq, katastrofë, prandaj ose duhen me u heq, ose me u bë prej fillimi, veç me material më cilësor, e jo të lirë, kinez”, ka thënë Neziraj.
Intervenimi i parë – dy vjet pas inaugurimit
Se materiali nuk ishte cilësor, e dëshmon edhe një fakt. Njëzet e gjashtë muaj e dhjetë ditë pas inaugurimit u desh të intervenohej në dy portrete. U ndërruan ai i Abdurrahman Nokshiqi – Abit dhe i Besnik Sahatçiut. U paguan mjete për këtë intervenim – nga 300 euro për secilin, siç e kishte konfirmuar asokohe për “Kohën Ditore” Ministria e Kulturës.
“Fotografitë e Abdurrahman Nokshiqi – Abit dhe Besnik Sahatçiut kanë rezultuar të dëmtuara. Kjo ka bërë që Ministria e Kulturës të ndajë mjete për projektin, i cili është inauguruar vetëm dy vjet më parë”, kishte raportuar “Koha Ditore” më 11 shkurt të vitit 2010. Vetëm plastifikimi i 24 fotografive kishte kushtuar gati tetë mijë euro. “Fotografitë janë në muret e MKRS-së deri në momentin që të hapet muzeu i artistëve. Kur realizohet projekti i muzeut të artistëve atëherë ato do të hiqen prej aty, sepse vendosja e këtyre fotografive është vetëm nisma e projektit, apo thënë më mirë një pikë ujë në oqean”, kishte thënë asokohe Zake Prelvukaj. “’Plastifikimi i çdo fotografie ka kushtuar 320 euro’, ka thënë Prelvukaj…”, kishte raportuar asokohe “Koha Ditore”.
“MKRS-ja... të zhvendoset diku në Fushë-Kosovë”
Se Ministria e Kulturës do t’i bëjë zgjidhje projektit që në nëntorin e sivjetmë bën 17 vjet, Jeton Neziraj nuk është optimist.
Por piktori Visar Mulliqi, i biri i maestros Muslim Mulliqi – portreti i të cilit është në krye në murin e djathtë – ka një propozim edhe për portretet, por edhe për Ministrinë e Kulturës.
“Duhet bërë krejt mirë prej fillimit ato portrete. Le të bëhet edhe një projekt prapë dhe të ndreqet siç duhet. Ajo ndërtesë duhej bërë muzeu i artit bashkëkohor”, ka thënë Mulliqi. Për institucionin që është në atë objekt ka një tjetër ide. “MKRS-ja që shkruan letra të zhvendoset diku në Fushë-Kosovë”, ka thënë Mulliqi.