Me fondin prej më shumë se 600 titujsh, Ministria e Kulturës ka pasuruar 32 biblioteka në Kosovë, sikurse edhe në Preshevë, Ulqin e Manastir. Është ngjarje e përvitshme, e zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani e ka theksuar gjashtëfishimin e buxhetit për librin duke përfshirë blerjen e librave e mbështetjen e autorit që sipas llogarive të MKRS-së, është një milion euro në vit
Blerja e librave dhe shpërndarja e tyre nëpër bibliotekat në Kosovë dhe jo vetëm, shihet si mbështetje për autorët e botuesit, por edhe si mënyrë për tërheqjen e lexuesve dhe rritjen e interesimit për librin.
Të hënën në mesditë Ministria e Kulturës e ka promovuar ngjarjen dhe sipas saj 32 bibliotekave publike nëpër qytetet e Kosovës si dhe në Preshevë, Ulqin dhe Manastir, u dhurohen nga 604 tituj librash. Kjo ngjarje, tradicionale e institucionit, është konsideruar investim në dije e pasurim i ofertës për lexuesit.
Kështu e ka vlerësuar zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani. Ka bërë të ditur se librat e revistat që dhurohen janë blerë gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar.
“Dhurimi i titujve për bibliotekat e vendit nuk nënkupton vetëm pasurimin e denjë të koleksioneve, por nënkupton edhe investim në dije, në lexueshmëri e në pasurimin e ofertës sonë që ua bëjmë lexuesve dhe adhuruesve të librit. Në mesin e këtyre titujve gjejmë shumë gjini letrare e revista të ndryshme të cilat janë blerë nga Ministria e Kulturës gjatë vitit 2023 dhe 2024”, ka thënë ajo.
Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të hënën është mbajtur ceremonia e pasurimit të fondit librar për bibliotekat publike komunale. Në këtë ngjarje, simbolikisht janë ndarë disa tituj për bibliotekën e qytetit të Gjilanit. Është bërë e ditur se pakot me libra do të mbërrijnë në adresat përkatëse brenda disa ditëve.
Zëvendësministrja Osmani ka përmendur buxhetin prej një milion eurosh për blerjen, botimin dhe mbështetje direkte të autorëve.
“Rritja e numrit të librave që po dhurohen sivjet, pos që është akumulim i blerjes së librave përgjatë dy vjetëve, njëkohësisht është seri e vazhdueshme e mbështetjes dhe vëmendjes së MKRS-së ndaj librit. Nga një fond që e kishim prej 160 mijë eurosh për librin e rritëm në një milion euro, duke përfshirë blerjen, botimin, mbështetjen direkte për autorin. Ky është një hap para për përforcimin e rolit të autorit, të shtëpive botuese, librarive dhe të bibliotekave në jetën kulturore të Kosovës”, ka thënë ajo derisa ka shtuar se fondi i librave synon nxitjen e lexueshmërinë me fokus në gjeneratat e reja.
Edhe ministri i Kulturës te milionëshi e ka pasur theksin e postimit të tij me të cilin e ka lidhur ngjarjen.
“Mbi 30 biblioteka të Kosovës, Biblioteka e Preshevës, e Ulqinit dhe e Manastirit, nga sot do të kenë nga 604 botime më shumë në shërbim të lexuesve. Dhurimi i këtyre titujve nga Ministria e Kulturës, nuk nënkupton vetëm pasurimin e denjë të koleksioneve, por edhe investim në lexueshmëri, e në llojllojshmëri të ofertës që institucionet tona kulturore i dhurojnë lexuesit. Buxheti për librin ishte 150 mijë euro. Gjatë këtij mandati, çdo vit nga një milion për autorin, botime, përkthime, nxitje të lexueshmërisë”, ka shkruar ai.
Në përgjithësi, Ministria e Kulturës muajt e fundit ka nisur që nëpër ngjarjet kulturore e ato që organizon institucioni, në sekuenca të caktuara, një moment gjithsesi t’i kushtohet një lloj fushate për punët e kryera.
Pos rritjes së fondit në një milion euro, prej 160 mijë sa ishte, zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës e ka përmendur edhe përfundimin e ndërtimit të bibliotekës së qytetit në Shtime. Ka thënë se tani librat e parë me të cilët do të pajiset, do t’i marrë nga ky fond.
Nerimane Kamberi, kryesuese e Këshillit të Librit, përbërje e re e të cilit u emërua në gushtin e sivjetmë, ka thënë se buxheti ka qenë e para çështje që është diskutuar në mbledhjen e parë konstituive me ministrin Hajrulla Çeku.
Kamberi është shprehur e lumtur që nuk janë harruar komunat shqiptare jashtë Kosovës. Derisa ka folur për librin dhe lexuesit, ka thënë se nuk ka krizë në këtë drejtim.
“Libri, lexuesit, nuk janë në krizë. Sigurisht kemi sfida të shumta, edhe Këshilli, të gjithë anëtarët, bashkë me mua dhe gjithë personeli i ministrit do të punojmë që me atë buxhet të promovojmë më shumë librin dhe sigurisht se ky donacion në komuna është edhe një dëshmi e punës që është bërë deri tani dhe që do të bëhet”, ka thënë Kamberi.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se pasurimi i fondit librar e bën komunikimin përmes librit si “një nga proceset njohëse më të sigurta dhe shpesh edhe estetike, veçmas për ata lexues që e çmojnë veprën dhe e njohin rëndësinë e saj”.
“Librat quhen shpesh si qirinj të përjetshëm të dijes dhe të njohurive që akumulohen dhe çojnë në vetëdije e në këtë mënyrë edhe në lumturi. Ndaj përkrahja me blerjen e tyre, sigurisht që e përçon këtë ndjenjë. Biblioteka duke qenë një nga institucionet më të rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë intelektuale, kulturore, në ruajtjen e urtësisë kolektive, roli i tyre është misionar dhe kjo e bën veçanërisht jetik rolin e bibliotekave komunale dhe të asaj Kombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, intelektuale dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës”, ka thënë Rogova-Gaxha.
Para të pranishmëve ka konsideruar se libri është dhurata më e çmueshme.
“Pasurimi i fondi librar të bibliotekave komunale u jep më shumë mundësi përdoruesve për lexime, kërkime dhe hulumtime shkencore. U jep më shumë mundësi nxënësve, studentëve, profesorëve dhe hulumtuesve. Këto nevoja janë të gjithmonshme dhe dhurata në formë libri është gjithmonë e çmueshme, meqë bibliotekat janë gjurmimi më i plotë i kërkimit të një informacioni të nevojshëm të njeriut si në aspektin personal e profesional”, ka thënë ajo.
Thirrja publike për përkrahje financiare të blerjes dhe botimit të librave si dhe revistave letrare ka qenë e hapur për një muaj në këtë fillim të këtij viti.
Në këtë konkurs janë mbështetur vepra me vlerë kulturore artistike dhe kombëtare, përkthime të cilat paraqesin arritje të përgjithshme artistike dhe vepra të botuara në dy vjetët e fundit nga botues të regjistruar në Republikën e Kosovës.
Sa i përket konkursit për botimin e librave janë mbështetur vepra të pabotuara të të gjitha gjinive letrare, përkthimet e veprave dhe kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur.
Përkthyer në shifra, sipas listave, sivjet për blerjen e librave ku hyjnë 125 tituj ka ndarë 97 mijë euro, për 12 mijë e 310 kopje librash. Sivjet me 272 mijë e 900 euro ka përkrahur botimin e librave të 186 titujve. Revistat i ka përkrahur me 80 mijë euro. Vjet me 131 mijë euro kishte blerë 187 tituj.